Aktualitet

E ardhmja e Fake News: Mos besoni asgjë që lexoni, shihni ose dëgjoni

Në epokën e “photoshop”, të filtrave dhe të rrjeteve sociale, shumë prej nesh janë mësuar të shohin çdo ditë foto të manipuluara ku njerëzit shfaqen më të dobët, me më pak rrudha dhe në rastin e Snapchat, të transformuar në këlyshë.

Megjithatë, po shfaqen vegla të reja të manipulimit audio-viziv që janë krijuar si pasojë e zhvillimeve të mëdha teknologjike në fushën e inteligjencës artificiale dhe grafikave kompjuterike që do të lejojë krijimin e filmimeve që në pamje të parë do të duken shumë realiste të figurave publike. Në këto fjalime ata mund të shfaqen duke thënë absolutisht çdo gjë. Me këto mjetet mund ta bësh Hillary Clinton të përshkruajë fëmijët që ka marrë peng dhe që i mban të mbyllur në qilarin e saj.

Kjo është e ardhmja e lajmeve të rreme, të njohura në zhargon ndërkombëtarisht si “fake news”. Prej shumë kohësh tashmë na kanë paralajmëruar të mos besojmë çdo gjë që lexojmë, por së shpejti publiku duhet të ketë kujdes edhe për atë çfarë sheh dhe dëgjon.

Për momentin janë disa ekipe studiuesish që po punojnë në kapjen dhe sintetizmin e elementëve audio dhe elementëve vizualë të sjelljes së njeriut.

Një “software” i zhvilluar në Universitetin e Standford është i aftë të manipulojë filmimet e figurave publike dhe një person i dytë të flasë në vend të tyre në kohë reale. Programi i quajtur “Face2Face” arrin të transmetojë shprehjet e fytyrës të njeriut që po manipulon dhe t’ia mbivendosë origjinalit që është duke folur. Ekipi i studiuesve demonstroi teknologjinë e zhvilluar prej tyre me filmimi të manipuluara të George W Bush, Vladimir Putin dhe Donald Trump.

Në vetvete “Face2Face” është e dobishme për të krijuar “meme” dhe për zbavitje veçanërisht në emisionet komike dhe satirike. Megjithatë, me shtimin e zërit të sintetizuar kjo teknologji duket shumë autentike, pra edhe në pamje të parë dhe në zë nuk mund të dallojmë se cili imazh është origjinali dhe cili është i manipuluari.

Një grup studiuesish në Universitetin e Alabamas kanë zhvilluar një teknologji impersonifikimi. Duke marrë 3-5 minuta regjistrim zanor të viktimës së manipulimit nga “YouTube”, ose një emision radiofonik dhe me anë të këtij regjistrimi, mund të krijohet një zë i sintetizuar që mund të gënjejë jo vetëm njerëzit, por edhe sistemet e sigurisë zanore që përdoren nga disa banka ose në “smartphon-e”. Njeriu që qëndron pas manipulimit shumë thjesht mund të flasë në mikrofon dhe vetë programi e shndërron zërin e tij , si zërin e viktimës. Ky manipulim mund të transmetohet nga telefoni ose në një emision radiofonik.

Në rast se teknologjitë e zhvilluara nga ekipe të ndryshëm shkencëtarësh që kanë manipuluar audion dhe videon kombinohen, ato mund të krijohen replika të frikshme alternative të realitetit.

Mjafton të shohim një video të sintetizuar nga Universiteti i Washingtonit ku shfaqet një video e Obamës ku është montuar një fjalim i vjetër i tij dhe duket reale në çdo detaj dhe kuptojmë sesa e rrezikshme është kjo teknologji për autenticitetin e lajmeve.

Më tej se vetë lajmet e rreme, kjo teknologji mund të ketë dhe pasoja në fushat të tjera të jetës. Dikush në të ardhmen do mund të lehë një mesazh zanor tek dikush duke u shtirur se është dikush tjetër. Ose të deklamojë një njeri duke i nxjerrë regjistrime audio sikur janë të tijat duke e njollosur reputacionin e një individi në mënyrë të pashlyeshme.

Këto teknologji janë në formim e sipër dhe nuk janë perfeksionuar ende. Shprehet e fytyrës në videot e manipuluara ende duken jo reale dhe të panatyrshme dhe zërat e shtuar mund të duken pak robotikë.

Por, me kalimin e kohës besohet se do të jetë e mundur të replikohet në mënyrë perfekte zëri dhe imazhi i një personi dhe do të jetë shumë e vështirë për njerëzit të ndajnë të vërtetën nga mashtrimi.

Duke parë gërryerjen e besimit tek mediat dhe shpërndarja e madhe e mediave alternative elektronike që shpeshherë nuk u dihet burimi është shumë e rëndësishme që të gjenden mekanizmat që media të filtrohet dhe të diferencohen lajmet reale, nga lajmet e rreme.

Shenjat mund të jenë të shumta si p.sh dritë hijet në video dhe të gjitha elementët e videos si përmasat, background-i që disa herë janë dukshëm të manipuluara.

Është tejet e rëndësishme që të gjenden mekanizmat verifikuese, pasi pasojat mund të jenë katastrofike.... a mund ta imagjinoni Donald Trump që i shpall luftë Koresë së Veriut dhe çfarë reagimesh do të sillte në botë edhe në rast se do të ishte diçka e rreme.  Përshtatur nga “The Guardian”/ K.H tiranapost.al