Aktualitet

Drogë, dhunë, flakë e aksidente kanë përfshirë sot vendin

Nuk ka kaluar pa aksidente e drogë as dita e sotme. Nga Durrësi në Gjirokastër, ja çfarë ka ndodhur sot në vend.
Drogë, dhunë, flakë e aksidente kanë përfshirë sot

Sot Shqipëria nuk ka qenë e qetë dhe pa probleme. Drogë, dhunë, flakë e aksidente janë shënuar sot në mbarë vendin.

Durrës

Dy vëllezër të moshës 25 dhe 31 vjeç janë vënë në prangat e policisë së Durrësit, pasi në gjëndje të dehur kanë shkatëruar ambientet e spitalit. Dy vëllezërit në fjalë, në gjendje të dehur kanë shkuar në spital, dhe kanë shkatëruar ambientin. Më pas ata kanë goditur edhe punonjësit e policisë, të cilët kishin shkuar të qetësonin situatën.

Burime nga Policia e Durrësit kanë bërë të ditur se në pranga janë vendosur shtetasit Florenc Çalamani, 31 vjeç, banues në Durrës dhe Dajlan Çalamani, 25 vjeç, banues në Durrës.

Arrestimi i tyre është bërë sepse një ditë më parë, rreth orës 17:45, në gjendje të dehur, kanë prishur rendin dhe qetësinë në ambientet e Spitalit Rajonal Durrës.

"Me të marrë njoftimin, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivet e Policisë, me qëllim qetësimin e situatës. Shtetasit e mësipërm nuk i janë bindur uniformave blu dhe në vijim janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë.

Pasi janë shoqëruar, dy vëllezërit kanë kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës punonjësit e policisë", ben me dije policia.

Po në Durrës, dy automjete janë përfshirë nga flakët si pasojë e një zjarri që ra në një parking në Durrës.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, në lagjen numër 12 në Durrës, ku si pasojë e zjarrit të rënë janë djegur dy automjetet përkatësisht mjeti tip Audi me targa gjermane SOFT 111 dhe mjeti tip Benz me targa AA 884 MI në pronësi të shtetasit B. Xh.

Elbasan

Digjet makina e nje punonjësi të Shërbimit Informativ të Shtetit. Automjeti tip ‘Opel ‘ është djegur pjesërisht mëngjesin e kesaj te enjteje, në qytetin e Elbasanit. Sipas policisë, djegia e makinës dyshohet të jetë e qëllimshme. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të kryqëzimit të Cërrikut. Automjeti ishte parkuar pranë banesës së punonjësit të SHISH, kur persona ende të paidentifikuar i kanë vënë flakën. Akoma nuk dihet lënda qe është përdorur për djegien e makinës, por nga të dhënat e para, zjarri dyshohet te jete vene me benzinë ose me lëndë plasëse, pasi gjatë djegies është konstatuar edhe nje shpërthim. Mësohet se makina është ne pronësi te babit të agjentit te SHISH. Hetimet janë fokusuar në pistën e hakmarrjes së mundshme, për shkak të detyrës ndaj punonjësit të SHISH.

Pogradec

Policia ka sekuestruar 28 kilogramë kanabis në fshatin Vërdovë të Pogradecit.

Specialistët e Seksionit për Narkotikët në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë në bazë të një informacioni, kanë ushtruar kontroll në një banesë të pabanueshme ku kanë gjetur e sekuestruar sasinë e drogës.

Gjirokastër

Një e moshuar ka mbetur e plagosur ndërsa banesa e saj u përfshi nga flakët.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:57 të mesnatës në fshatin Saraqinisht të Gjirokastrës.

Banesa e shtetases me iniciale O.Dh, 84 vjeç është përfshirë nga zjarri.

Si pasojë është djegur banesa si dhe ka marë plagë të lehta në trup kjo shtetase, e cila jetonte e vetme në banesë.

84-vjeçarja është shoqëruar për trajtim mjekësor në spitalin Gjirokastër dhe mësohet se ndodhet jashtë rezikut për jetën.

Sipas policisë, shkak i rënies së zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndi e dalë nga oxhaku.

Divjakë

Një 83-vjeçar humbi jetën pas një incidenti tragjik, pasi i ra në kokë një degë pishe.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Kryekuq të Divjakës, ku sipas policisë mësohet se viktimë ka mbetur i moshuari me inicialet H.M. Gjatë dëshmisë së tyre, familjarët thanë në polici se i moshuari ishte duke qëndruar në oborrin e banesës kur i ka rënë dega e pemës. Ndërkohë, policia vijon hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë