• Shqip
  • English
  • E hënë, 27 Maj 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Të gjitha

    Dokumentet/ Vëllai i Salianjit të ‘Babales’ së PD kontigjent kriminal në BE, 4 emrat e tij


    Pak ditë më parë, Parlamenti holandez i kërkoi Komisionit Evropian të pezullonte liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë për shkak të numrit të madh të emigrantëve shqiptarë që kryejnë krime. Opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike nxitoi të shfrytëzonte kritikat e ardhura nga Holanda, duke e akuzuar edhe ajo qeverinë e kryeministrit Edi Rama se ishte fajtore për emergjencën e kriminalitetit edhe nga emigrantët. Ndër përfaqësuesit e Partisë Demokratike që janë shprehur publikisht kundër fenomenit të emigrantëve kriminelë ishte edhe Ervin Salianji, i cili kishte qenë protagonist edhe i skandalit të famshëm të “Babales”, me përgjimet e supozuara ndaj vëllait me nënë tjetër të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Salianji kërkoi shumë herë dorëheqjen e Xhafajt pikërisht për shkak të lidhjes familjare me Agron Xhafajn, të dënuar në Itali për trafik droge dhe vëlla nga nëna i ish-ministrit.

    Por, një seri dokumentesh të zbuluar nga redaksia investigative e “Shqiptarja.com” tregojnë për herë të parë në mënyrë të pakundërshtueshme se ndërmjet emigrantëve shqiptarë që kryejnë krime dhe përbaltin imazhin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian është pikërisht një vëlla i Ervin Salianjit, i dënuar në fillim në Britaninë e Madhe dhe më pas i dëbuar nga Gjermania për vjedhje, i cili, sipas Policisë, kishte edhe lidhje me një trafikant kokaine me origjinë nga Korça. Ish-deputeti i PD Ervin Salianji fillimisht ka mohuar në emisionin “Opinion” vëllain e tij nga nëna. Ai ka debatuar me gazetarin Lorenc Vangjeli, i cili e pyeti a kishte Ervini një vëlla të dënuar jashtë Shqipërisë dhe me emër të ndryshuar. Salianji ka mohuar një gjë të tillë dhe ka qenë mjaft i ashpër dhe nervoz më pas, duke shkuar deri në kërcënime ndaj gazetarit.

    E vërteta, vëllai i Salianjit me tre emra- Nga verifikimet e bëra pranë gjendjes civile në ish-komunën Lozhan, e cila është drejtuar për tre mandate nga babai i Ervinit, Bujar Salianji, rezulton se ish-deputeti i Bashës ka një vëlla nga nëna. Sipas të dhënave zyrtare, personi tani quhet Alex Kacani, me emër të ndryshuar, ka lindur në Lozhan në vitin 1979 dhe është vëllai i madh i Ervin Salianjit nga martesa e parë e nënës të tij Shega, me Bedri Xhengon. Më pas ajo është martuar me Bujar Salianjin dhe ka dy djem, një prej të cilëve Ervini. Në fakt, emri i vërtetë është Klodian Xhengo, por, për shkak të problemeve me drejtësinë në vendet e Evropës ku ka qëndruar për disa kohë, ai ka ndryshuar gjeneralitetet e tij në Alex Kacani. Ai ka ndryshuar edhe emrin, edhe mbiemrin, për të fshehur çdo gjurmë të dënimit të tij. Fillimisht ka ndryshuar mbiemrin nga Xhengo në Kacani, në komunën Gorë më 14.01.2005, ndërsa emrin në Bulgarec më 28.01.2005. Pra, emri i parë i tij është Klodian Xhengo, i dyti është Klodian Kacani, i treti është Alex Kacani dhe i katërti Ajet Kacani. Ndërkohë, nga një dënim në Irlandën e Veriut, ai rezulton me emrin Ajet Kacani.

    Certifikata familjare- Sikundër provohen edhe nga dokumentet, edhe pse ish-deputeti demokrat është përpjekur që të fshehë vëllain e tij të madh, familja Salianji, sipas certifikatës familjare, përbëhet nga 5 persona, ku përfshihen çifti Bujar dhe Shegë Salianji, dy djemtë nga martesa e tyre Ervin dhe Xhenis Salianji si dhe djali tjetër, vëllai tyre Klodian Xhengo ardhur nga martesa e mëparshme e nënës së tyre Shega me Bujar Xhengon. Por me sa duket për shkak të problemeve me drejtësinë në vendet e Evropës ku ka qëndruar për disa kohë, ai ka ndryshuar gjeneralitetet e tij. Pikërisht e shkuara kriminale e të vëllait duket se ka detyruar ish-deputetin demokrat që, për hir të karrierës së tij politike, të shkojë gjer në mohimin e lidhjeve të gjakut me vëllain e tij, jo vetëm duke mos e përmendur, por gjer në mohimin e ekzistencës së tij.

    Zbulimi- Një seri dokumentesh të zbuluar nga redaksia investigative e Shqiptarja.com tregojnë për herë të parë në mënyrë të pakundërshtueshme se ndërmjet emigrantëve shqiptarë që kryejnë krime dhe përbaltin imazhin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian është pikërisht një vëlla i Ervin Salianjit.
    Emrat- Me sa duket, për shkak të problemeve me drejtësinë në vendet e Evropës ku ka qëndruar për disa kohë, vëllai i Salianjit ka ndryshuar gjeneralitetet e tij. Emri i parë i tij është Klodian Xhengo, i dyti është Klodian Kacani, i treti është Alex Kacani dhe i katërti Ajet Kacani.

    Marrëdhënia e Ervin Salianjit me vëllain e tij nga nëna- Ndonëse vëllezër nga nëna, duket se marrëdhënia e tyre me njëri–tjetrin nuk është shumë e mirë. Kjo për shkak të dënimeve që i vëllai i tij ka pasur në jo pak raste me drejtësinë, çka mund t’i rrezikonte edhe karrierën në politikë Ervin Salianjit. Në një intervistë të publikuar në media më 7 prill 2019, Salianji detyrohet të flasë për herë të parë për vëllain e tij dhe për marrëdhëniet që kanë. Duke mos dhënë shumë detaje për të, Ervin Salianji përpiqet që të shmangë pyetjen duke u përgjigjur se ato janë “gjëra personale”.“Këto janë gjëra personale, nuk besoj se i interesojnë publikut. Vihet në qendër të vëmendjes se si jetohet jeta e gjithsecili në privat, nuk besoj se do t’i bëj ndonjëherë publike. Ai është në jetën e tij, në punën e tij, me familjen e tij dhe me fëmijët e tij. Nuk jeton këtu, është emigrant, është tërësisht në punën e tij”, ka deklaruar Salianji.

    Standardi i dyfishtë i ndjekur nga Salianji- Ish-deputeti Ervin Salianji ishte caktuar nga PD për të sulmuar kundërshtarët e tij politikë. Por ndërsa ai është marrë me jetët dhe familjet e shumë prej kundërshtarëve të tij, familjarë të tij kanë probleme me ligjin. Mjafton të kujtojmë sulmet ndaj Taulant Ballës dhe Fatmir Xhafës dhe t’i krahasojmë ato me dënimet në disa shtete të vëllait të tij. I vetmi ndryshim është se Ervin Salianji është përpjekur që për hir të karrierës së tij politike, të mohojë ekzistencën e vëllait të tij. Salianji u investua fort duke sulmuar Fatmir Xhafajn për të vëllain, ndërsa në për rastin e vet, thotë se ‘këto janë gjëra personale’.

    Si ndryshoi tërësisht identitetin e tij vëllai i Salianjit i ndihmuar nga njerku? Ndryshimi i plotë i identitetit nga vëllai nga nëna i Ervin Salianjit ka ndodhur kur në pushtet ka qenë Partia Demokratike, ndërkohë që kryetar komune prej tre mandatesh ka qenë edhe vetë babai i ish-deputetit demokrat. Nga dokumentacioni rezulton se Klodian Xhengo, biri i Bedriut dhe Shegës, i datëlindjes 20.07.1979, lindur në Lozhan, Korçë është vëllai i madh nga nëna i Ervin Salianjit, i biri i Bujarit dhe Shegës, i datëlindjes 16.01.1998, lindur më Zvarisht, Korçë. Por në moshën 26-vjeçare ai vendos që të fillojë edhe ndryshimet e emrit, ku në një periudhë rekord arrin që të ndryshojë emër, mbiemër, vendbanim, duke krijuar në këtë mënyrë edhe një identitet tërësisht të ri, çka e bën atë të pamundur për t’u gjetur edhe nga organet ligjzbatuese.

    Me vendim nr. 3 datë 14.01.2005 Klodian Xhengo do të ndryshonte mbiemrin nga Xhengo në Kacani. Po në të njëjtën datë, pra më 14.01.2005 ka bërë ndarje familjare dhe ka kaluar më vete në regjistrin e Gjendjes Civile. Nuk ka kaluar shumë kohë, dhe 12 ditë më pas, pra më 26.01.2005 ka bërë transferimin në zyrën e gjendjes civile të ish-komunës Bulgarec (libri 8, fleta 18). Me kalimin te zyra e re e Gjendjes Civile në Bulgarec, vetëm 2 ditë më pas, me procesverbalin nr. 11 datë 28.01.2005 ka ndryshuar emrin nga Klodian në Alex. Në këtë mënyrë kemi një ndryshim të plotë të gjeneraliteteve kyçe të tij, duke u shndërruar nga Klodian Xhengo në Alex Kacani.

    Mbasi ka bërë këtë ndryshim të plotë të emrit dhe mbiemrit më 27.03.2008, ka bërë kalimin nga Gjendja Civile e komunës Bulgarec në gjendjen civile të ish-komunës Lozhan, Gorë, ku kryetar komune ishte Bujar Salianji, bashkëshorti i nënës së tij dhe babai i ish-deputetit demokrat Ervin Salianji. Krahas ndryshimeve të mësipërme shtetasi Klodian Xhengo alias Alex Kacani ka edhe një ndryshim tjetër të gjeneraliteteve të tij. Por kjo është një histori tjetër. / shqiptarja.com/ Tiranapost.al.