• Shqip
  • English
  • E diel, 25 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Blogu i Dianes Kryesore Të gjitha

    Duke diskutuar një shkrim të Mirës…


    Diana Çuli/ Mira, lexova shkrimin tënd ku kishe shprehur ndjesinë që pate, kur kalove padashur mes përmes një duhme parfumi njerëzish të pasur e të ngeshëm, që kanë kohë për koncerte, që blejnë rroba në Vogue, që ngasin makina mbi 60.000 euro, që shijojnë çdo kënaqësi të mundshme, jo të rrëmujshme, jo të lodhshme, por nga ajo e këndshmja, e shtrenjta, e bukura që rrallëherë mund ta përjetojë pjesa tjetër e njerëzve. Dhe ti thua me vete: ja kjo është jeta, po ne të tjerët…?

    Besoj se kujtdo i qëllon të ketë çaste të tilla –jo të dëshpëruara, por të hutuara, – për një botë që është e mundur, por e pamundur për shumicën. Edhe mua, që po të shkruaj, më ka ndodhur e më ndodh herë- herë. Kështu që ky shkrimi im i drejtohet edhe vetvetes.
    Mira, ti e di që jeta është e çuditshme, fati shpesh i padrejtë dhe lumturia shpesh atje ku nuk e shohim….atje ku ajo fshihet për të na ndëshkuar që e kërkojmë tjetërkund.

    A është pasuria edhe lumturi?
    Pyetje e vjetër sa bota. Lumturia, shkruante dikur Floberi, është një gënjeshtër, gjithë të këqijat na vijnë sepse vazhdojmë ta kërkojmë. Por, shpesh qetësia, që e imiton, ndoshta dhe e tejkalon.
    Nuk e di në duhet të ndjek këtë mendim, sepse, fundja është një mendim i tij, ndonëse mjaft i thellë. Po nuk është aksiomë. Më duket më tërheqëse kjo thënie e Izabel Alendes: Një ditë e bukur, e pasuar nga një tjetër ditë e bukur është e barabartë me një jetë të bukur.
    Nuk e di nëse ata njerëz që ngjajnë si jashtëtokësorë për shkak të pasurisë, e kanë gjumin të qetë natën, sepse, suksesin, thotë Paolo Coelho ( sot nuk hiqkam dorë nga thëniet e shkrimtarëve) e arrin kur bie të flesh i qetë. Nuk e di nëse pushteti ( i parave ose jo) të bën të lumtur apo nëse humbja e tij të bën gjithashtu të lumtur.

    Nuk e di nëse ata njerëz që ti pe atë mbrëmje (që “i ndjeve” atë mbrëmje) provojnë emocionet që provon ti kur një shkrimi yt pëlqehet nga dhjetëra e qindra njerëz, kur edhe të sulmojnë për një mendim, kur pandehin se të të mundin e ti ngrihesh përsëri, edhe më e fortë, edhe më e gëzuar, sepse gëzimi është pjesë e qenies tënde dhe shtysë e jotja, e fuqishme e guximtare?
    Nganjëherë them me vete se do të ndihesha e lumtur sikur të mos luftoja me veten, por ta doja dhe ta pranoja atë dhe bëj përpjekje të tilla, së shumti të kota.
    Por, të nesërmen, dikush si ti shkruan një artikull të zgjuar, dikush i afërm më fal dashuri të pamatë, një mik a një mike më telefonojnë dhe qeshim pambarim, një libër i bukur më bie në dorë, një ide e mrekullueshme për një tregim më mbin befas në kokë – të gjitha këto më shkundin dhe më thonë: po ç’kërkon më shumë nga jeta?

    Paradoksi i Easterlin-it
    Ky paradoks, që quhet edhe Paradoksi i lumturisë,është formuluar në vitin 1974 nga Richard Easterlin, porfesor i ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë, anëtar i Akademisë Kombëtare të Shkencave. Sipas Easterlin-it, lumturia e vërtetë e njerëzve varet shumë pak nga ndryshimet e të ardhurave dhe nga pasuria. Eksperti i ekonomisë ka vënë re në studimet e tij se kur të ardhurat dhe mirëqënia ekonomike shtohen, edhe lumturia njerëzore shtohet, por deri në një farë pike, pastaj fillon të zvogëlohet duke ndjekur një kurbë si U-ja e përmbysur. Vijon më tej një përllogaritje me GDP etj, të të gjitha shteteve të pasura, me të cilën nuk po e lodh lexuesin. Sipas raporteve të fundit të OSBE-së, lumtuira e njerëzve nuk varet vetëm nga paratë, por edhe nga marrëdhëniet shoqërore, kushtet mjedisore, nga shëndeti, arsimimi, pjesëmarrja në jetën politike dhe nga aktivitetet personale.

    Këto gjëra i dimë, do të më thuash ti…

    Sigurisht. Këto të fundit i dimë, edhe pa lexuar raporte. Ajo U-ja përmbys më shtyn të zhbiroj më tej. Ndonjë ditë do ta zgjeroj këtë njohuri. Ndërkohë do të mendohem si ta bëj ditën time më të bukur – mund të jetë bukur edhe të mos dal fare nga shtëpia, të shoh një film të vjetër dhe të pi një tas me kafe, pa biseduar me asnjeri, madje të mundohem as të mos mendohem – por kjo jogë më duket pak si tepër e vështirë. A nuk do të ishte mirë ta zbrazja mendjen, që të ajrosej, dhe nesër të filloja të mendoja përsëri?