Aktualitet

Do shkurtohen afatet e shërbimeve në Zyrat e regjistrimit të pasurive të Paluajtshme

Do shkurtohen afatet e shërbimeve në Zyrat e regjistrimit të

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u ka premtuar përfaqësuesve të biznesit se shumë shpejt do të ketë një shkurtim të afateve për marrjen e shërbimeve më të kërkuara prej tyre në Zyrën e regjistrimit të pasurive të Paluajtshme.

Disa grupe interesi, me përfaqësues të ndërtuesve, bankave dhe dhomës së noterëve e kishin thirrur Ministren e Drejtësisë në një interpelance të kërkuar përmes platformës së bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al. Përpara tyre ministrja deklaroi se pranë sporteleve të ZRPP ka një fluks të madh kërkesash, që pritet të zgjidhen me shtimin e punonjësve, por edhe përmes ofrimit on line të shumë prej këtyre shërbimeve.

“Prioriteti ynë kryesor është përmirësimi i shërbimit ndaj kominitetit, qytetarëve dhe ndaj grupeve të caktuara të interesit. Me një cilësi shumë të mire dhe me një staf profesional ne po tentojmë që t’i japim një zgjidhje kësaj problematike që ka të bëjë me ofrimin e një shërbimi brenda një afati më të shpejtë se ai që përcakton ligji sot”, është shprehur ministrja Gjonaj.

Sipas ministres aktualisht ZRPP ofron një numër të madh shërbimet online, të cilat u vijnë në ndihmë kryesisht noterëve, zyrave përmbarimore dhe bankave, të cilat nuk kanë nevojë të shkojnë në sportelet e institucionit, por mund ti marrin këto shërbime direkt në zyrat e tyre. Ndërkohë që në ndihmë të biznesit janë çelur edhe sportelet e dedikuara, që u lehtësojnë marrjen e shërbimeve në një kohë sa më të shkurtër.

Nga përfaqësuesit e grupeve të interssit u kërkua përshpejtimi i afateve për marrjen e disa shërbimeve bazë, siç janë regjistrimi i Kontratave të shit-blerjes apo dhurim-shkëmbimit, bllokimet e pasurive për llogari të bankave dhe rifreskimi i kartelave të pasurive dhe hartave treguese.