• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 16 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Filma Të gjitha

    Drejtësia sipas Denzel Washingon: Në filmat e mi ka dhunë, sepse është një e keqe e domosdoshme


    “Të drejtosh është një pasion, si muzika apo sporti. Më pëlqen të punoj në grup, të bashkëpunoj me njerëz të etnive të ndryshme, me kultura dhe shtresa sociale të ndryshme. Më pëlqejnë të gjitha aspektet e produksionit, duke përfshirë edhe skenografinë apo kostumet. Nelson Mandela thoshte se një lider është si një pastor që lë të lirë grigjën e tij dhe e drejton nga prapa, duke mbyllur grupin.”

    “Njerëzit të vlerësojnë, Zoti të shpërblen. Mos e humbni toruan, kurrë mos u ekzaltoni. Kështu më thoshte gjithmonë mamaja ime dhe që atëherë unë ndjek këshillën e saj.” Denzel Washington është aktor, adhurues i teatrit, filantrop, një ikonë black entertainment dhe përgjatë karrierës së gjatë ka çuar në shtëpi dy Oscar, tre Golden Globe, një Tony dhe dy Arinj të Artë. Pavarësisht një pasurie që Forbes e vlerëson në rreth 300 milionë dollarë, vazhdon të jetë një prej aktorëve më të angazhuar në Hollywood.

    Denzel, a mund t’i quajmë dy filmat “The Equalizer”, filma për drejtësinë?
    Sipas meje po. Drejtësia është shumë e rëndësishme për mua, mbi të gjitha në një periudhë të vështirë politike si kjo, ku mijëra fëmijë ndahen nga prindërit vetëm se kanë kaluar kufirin në kërkim të një jete më të mirë. Ka plot njerëz aty jashtë që bëjnë monstruozitete dhe prapëseprapë ia hedhin paq.

    Në film ka shumë dhunë. Një e keqe e nevojshme?
    Është pjesë e realitetit. Do të ishte mirë ta shmangnim, por ka situata që dhuna është e nevojshme për të zgjidhur konfliktet. Historia na ka mësuar se Shtetet e Bashkuara nuk do të ekzistonin pa dhunë. Është pjesë e jona, ndoshta do të jetë përgjithmonë.

    Gjatë prezantimit të filmit "The equalizer 2"
    Gjatë prezantimit të filmit “The equalizer 2”

    Stërviteni në boks prej tridhjetë vitesh, çfarë ju është dashur të mësoni tjetër për këtë film?
    Të përdorja aplikacionin për car sharing dhe për fat nuk mu desh shumë kohë. Të bërit boks më ndihmon të qëndroj në formë të mirë fizike dhe gjithashtu është edhe një ushtrim i mirë mendor: truri duhet stimuluar.

    Interpretimi në “Malcolm X” mbetet një prej provave më të mëdha kinematografike. Para se të bëheshit aktor, a keni menduar të ndiqni shembullin e babait tuaj që ishte predikues?
    Përpara se t’i futesha kinematografisë, isha instruktor në “Boys&Girls Clubs of America” ku kam kaluar pjesën më të madhe të fëmijërisë, sepse mamaja ime nuk donte që t’i kaloja pasditet në rrugë, siç bënin shokët e mi. Kurrë nuk do ta kisha menduar se do të bëhesha aktor. Në vitet ’70 të recitoje do të thoshte të shkoje në New York dhe të punoje në teatër. Shumë më vonë zbulova se të drejtoje një film i ngjan shumë punës së mësuesit, ndaj më dukej sikur po kthehesha në punën time të vjetër.

    Në ç’kuptim?
    Të drejtosh është një pasion, si muzika apo sporti. Më pëlqen të punoj në grup, të bashkëpunoj me njerëz të etnive të ndryshme, me kultura dhe shtresa sociale të ndryshme. Më pëlqejnë të gjitha aspektet e produksionit, duke përfshirë edhe skenografinë apo kostumet. Nelson Mandela thoshte se një lider është si një pastor që lë të lirë grigjën e tij dhe e drejton nga prapa, duke mbyllur grupin.

    Kur lindi dashuria për kinemanë?
    Babai im nuk i vlerësonte filmat, sipas tij për të mësuar duhej lexuar vetëm Bibla. Nuk na çonte kurrë në kinema, gjithmonë rrinim në kishë. Gjatë viteve të universitetit nisa të bëj teatër dhe njëri pas tjetrit pashë të gjitha filmat e Dustin Hoffman, Al Pacinos dhe Robert De Niros. Hollyëood-i për mua ishte shumë i largët, e madje edhe sot mbetet në margjinat e jetës sime, ndërsa Biblën e lexoj ende çdo ditë. Çdo mëngjes ulem në gjunjë, lutem dhe falënderoj Zotin për gjithë sa më ka dhënë. Nuk duhet domosdoshmërish t’i përkasësh një grupimi fetar, mjaft të lidhësh trupin me mendjen.

    Çfarë babai është Denzeli me fëmijët e tij?
    Unë nuk jam si babai im, ai ishte me të vjetrën. Të tregoje dashuri, për të, ishte shenjë dobësie. Unë jam shumë krenar për fëmijët e mi.

    A është më e lehtë sot për një aktor me ngjyrë që të gjejë punë, në krahasim me periudhën kur filluat ju?
    Po, por mbetemi gjithmonë në minorancë. Për shumë gra afroamerikane mbetet ende e vështirë,sidomos pas një moshe të caktuar. Si regjisor përpiqem të ndihmoj aktorët e mirë, edhe pse ka role që ta diktojnë ngjyrën e lëkurës. Kur Steven Spielberg kërkonte aktorët për “Schindler’s List” duhej të zgjidhte domosdo Ralph Fiennes dhe jo mua sepse nuk ka pasur nazistë të zinj.

    Muzika është pasioni juaj më i madh. Çfarë ju pëlqen?
    Xhazi. Mes më të mëdhenjve më pëlqen shumë saksofonisti Pharoah Sanders, albumi i tij Elevation ishte i preferuari im kur isha 20 vjeç. Më pëlqejnë Angela Bofill, Patti LaBelle dhe Minnie Riperton, që për fat të keq nuk i kam takuar kurrë. Por kam pasur fatin të darkoj me Michael Jackson: ishte shpirt njeriu.

    Kënga që ju ndryshoi jetën?
    “What’s Going On” të Marvin Gaye, dhe jo vetëm për muzikën dhe tekstin. Ishte hera e parë që kam parë një afroamerikan të veshur në mënyrë aq cool, Gaye ishte i pari që veshi një këmishë xhins mbi bluzë./Shqipëruar nga Erjon Uka për Tiranapost.al

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]