SPORT

Dynden korçarët në rrugë në mbështetje të Skënderbeut

Një protestë qytetare ndryshe nga formati që jemi mësuar në Shqipëri, pa background politik, por e shtyrë nga ndenjat e qytetarisë dhe sportdashjes dy cilësi që Korça i ka gëzuar historikisht, është organizuar ditën e sotme në qytetin juglindor.

Mijëra korçarë i janë bashkuar tubimit në mbështetje të ekipit të Skënderbeut i cili sulmohet mediatikisht dhe përflitet për skandale dhe afera pa pasur as edhe një vendim apo provë kundër tij. Ekipi i vetëm shqiptar që ka arritur të përfaqësojë vendin tonë në kompeticionet elitare të kontinentit, ndodhet sot në mes të një vorbulle mediatike që i ka dhënë dënimin, pa u bërë gjykimi.

Pas marshimit, të gjithe pa perjashtim, do te hedhin firmat ne nje peticion qe i kerkojne UEFA-s, te mos e denoje klubin qe ka bere historine e futbollit shqiptar

Pyetja që ngrihet në mendjen edhe të njeriut më naiv dhe të pa informuar për futbollin është se nëse UEFA realisht po shqyrton mundësinë e dënimit të ekipit shqiptar (një kërkesë e tillë është bërë nga 2 avokatë anonimë për botën e sportit, por nuk dihet sa seriozisht mund të merret ajo nga forumet vendimmarrëse), a po bën të njëjtën gjë edhe për 51 ekipe të tjera? Sepse, për të trukuar një ndeshje nevojiten dy palë dhe nëse 51 ndeshje janë trukuar po aq ekipe duhet të dënohen.

Raporti i deritanishëm është qesharak dhe pa baza, fakt ky që vërtetohet thjesht vetëm duke parë se në të përmendet Ilir Vrenozi një qytetar i thjeshtë i Korçës si njëri prej “mafiozëve” që mund të jenë përfshirë në shit-blerjen e ndeshjeve. Provat për këtë? Fakti që Vrenozi nuk ka pasaportë, (nuk e merr sepse nuk ka mundësi financiare) dhe se komunikon me lojtarët dhe presidentin e ekipit në Facebook (si shumë sportdashës në të gjithë botën që mund të urojnë lojtarët për ndeshjet e fituara apo t’u bëjnë lavde idhujve të tyre në fushë).

Sportdashësit janë bashkuar në këtë tubim me mesazhin e mbështetjes së ekipit që ka bërë krenar të gjithë vendin, por edhe për të denoncuar absurditet e pretendimeve të pabaza që vijnë nga vendi ynë, ku fatkeqësisht një pjesë e mirë e botës sportive gëzohet me dështimin e një ekipi shqiptar që është ka fituar kampionatin në vitin 1933, 12 vjet përpara se regjimi monist të krijonte ekipin e Partizanit.

Ndoshta nga ndjesia e inferioritetit, ndoshta për kundërshti personale të shumtë janë ata që duan të kthejnë futbollin shqiptar në periferitë më të errëta të Europës siç ishte përpara se Skënderbeu të ngrinte lart emrin e futbollit tonë. Megjithatë, sot përsëri Skënderbeu dhe qytetarët e Korçës dëshmuan se jo më kot, “Paris i Vogël” është nga të vetmit qytete në Shqipëri me traditë oksidentale dhe e ka vendin në Europë.

Haxhi Qamilët e futbollit shqiptar urojnë, në pamundësi të kultivimit të suksesit dhe arritjes së rezultateve, që përmes disfatës të Skënderbeut të bindin veten se vlejnë./ Copyright Tiranapost.al