Aktualitet

Dy të rinjtë kurorëzojnë martesën për Shën Valentin, Veliaj ndan një mesazh pasi i celebron

Dy të rinjtë kurorëzojnë martesën për Shën

Shpëtimi dhe Xheni janë dy të rinj kryeqytetas që vendosën ta kurorëzojnë dashurinë e tyre në martesë, sot në ditën e Shën Valentinit. Si kujtim dhe simbol të dashurisë ata mbollën një pemë.

Të hipur mbi pajton dhe të veshur me kostumet tradicionale të zonës së Tiranës, ata u pritën në altarin e ngritur tek Amfiteatri i Liqenit Artificial nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili e kurorëzoi dashurinë e tyre në martesë.

“Jam shumë i lumtur që e nisëm këtë Shën Valentin me pak bereqet nga qielli, por me shumë bekime në tokë. Sapo u celebrua Shpëtimi me Xhenin - kanë marrë një nga vendimet më të rëndësishme të jetës dhe besoj se një qytet që rritet me familje të reja e të mira (presin një çun), që mbjellin pemë, ka të ardhme”, tha Veliaj.

Ai ftoi që ky shembull i përjetësimit të dashurisë së tyre përmes mbjelljes së një peme të ndiqet edhe nga çiftet e reja. Veliaj theksoi se kjo është dhurata më e bukur jo vetëm për qytetin, por edhe për gjeneratën e ardhshme.

“Dua t’i ftoj të gjithë ata që sot, në ditën e të dashuruarve, duan të bëjnë një gjest që do të ngelet përjetë: Le të mbjellin një pemë në kujtim të dashurisë së tyre, në kujtim të fëmijëve të tyre; do të doja që e gjithë kjo stinë e 100 vjetorit të Tiranës t’u kushtohej familjeve. Sot do të kemi një familje të re, i uroj atyre të gjithë lumturitë e kësaj bote. Ju falenderoj shumë për pemën, është diçka që ata do t’ia tregojnë djalit të tyre, ashtu si edhe unë djalit tim, që kur të mos merremi më me këtë punë, do të themi se lamë gjurmë në këtë qytet. Paçi vetëm të mira edhe me trashëgime”, uroi Veliaj.

Këtë Shën Valentin Tirana është e veshur e gjitha me ngjyrat e dashurisë. Bashkia e Tiranës, ashtu si edhe vitet e kaluara, e ka zbukuruar qytetin me një dekor romantik për të gjithë të dashuruarit, të cilët dëshirojnë që të memorizojnë në foto këtë ditë të veçantë./ Tiranapost.al.