Aktualitet

Dreka me ambasadorët, Basha shmang pyetjen për Vlahutin: Duam qeveri teknike

Kreu i PD-së Lulzim Basha edhe sot është ulur për një drekë pune me Ambasadorët e vendeve të Bashkimit Europian.

Televizionet informative raportojnë se këtë herë në drekë me Bashën janë ambasadorët e Gjermanisë, Hungarisë, Polonisë, Kroacisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Holandës e Belgjikës. Të pranishëm në këtë drekë mësohet të jenë edhe aleatët e Partisë Demokratike, Fatmir Mediu, Nard Noka, Vangjel Dule, Agron Duka, Kreshnik Spahiu dhe Dashamir Shehu.

Lul basha

Në përfundim të takimit Basha ka thënë se i ka përsëritur ambasadorëve vendimin për të mos u tërhequr nga kërkesa e qeverisë teknike. “Diskutuam për gjendjen politike në vend dhe bashkë me përfaqësuesit e tjerë opozitarë bëmë të qartë vendimin tonë për të mos u tërhequr nga beteja qytetare dhe popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme deri në realizimin e kushtit të vetëm të opozitës që është një qeveri teknike me vullnet të gjerë politik për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky ishte një takim, një drekë pune në kuadrin e bashkëbisedimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe të frytshëm të opozitës së bashkuar me aleatët dhe parnerët tanë europianë.”

I pyetur nga gazetarët për mungesën e ambasadores Vlahutin në të dyja drekat, Basha dha një përgjigje diplomatike duke thënë se ka pasur edhe ambasadorë të tjerë që nuk ishin pjesë e drekës. “Kemi një bashkëbisedim të vazhdueshëm me partnerët dhe aleatët tanë europianë dhe amerikanë që vazhdojnë në të gjitha format dhe formatet. Kishte dhe mungesa të tjera është një bashkëbisedim i vazhdueshëm”, tha Basha./Copyright Tiranapost.al