• Shqip
  • English
  • E hënë, 23 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Kosova Të gjitha

    Dorëheqja e kryeministrit, e papranueshme. Haradinaj flet pas vendimit të Kushtetueses


    Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka cilësuar të papranueshme për interpretim kërkesën e kryeministrit në largim të Kosovës, Ramush Haradinaj, lidhur me definimin e kompetencave dhe funksionimit të Qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit.

    “Gjykata konkludoi se çështjet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës nuk hyjnë në fushëveprimin e jurisdiksionit të Gjykatës Kushtetuese, siç përcaktohet me nenin 113 të Kushtetutës. Rrjedhimisht, në pajtim me nenin 113, paragrafi 1, të Kushtetutës, dhe me rregullin 59 (2) të Rregullores së punës, Andaj, Gjykata njëzëri vendosi të deklaroj kërkesën të papranueshme”, thuhet në njoftimin e kësaj Gjykate.

    Lidhur me vendimin ka reaguar kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj, duke u shprehur se:

    “S’e kam lexuar vendimin. S’kërkojmë kompetenca. Ne kemi kërkuar zgjedhje, që mandati me iu kthy sovranit, e kjo ka ndodh. Por Kosova s’guxon të mbesë në vakum qeverisës. Për këtë arsye iu pata drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Për fat të mirë ka ndodh ajo që po kthehet vendimi te populli, por s’mundemi të mbesim pa qeveri. Kam dhënë dorëheqje në bazë të kushtetutës, e jo dezertim. S’mund të mbetet vendi pa kujdestar të temave të jetës”.

    Më 19 korrik, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës. Dorëheqja e tij pasoi ftesën që kishte marrë nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë, ku ishte ftuar për një intervistë në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

    Si pasojë e vendimit të Haradinajt për dorëheqje, Kuvendi i Kosovës është shpërndarë dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shpallur 6 tetorin si datë për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. /Tiranapost.al/

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690