Politikë

Dorëheqja e Haradinajt, reagojnë politikanët në Shqipëri

Dorëheqja e Haradinajt, reagojnë politikanët në

Dorëheqja e Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës ka sjellë reagime të politikanëve në Shqipëri.

Dorëheqja e Haradinajt, Majko: Akt që i bën nder Kosovës

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, thotë se "Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit si një burrë shteti”.

“Haradinaj kreu një akt që i bën nder Kosovës shtet që drejtohet nga shtetarë të cilët bëjnë dallimin e fatit personal me atë të sigurisë kombëtare. “Veprat e një njeriu vlejnë më shumë se dobësitë e tij. Sot jam me Ramushin! Të falenderoj komandant për shembullin e luftës, dhe sot në atë të paqes”, tha Majko.

Basha: Akti i një njeriu që ve Atdheun mbi gjithçka

Kryetari i Partisë Demokratike ka komentuar dorëheqjen e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Përmes një postimi në “Twitter”, Lulzim Basha e vlerëson këtë qëndrim të mbajtur nga kreu i qeverisë së Kosovës, duke e konsideruar dorëheqjen e tij si akt i një njeriu që ve atdheun mbi gjithçka.

“Dorëheqja e kryeministrit Ramush Haradinaj është akti i një njeriu që ve Atdheun mbi gjithçka. Ramushi i ka shërbyer gjithmonë me vetëmohim Kosovës, në ditë të mira dhe në ditë të këqija. Ramush Haradinaj është Kosova – Kosova e lirë, Kosova e pavarur, Kosova europiane. Askush dhe asgjë nuk e përdhos dot luftën çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën sublime të familjes Haradinaj në altarin e lirisë”, shkruan Basha.

Berisha: Një akt shtetar dinjitoz!

Në reagimin e tij, ish-kryeministri Sali Berisha e quan një akt shtetar dinjitoz dorëheqjen e Ramush Haradinajt.

Ja çfarë shkruan: "Miq, sot Kryeministri i Kosoves, Ramush Haradinaj dha doreheqjen pasi thirret per t’u intervistuar nga Gjykata Speciale e Hages. Duke shprehur vleresimin tim per aktin e tij prej shtetari te vertet shtoj ketu se kjo eshte hera e dyte qe z. Ramush Haradinaj jep ne menyre dinjitoze doreheqjen si Kryeminister i Kosoves dhe hera e trete qe ai paraqitet para Gjykates se Hages ne pergjigje te thirrjes se drejtesise nderkombetare. Ne dy rastet e mepareshme ai eshte gjetur i pafajshem. Komandant trim qe luftoi me heroizem kunder pushtuesve dhe ndihmoi dhe shpetoi qindra familje shqiptare nga barabarite serbe gjate luftes, shtetar me integritet dhe kryminister efiçent e adhetar i flakte, Ramush Haradinaj kundershtoi me guxim te madh projektin e Serbise se Madhe te Vuçiç, Zografit Bis, Miladinit shqipfoles dhe Baton Stanishiqit per çka dhe fitoi admirimin, mbeshtetjen e madhe te qytetareve te Kosoves dhe mbare kombit shqiptar. Me kete rast une shpreh nderimin tim te palekundur per vepren dhe aktin e tij burreror te kryeministrit te Kosoves dhe kryetarit te AAK Ramush Haradinajt dhe besimin e palekundur ne drejtesine nderkombetare, e cila e ka shpallur ate dy here te pafajshem. Une gjithashtu iu bej thirrje forcave politike ne Kosove, qytetareve te saj dhe mbare kombit shqiptar te kundershtojne me vendosmeri te palekundur te gjitha perpjekjet, prapaskenat per ndarjen dhe coptimin e Kosoves te projektit te Serbise se Madhe te Vuçiç, argateve te tij shqipfoles, albanofobe, Zografit Bis, Miladinit shqipfoles Baton Stanishiqit qe festojne sonte doreheqjen e Kryeministrit Ramush Haradinaj dhe thirrjen e tij nga Gjykata e Hages pasi kishin tek ai nje dige te pakapercyeshme".

Ditmir Bushati për dorëheqjen e Haradinajt: Forca e shembullit të një shtetari

Kanë qenë në të njëjtën linjë për çështjen e kufijve, dhe në reagimin e tij për dorëheqjen e Ramush Haradinaj, ish-ministri Bushati e quan jo vetëm luftëtarin, por edhe artizanin e paqes.

"Akti i dorëheqjes së Ramush Haradinajt si Kryeministër i Kosovës për tu ballafaquar sërish me drejtësinë është forca e shembullit të një shtetari për të cilin Kosova vjen gjithnjë e para. Jam i bindur që ky veprim do të lartësojë luftën e shenjtë për liri të Kosovës dhe kontributin e pamohueshëm të Ramush Haradinajt. Ramushi ka fituar luftën e përmes forcës së shembullit po dëshmon së është artizan i paqes. Sot, Kosova ka nevojë për unitet e largpamësi për të tejkaluar sfidat e brendshme e për të fuqizuar më tej subjektivitetin juridiko ndërkombëtar që duan t’ia vënë në pikëpyetje", shkruan Bushati.

Meta, mesazh për Haradinajn: Krenar për Ramush Haradinajn dhe i bindur në pafajësinë e tij!

Presidenti Ilir Meta reagon për vendimin e kryeministrit të Kosovës për t’u tërhequr nga posti i kryeministrit. Ai shprehet krenar për këtë vendim duke shprehur bindje për pafajësinë e tij.

Meta thotë se nuk ka pabesi që e thyen burrin e shtetit dhe heroin e kombit duke bërë thirrje që rajoni të qëndrojë i bashkuar për të ardhmen europiane.

“Krenar për Ramush Haradinajn dhe i bindur në pafajësinë e tij! Nuk ka pabesi dhe presion që e thyen Burrin e Shtetit dhe Heroin e Kombit! Nga sot të gjithë duhet të flemë më pak, të shqetësohemi më shumë dhe të bashkohemi më fort që Kosova dhe rajoni ynë të jenë të pacënuar në paqen dhe sigurinë tonë, si dhe në të ardhmen europiane”, thotë Meta.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dha sot dorëheqjen e parevokueshme nga detyra me arsyen se sipas tij, ka marrë thirrje nga Gjykata Speciale në Hagë si i dyshuar. /Tiranapost.al/

http://www.tiranapost.al/kryeministri-i-kosoves-ramush-haradinaj-jep-doreheqjen/