Aktualitet

Drejtësia franceze flet sot për Haradinaj

Gjykata franceze në Colmar të enjten pritet të marrë një vendim në lidhje me rastin Ramush Haradinaj. Ish- kryeministri i Kosovës dhe kryetari i partisë politike, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit. Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte.

Nisur nga këto akuza, Prokuroria Speciale e Serbisë paraqiti dhe kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi. Pas seancave gjyqësore më 9 shkurt dhe 2 mars, tani vendimi i ri për Haradinajn do të merret këtë të enjte.

Haradinaj nuk shprehet shumë optimist se në seancën e radhës mund të ketë ndonjë vendim pozitiv për të. Ai ka përsëritur se pafajësia e tij është vërtetuar dy herë me proceset gjyqësore ndaj tij të zhvilluara në Gjykatën e Hagës.