• Shqip
  • English
  • E martë, 10 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Lexo Enver Robellin në TIP Opinion Të gjitha

    Dy shembuj të kundërt: Bora Çosiç dhe Rexhep Qosja


    Ose: Njëri e godet mjeshtërisht Peter Handken, tjetri e vazhdon luftën e tij private dhe provinciale duke shkruar dy rreshta për Peter Handken dhe dy mijë kundër hasmit imagjinar në Prishtinë. Njërit i dëgjohet zëri në mediat e rëndësishme europiane, tjetri nuk e kalon pragun e profilit të tij në Facebook. Duke i lexuar reagimet si fishekzjarre të Rexhep Qosjes, njeriu mund të zhgënjehet me harxhimin e fuqisë mendore dhe retorike nga ana e tij. Çfarë vlere ka një monolog shumëvjeçar?

    Nga Enver Robelli/ E gjeta, këto ditë, në arkiv një intervistë të shkrimtarit të njohur serb Bora Ćosić (Bora Qosiq) dhënë gazetës zvicerane «Neue Zürcher Zeitung» (NZZ) në vitin 1996. Intervista është përgjigje e fuqishme dhe fantastike ndaj libërthit të Peter Handkes «Drejtësi për Serbinë». Në serbisht ky libër i Handkes u botua më 1996 në Prishtinë te shtëpia botuese «Grigorije Božović».

    NZZ e pyeti atëbotë Bora Ćosić-in nëse pajtohet me mendimin e Handkes se raportimi i mediave perëndimore mbi luftën në Bosnjë ka pasur ngjyrime antiserbe. Bora Ćosić përgjigjet: «Jo. (…) unë besoj se ajo çfarë ka ndodhur në Bosnjë është një lloj Auschwitzi. Po të kishte pasur atëbotë gazetarë që raportojnë nga kampet shfarosëse, athua edhe ata do të ishte dashur të fajësohen për shkak se e kanë tepruar?»

    Tash të kthehemi te Rexhep Qosja. Në vitin 2019 ai nisë të shkruajë një reagim në lidhje me shpërblimin e Peter Handkes me Nobelin për Letërsi. Mbërrin të shkruajë një paragraf, sepse në pjesën tjetër të shkrimit kilometrik intelektuali i madh i kombit të madh shqiptar merret me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), të cilën për pak nuk e barazon me Partinë Socialiste të Serbisë (SPS). Dhe krejt këtë shkrim, këtë manifest të marrëzisë Qosja e boton në profilin e tij privat në Facebook. Të tillë e përhapin pastaj «mediat digjitale», pa asnjë trajtim kritik.

    Në vend se të thotë një fjalë a fjali të mençur kundër një shkrimtari austriak që mohon krimet serbe në Ballkan, profesori, doktori, akademiku, shkrimtari, publicisti, eseisti, kritiku letrar, intelektuali e çka jo tjetër, pra Rexhep Qosja, e përdorë emrin e Peter Handkes vetëm rastësisht për të vazhduar luftën e tij private dhe provinciale – një luftë që ka shpërthyer në vitet 70-të, një luftë nga istikami që nuk pushon kurrë, një luftë që vazhdon me kryeneçësi, kokëfortësi e inat – në njërën anë doktor Qosja dhe në anën tjetër armiqtë e tij (shpeshherë imagjinarë), por gjithsesi «shërbëtorë të Serbisë», sepse ata, të tjerët, pra intelektualët shqiptarë të Prishtinës, që nuk e begenisin Qosjen dhe e injorojnë stoikisht, medoemos duhet të kenë qenë (dhe janë ende) «argatë të Beogradit».

    Duke i lexuar këto lloj shkrimesh të Qosjes, njeriu mund të zhgënjehet me harxhimin e fuqisë mendore dhe retorike nga ana e tij. Çfarë vlere ka një monolog shumëvjeçar? Në sistemin komunist jugosllav (si në çdo autokraci apo diktaturë) zor se ka mbetur dikush i pastërpikur. Nëse, sipas Qosjes, qenkan stërpikur ata që ai i atakon me shpatë në dorë (dhe pa dëshmi konkrete, por me shumë aludime toksike), atëherë a bën disa pyetje nga rendi i fundit i sallës? A është prodhim i fantazisë që Qosja i ka dënuar demonstratat e vitit 1981? A është prodhim i fantazisë që ka shkruar një tekst me cilësi pothuaj letrare kur vdiq Josip Broz Tito? A është prodhim i fantazisë që ka marrë dekorata të rëndësishme nga institucionet e Kosovës komuniste, Serbisë komuniste dhe Jugosllavisë komuniste? A e bëjnë të gjitha këto Qosjen tradhtar, figurë të dëmshme, përbindësh? Jo, kurrë. A është prodhim i fantazisë që në socializmin jugosllav edhe Qosja i përkiste elitës – me banesë e me shtëpi, me pushime në bregdet, me poste në Akademi, në Universitet, në Institutin Albanologjik. A e bëjnë të gjitha këto privilegje Qosjen «projugosllav» në kuptimin negativ? Jo.

    Gjuha që Qosja e përdorë kundër Ibrahim Rugovës është gjuhë që synon ta dehumanizojë një njeri, duke e përshkruar siç nuk ka qenë – përbindësh. Është gjuhë që e kopjojnë edhe disa brohoritës të Qosjes në Tiranë, të tillët nuk do ta kishin problem që nesër, po u krijuan rrethanat, edhe burgun e Burrelit ta quanin pushimore dhe dëfrimore për popullin e lumtur nën drejtimin e shokut Enver Hoxha. Ta përshkruash si «projugosllav» një koleg e intelektual, të cilit pothuaj ia ka shfarosur familjen regjimi komunist jugosllav, është veprim moralisht i ndyrë.

    Pastaj ka edhe pyetje të tjera: si qenkan futur në partinë «projugosllave» LDK edhe ish të burgosur politikë si Hydajet Hyseni e plot të tjerë? Me këtë të fundit Qosja themeloi edhe parti? Si e bëri këtë me një ish-nënkryetar të një partie «projugosllave»? Ta etiketosh kështu LDK-në është si të pështysh përpjetë dhe të mos lëvizësh nga vendi. Ata që e bëjnë këtë e diskualifikojnë veten nga debati publik dhe bëhen palaço. Facebookut nuk i dhemb. Aty, në arën private digjitale, mund të postohet çdo marrëzi – nga Kosova, nga Europa, nga Amerika, nga Azia, nga Afrka, nga Australia.

    Është legjitime të mos pajtohesh me Rugovën dhe ka shumë argumente për mospajtim, ama kjo nuk është rruga ku qëndron Qosja, ai preferon të dalë nga binarët si një lokomotivist i dehur dhe me atë rast shfryn si lokomotivë me qymyr. Tymi i kësaj shfryrje është i zi. Dhe krejtësisht i panevojshëm.

    Qe, pra, ku është dallimi mes Bora Ćosić-it dhe Rexhep Qosjes. Njëri (i pari) e godet mjeshtërisht Peter Handken, tjetri (i dyti) e vazhdon luftën e tij duke shkruar dy rreshta për Peter Handken dhe dy mijë kundër hasmit imagjinar në Prishtinë. Njërit i dëgjohet zëri në mediat e rëndësishme europiane, tjetri nuk e kalon pragun e profilit të tij në Facebook. Për keqardhje.

    Në intervistën e tij në «Neue Zürcher Zeitung» në vitin 1996 Bora Ćosić, kundërshtar i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, e thotë edhe këtë: «Dikush mund të shohë një këpucë fëmije në një lumë të përzier me gjak – siç bën Handke – dhe të mos besojë që aty ka ndodhur diçka. Por kjo është çështje e aftësisë për të parë». Vlen edhe për doktor Qosjen./ Marrë nga dialogplus.ch

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post