Aktualitet

Durrësi pa buxhet për 2017-ën

Durrësi pa buxhet për 2017-ën

Partia Demokratike dhe ajo Lëvizja Socilaiste për Integrim bëhen bashkë dhe rrëzojnë buxhetin e vitit 2017 per Durrësin. I konsideruar nga kryebashkiaku Vangjush Dako si më i madhi dhe me i miri i këtyre 10 viteve të fundit, Buxheti i këtij qyteti është rrezuar nga këshilli.

LSI-ja bashkoi votat me PD-në, duke mos bërë të mundur kalimin e draftit financiar. 15 vota kundër dhe 5 abstenim mjaftuan që të bënin nul 21 votat pro të këshilltarëve të Partisë Socialiste dhe partive të tjera të vogla.

Në një deklaratë që është lexuar në fillim nga këshilltari i LSI-së, Jeton Rexhmati, u bë e ditur në emër të grupit se propozimet e këshilltarëve të kësaj partie nuk janë marrë në konsideratë. Në të njëjtën linjë qëndruan edhe këshilltarët e djathtë, të cilat pohuan se qytetarët durrsakë nuk dinë çfarë ka brenda buxheti i 2017-ës, pasi nuk janë lajmëruar për të marr pjesë në dëgjesën publike, e cila u zhvillua dy ditë më parë në mjediset e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu”.

Në këto kushte projektbuxheti nuk u miratua pasi kërkonte minimalisht 26 vota pro. Projektbuxheti i vitit 2017 kap vlerën e 43 milion dollarëve në total, një shumë e lartë që nuk është krijuar asnjëherë nga bashkia e qytetit bregdetar.