• Shqip
  • English
  • E diel, 20 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Kryesore Politikë Të gjitha

    Ditari i fushatës me Ditmir Bushatin


    *Intervista e plotë e transkriptuar*

    Pse flet gjatë fushatës Ditmiri në dialekt?  

    Ditmir Bushati: Tani duhet të them një gjë që nuk përbën sekret. Në familjen time është folur gjithmonë gegënisht për shkak se të dy prindërit janë shkodranë, unë vetë kam lindur në Shkodër, jam larguar në një moshë apo në një periudhë shumë të hershme. Por ime më gjithmonë ka insistuar që kudo ku ne kemi jetuar, në shtëpi të flitet gegërisht. Dhe ne me njëri-tjetrin në familje flasim pak a shumë këtë lloj dialekti, edhe me motrën e madhe që sot për sot nuk jeton në Shqipëri. Më pas në raport me njerëzit e tjerë unë përpiqem t’i qëndroj gjuhës letrare, por mendoj se nuk përbën problem që diku tjetër mund të jetë dukur pak i çuditshëm fakti që unë po flas në dialekt, për sa kohë as nuk më shkon mendja të shtrembëroj shqipen.

    Hera dhe Martini nuk flasin gegënisht për hir të së vërtetës. Martini e ka më të theksuar idenë e përkatësie shkodrane. Nuk e di se nga i buron, ndoshta nga fakti që ime më e mëkon me këtë lloj ideje dhe meqenëse ai shpenzon një pjesë të mirë të kohës me time më. Refreni kryesor që më ka bërë përshtypje gjatë gjithë kësaj periudhe në Shkodër është që kur i pyet si je të thonë “Si n’Shkodër”.

    bushati 6 ok

    Mira Kazhani: Çfarë do me thënë, “Si në Shkodër”.

    Ditmir Bushati: Kjo është një shprehje tradicionale. Dikur ka qenë e lidhur me veçantitë që kishte Shkodra, si djepi i kulturës, si një vend ku bëhej qejf, si një vend ku ata që konsideroheshin jabanxhij apo që ishin të ardhur për arsye nga më të ndryshmet gjenin një ambient shumë miqësor në Shkodër. Sot mendoj që kur më përgjigjen “Si n’Shkodër” është deri diku sinonimi i një lloj pesimizmi dhe skepticizmi për punët në qytet dhe këtu i referohem kryesisht qytetit të Shkodrës. Një lloj mosbesimi ndaj politikës.

    E para më duhet të them që si shqiptar, si qytetar i këtij vendi unë jam shumë i interesuar që gjithë Shqipëria të ketë një zhvillim sa më të qëndrueshëm dhe sa më të njëtrajtshëm. Por nga ana tjetër është fakt dhe nuk përbën përjashtim që edhe në vende të tjera si: Itali, Gjermani, Francë ka rajone të ndryshme, ka zona të ndryshme që nuk kanë të njëjtin zhvillim, sidomos në kuptimin ekonomik të fjalës. Por kur vjen puna te veriu i Shqipërisë mendoj që të gjitha forcat politike kanë një përgjegjësi të madhe, duke përfshirë edhe forcën politike që unë përfaqësoj dhe ku unë militoj, për mënyrën se si e kanë parë një pjesë të veriut.

    Në rast se vjen në Shkodër, të bën përshtypje fakti, tek Muzeu Dioqezan, që Shkodra e 100 viteve e 200 viteve ishte me njerëz jashtëzakonisht të shkolluar. Po të shohësh gjithë emrat që janë renditur në atë muze, nuk do të gjesh njerëz që janë pa dy apo tre diploma, pa katër apo pesë gjuhë të huaja, të gjithë të shkolluar në Itali, Austri apo vende të ndryshme. Në rast se i referohemi prapë Shkodrës si qytet, është një qytet ku perandoria austro-hungareze ka lënë gjurmët e saj. Nuk ka një qytet të dytë në Shqipëri që t’i ketë lënë gjurmët si në Shkodër.

    Unë deri më sot kam bërë fushatë vetëm në Tiranë, dhe kjo është eksperienca e parë jashtë Tirane në një qark siç është Shkodra. Në vitet e kaluara nuk është se PS ka marrë atë rezultat që ne do të dëshironim që të kishim. Pra qarku ka vështirësitë e veta, ka sfidat e veta. Mund të them vetëm një gjë që është interesante.

    bushati 1 ok

    *Nga udhëtimet me avion sa në një cep të botës në tjetrin, në Shkodër

    Për një ministër të jashtëm çështja e timezone-s apo çështja e kohës është deri diku e imponuar për shkak të fluturimeve, sepse në një moment të caktuar duhet të jesh në një kontinent, pastaj në një tjetër. Mund të jesh në zyrë në Shqipëri, ose mund të jesh gjithë kohën jashtë Shqipërisë. Por kjo ka ndikimet e veta tek pjesa e gjumit dhe e pushimit. Në Shkodër unë kam një timezone pak a shumë sikur jam nëpër fluturime.

    *Çfarë e ka mahnitur atë në Shkodër?

    Të të them, në Theth unë kam parë zona dhe shtëpi që nuk i kam parë as në Zvicër, as në Gjermani, as në Austri.

    *A mban ai ditar?

    Shënime është e vështirë për të mbajtur, por çdo ditë nxjerr nga një mësim nga fushata dhe përpiqem që t’i shënoj diku këto mësime. Ka momente që fushata të sjell shumë kënaqësi, ka momente kur fushata të….

    Mira Kazhani: T’i bën nervat tel. Të janë bërë ndonjëherë nervat tel?

    Ditmir Bushati: Nervat tel bëhen për shkak të mungesës së gjumit. Mbas katër viteve punë me stafin, kam përshtypjen që stafi im m’i njeh mirë aspektet e mia pozitive dhe të metat e mia, sepse nuk ka njeri që nuk ka të meta.

    Mira Kazhani: Më thuaj një të metë?

    Ditmir Bushati: Po njeriu e ka të vështirë që të flasë për të metat e veta, më tepër flasin të tjerët për të metat e mia, sepse varet edhe se si më shikojnë. Por në qoftë se është një e metë apo e mirë e imja, unë asnjëherë nuk kënaqem me atë çka bëj dhe shpesh më thonë se unë asnjëherë nuk jetoj në të tashmen. Kjo është ndoshta esenca e të gjitha çështjeve të tjera apo e raporteve që unë përpiqem të vendos me njerëzit.

     

    bushati 2 ok

    *Çfarë mendon ai për politikën si profesion

    Një politikan në Shqipëri është i vendosur përballë dy zgjedhjeve. Duhet të zgjedhë gjithnjë të keqen më të vogël. E kam kuptuar ndoshta me pak vonesë edhe unë, për shkak të naivitetit apo idealizmit, që idealja dhe mundësitë reale nuk janë e njëjta gjë dhe sidomos në politikë.

    Ka një shprehje shumë të famshme, Henry Kissinger dhe unë i referohem shumë atij edhe në politikë ndërkombëtare, por edhe në jetën e përditshme tek biografia që i shkruan “Walter Isaacson”, thotë një shprehje shumë interesante, ku në politikë dhe në botën akademike, shanset për sukses janë shumë të kufizuara, dhe në fund të ditës vetëm një grup njerëzish arrijnë të dalin në sipërfaqe. Kjo është arsyeja përse në politike apo në botën akademike ka shumë më tepër intriga, ka shumë më tepër bërryla dhe ka shumë më tepër turbulenca. Është e vështirë për të dhënë një recetë për përballimin e intrigave. Unë përpiqem që të qëndroj në korsinë time.

    Ndoshta nuk e kisha menduar ndonjëherë që nuk ishte thjesht një përballje idesh, por do të duhet të kishte edhe përballje në çështje të tjera dhe që kanë lidhje kryesisht me mentalitetin. Por unë gjithmonë besoj tek fuqia e elitave. Pra elitat duhet të japin shembullin që janë të gatshme për ta ndryshuar vendin. Të paktën ky është mësimi që unë kam nxjerrë edhe nga kontaktet, edhe nga eksperienca.

    Mira Kazhani: J’ua thua dot atyre në Han të Hotit, në Muriqan dhe atij që po kërkon thjesht të sigurojë bukën?

    Ditmir Bushati: Këtë ja them vetes, Edi Ramës. Këtë ja them të gjithë njerëzve apo ekipit kryesor që drejton këtë fushatë, apo që drejton Partinë Socialiste sepse ndryshimi duhet të vije vetëm përmes nesh. Nuk vjen dot ndryshimi nga njerëzit. Pra në rast se Edi Rama dhe Lulzim Basha bënë një marrëveshje politike, sot për sot pavarësisht kritikave që vijnë nga kampet respektove pavarësisht kritikave që vijnë nga presidenti i zgjedhur. Sot për sot ne kemi një ambient të relaksuar politik në Shqipëri. Më beso deri në këto momente që flasim Shqipëria më ngjan me Republikën Çeke me Hungarinë apo me Poloninë. Pra në një vend ku një turist i huaj në rast se nuk di shqip, në rast se nuk ka një guidë turistike me vete për ta orientuar, nuk e kupton që jemi në fushatë zgjedhore. Këmishët unë i çoj në një pastrim kimik në Tiranë, ndërsa për sa i përket rrobave të tjera kam shumë njerëz që më ndihmojnë.

    Mua më pëlqejnë këmishat pak më shumë se T-shirtet. T-shirt i vesh vetëm aty ku duhet ta bej shumë të qartë që është vetëm vota për numrin dy dhe për askënd tjetër që në mënyrë diversive flet në emër të Edi Ramës dhe meqenëse Endri Fuga nuk e bën mirë punën e vet detyrohem të flas unë pastaj në emër të Edi Ramës.

    Mira Kazhani: Mesazh për Fugën ky?

    Ditmir Bushati: Po

    (Qeshin)

    Mira Kazhani: Je pak cinik thonë…

    Ditmir Bushati: Është përtej meje.

    bushati 3 ok

    *Si e nis ditën

    Në mëngjes gjëja e parë që bëj flas telefon me Aidën, përpiqem të flas në telefon me kalamajt e mi nëse ata nuk kanë ikur në shkollë.

    Mira Kazhani: Të jep këshilla Aida?

    Ditmir Bushati: Normalisht, normalisht. Përgjithësisht këshillat që vijnë nga Aida janë për më shumë qetësi, për të gjetur gjuhën e përbashkët,etj, etj. Flas me time më, unë jam djalë mami si i thonë…Ndonjëherë flas dhe me babain tim, i cili aktualisht është në Amerikë. Më pas ka njerëz të ndryshëm  për të cilët unë komunikoj, s’diskutohet është ekipi, lista e kandidatëve për deputet. Nuk diskutohet Edi Rama, jemi në kontakt të vazhdueshëm, për problematikën, për dinamikën dhe me një pjesë të mirë të kolegëve të mi që janë nëpër qarqet e tjera.

    *Hera (e bija)ka ditëlindjen në 23 qershor dhe babi është në fushatë…Ndërsa Martini (i biri) që tani ja thotë politikës

    Ne do t’ i bëjmë një surprizë Herës meqenëse ka 10 vjetorin. Ajo është gëzimi i parë në familjen tonë. Në 23 qershor para katër viteve ishin zgjedhjet parlamentare dhe për fat të keq Herës i qëllon gjithmonë ditëlindja që të ketë një ballafaqim elektoral, por ne do t’i bëjmë një surprizë asaj. Më ka bërë përshtypje që këtë fushatë Hera ka qenë shumë e vëmendshme ndaj halleve dhe shqetësimeve të mia, sepse praktikisht Hera është një fëmijë i pandikuar nga politika, është e pa interesuar. Ndoshta e kemi pasur të vështirë për t’i shpjeguar edhe se çfarë pune bëj unë. Çka nuk është e njëjta gjë me Martinin. Pavarësisht se është 5 vite më i vogël, ai është më i dhënë dhe kap tek-tuk fraza duke dëgjuar lajmet apo emisione të ndryshme më media.

    Kjo fushatë duket që i ka bërë disi më të ndërgjegjshëm, dhe shpesh edhe pyesin për çështje që unë habitem. I kisha së bashku me Aidën në mitingun përmbyllës në Shkodër dhe ata u habitën nga masiviteti dhe pjesëmarrja në një miting, sepse edhe për ata ishte për herë të parë.

    *Ai vishet me këmisha si Justin Trudeau por është fans i një tjetër politikani të huaj

    Justin Trudeau e kam takuar në NATO, kemi bërë edhe një selfie, por për hir të së vërtetës më duhet të them që mua më tërheq më shumë Macron.

    bushati trudeau

     

    *PR sa i domosdoshëm është sot

    PR është shumë i domosdoshëm por duhet të kesh substancë për të shkuar tek PR. Ndërkohë që po të kesh PR dhe nuk ke substancë është shumë e vështirë për të pasur sukses. Megjithatë unë mendoj që çdo gjë sot për sot është shumë e lidhur me komunikimin. Bota digjitale po na dembelos të gjithëve. Por në një mënyrë apo në një tjetër, në fushatë njerëzit janë pragmatist dhe detyrohen për të përçuar mesazhe që mund të klikojnë sa më shumë tek njerëzit.

    *Ku është me aktiv ai? Në Twitter, Facebook apo Instagram

    Twitter-in unë e mbaj vetë, e menaxhoj vetë 100%. Facebook-un herë vetë, herë stafi, Instagramin ma menaxhon stafi. Por përgjigjet…

    Mira Kazhani: Domethënë nuk je ti Ditmiri i Instagram-it?

    Ditmir Bushati: Nuk jam unë Ditmiri i Instagram-it, por jam i vëmendshëm për të parë gjërat që hidhen atje apo për të parë reagimet që kanë njerëzit. Në Facebook mua më pëlqen që të dukem dhe t’iu kthej përgjigje njerëzve. Aty ka tre kategori njerëzish: Janë mbështetësit, janë kategoria e skeptikëve apo atyre që kërkojnë përgjigje për tema të caktuara për çështje konkrete, ka edhe mllefaxhinj dhe njerëz  që meren me llafe…

    Mira Kazhani: Si ua bën atyre?

    Dimtir Bushati: I lë…Tani ia kam marrë dorën. Më kujtohet një futbollist i famshëm që thoshte: “Ne na mësojnë trajnerët që të mos i lexojmë fare gazetat sportive, sepse nëse do i lexonim apo nëse do merreshim me reagimet e tifozëve nuk do ta kishim mendjen në fushë.” Kështu unë përpiqem që të jem racional në këtë pikë.

    Pse të shkosh në Shkodër sipas tij

    Për mua testi më i rëndësishëm është fakti që sa nga miqtë e mi, jo shkodranë ose njerëz që kanë lidhje me Shkodrën, shpenzojnë një të diel në Shirokë apo në Zogaj për të ngrënë një tavë krapi, se sa në Pogradec, sepse është më afër. Nuk dua të dukem e as të ngjaj lokalist por është më afër si rrugë, e para dhe e dyta peshku është më i shijshëm, ngjala, krapi. Dhe ke edhe disa mundësi të tjera që nuk i ke nëpër vende të tjera.

    Mira Kazhani: Po më duket se je bërë një makinë fushate. I tmerrshëm.

    Ditmir Bushati: I tmerrshëm nuk do thoja por normal. Më pëlqejnë shumë normalët

    *A dini kush e ka futur në politikë Ditmir Bushatin?

    E para sepse e kam pasur ambicie të brendshme gjithmonë por më duhet ta them dhe do ta them deri në ditën e fundit që do jem në politikë aktiv, që ishte Edi Rama ai që ma zbuloi dhe ma shtoi më tej këtë ambicie.

    Njerëzit mund të më kritikojnë për shumë gjëra por vetëm për servil nuk më njeh njeri. Me aq sa e njoh Ramën është personi i vetëm në Shqipëri që ka kontaktuar shumë njerëz të niveleve të ndryshme për t’i nxitur që të bëheshin pjesë e projektit të tij. Një prej të cilëve kam qenë edhe unë. Një ditë të bukur, pa njohje personale fare më ka rënë telefoni dhe më ka kërkuar që të pinim një kafe shumë herët. Unë madje në atë kohë punoja në administratën publike dhe atëherë u emocionova shumë sepse pavarësisht se ai ishte lideri i opozitës dhe pavarësisht se Shqipëria e asaj kohe nuk është e njëjtë me atë që është sot, mund të them se ishte ai që më nxiti që unë të hidhja hapin dhe t’iu bashkoja PS-së.bushati 5 ok

    *Çfarë e relakson atë?

    Po të pyesësh stafin tim, kam përshtypjen se do të thonë që ai asnjëherë nuk relaksohet dhe se gjithmonë është në lëvizje, por mua padiskutim më pëlqen deti, jam një shqiptar tipik.

    *Të jesh Ministër i Jashtëm dhe një jetë me protokoll…

    Jeta me protokoll me butona dhe me kollare është gjithashtu një jetë interesante, sepse unë e konsideroj veten me fat. E para unë kam takuar njerëz që sado i zoti të jem, sado i ditur të jem, sado i pasur të jem nuk do të kisha kurrë mundësi t’i takoja.

    *Cili personalitet botëror i ka dhënë një këshillë që i ka bërë më shumë përshtypje

    Në qoftë se tani do të duhet të përgjigjesha, mund të them që një bisedë me Prodin, dy herë kryeministër, President i Komisionit Europian, nuk do ta harroj kurrë atë bisedë shumë intime, ku një nga frazat që më pati thënë ishe që në “politikë nganjëherë duhet të jesh budalla biri im”. Kjo më ka bërë që të kthehem dhe të rikthehem, të flas për Prodin, një njeri shumë i shkolluar, shumë i ditur. Një njeri që bashkoi sa e sa parti, nga e majta në qendër e rrëzoi dy herë Berluskonin në ballafaqim elektoral, mbajti bashkë Europën. Shpiku të famshmin status-kandidat duke e diferencuar nga procesi i negociatave për të shpëtuar nga flakët Maqedoninë. Pra ishte një njeri shumë i ditur, dhe pasi folëm shumë, ishim në zyrën time, por një nga shprehjet që më goditi ishte që në “politike ndonjëherë duhet të jesh budalla biri im”.

    Copyright Tiranapost.al

    *E drejta për ribotim vetëm me lejen e editorit të Tiranapost.al

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]