Aktualitet

Dita e parë e punës së ministrave të rinj, nis me largimin e stafit

Zv/kryeministrja dhe gjashtë ministrat teknikë të Qeverisë Rama e kanë nisur me pushime nga puna ditën e tyre të parë.

E para që ka mbërritur në zyrë është zv/kryeministrja Ledina Mandia. Duke qenë se ajo ka staf në organikën e kryeministrisë dhe jo të mëvetshme siç kanë 6 ministrat, ajo nuk ka pasur mundësi të pushojë nga puna.

Më pas ishte ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj i cili është pritur në zyrë nga ish-ministri Fatmir Xhafaj. Shkarkimeve në këtë ministri u ka paraprirë Xhafaj, i cili para se të largohej, ka liruar të gjithë stafin politik të tij.

Ndërsa ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi ka zhvilluar mbledhjen e parë në zyrën e Petrit Vasilit, ku është njohur me dorëheqjen e shefit të kabinetit, Bledi Dervishaj. Më pas, Bardhi ka thirrur në mbledhje 5 këshilltarët e tjerë duke iu kërkuar dorëheqjen.

Ministrja e Financave, Helga Vukaj ka bërë një mbledhje me stafin aktual, teksa një pjesë e këshilltarëve kishin dorëzuar dorëheqjen menjëherë pas largimit të Ahmetajt.

Po ashtu detyrën e ka marrë edhe Mirela Karabino, Ministër i Arsimit dhe Sportit, por nuk mësohen zëvendësime që në ditën e parë.

Detyrën dje e kanë marrë edhe Ministri i Shëndetësisë Arben Beqiri dhe Ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Xhuljeta Kërtusha. Stafet e tyre mësohet se janë të njëjtët, pra nuk kanë bërë ndryshime./ E.D/ Coypright Tiranapost.al