• Shqip
  • English
  • E shtunë, 21 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Opinion Të gjitha

    Djallëzia e publikimit të pjesshëm të përgjimeve!


    Nga Albert Nikolla/

    Çdo publikim i përgjimeve të ndodhive politike shqiptare në një vend si Gjermania duhet shoqëruar përherë me një interpretim kulturor, pasi përndryshe shkaktojnë një shkandull të panevojshëm e të pakuptimtë për shoqërinë gjermane e perëndimore. Nuk është e mundur për një qytetar gjerman të hyjë  brenda dinamikave kulturore e antropologjike krejt të veçanta të shoqërisë shqiptare! Është krejt e pakonceptueshme që një gjerman të dëgjojë dikë të thotë: “do të fitoj 10 me 0 që të kënaqet kryetarja e partisë”! Por ndër militantët e partive shqiptare është aq normale sa ç’është çdo bisedë e lirshme kafenesh!

    Për marrëdhënien midis së vërtetës thelbësore dhe të vërtetave të pjesshme më vjen ndërmend një pasazh nga libri “Matinales” i shkrimtarit francez J. Sulivan:

    “E vërteta është si një pasqyrë e madhe prej qelqi e rrëzuar dhe e ndarë në njëmijë pjesëza. Njerëzit sulen të gjithë mbi pjesëzat, përkulen, secili syresh merr nga një copëz dhe duke e ngritur lart si një armë thërrasin: ”Kam në dorë të vërtetën”. Do të duhej, përkundrazi, të mblidheshin me kujdes e durim të gjitha copëzat, të bashkoheshin ndërmjet tyre dhe më në fund e vërteta do të shkëlqente sërish”.

     Po përse botohen këto copëza të vërtetash? Autori i shkrimit e tradhton veten që në krye të shkrimit mbi përgjimet! Në vend që të merret me argumentin e sidomos që të shpjegojë dinamikat kulturore, ai e fillon artikullin me:

    A lejohet të hyjë në BE ky vend? Shqipëria e dëshiron, Brukseli nuk ka gjë kundër dhe Gjermania e mbështet në parim çeljen e negociatave të pranimit të  shtetin ballkanik, duke i dëshmuar atij përparim të madh në demokratizim.”

    Kjo situatë i ka sjellë PS-së dhe Ramës përnjëmend mundësinë për t’u futur në histori për mirë në Shqipërinë e lodhur. Këto zgjedhje duhej të ishin trokllojra orëmirë e një shprese të re për çdo zelltar ndërtues që do të mirën e përbashkët. Por me sa duket po krijohen vija ndarëse mes të atyre që e duan dhe atyre që e përbaltin këtë vend!

    Historia i analizon gjërat me madhështinë e ngadalësinë e saj dhe, pas kohës që asaj i duhet, do të krijojë premisa për një përimtim të ngjarjeve që po përjetojmë. Një politikë që harron përkujdesjen ndaj qytetarëve të vendit të vet do të jetë e harruar nga historia, kjo gjykatëse e pamëshirshme dhe e pakorruptuar.

    Por kjo politikë rrënimtare është me fat të përcaktuar: nuk ka ta ardhme, sado e fuqishme t’i duket vetja në një periudhë të caktuar historike. Politika është përherë një projekt (projectum = i hedhur përpara) i lidhur me të ardhmen dhe me zhvillimin e qëndrueshëm, me atë që u lëmë si pajë fëmijëve tanë e pikërisht për këtë fakt përgjegjësia është e jashtëzakonshme. Një politikë që llogarit me pasion pjesëmarrjen e personave të dhunshëm në një protestë pa shikuar drejt së ardhmes nuk ka lidhje me historinë. Vetëm politikani zelltar e ndërtues do të mund të thotë: mbeta në histori, sepse tekembramja një zë i fortë dhe i brendshëm i ndërgjegjes më tha që të mos mbetem skllav lidhur prej gjalmave të dhunës, por munda të bëja diçka për të mirën e përbashkët./ Tiranapost.al.

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690