Libra Te gjitha

Dilemat e një prindi me fëmijë handikapatë – Jean Louis Fournier


Mateoja me Tomin flenë, unë rri e i vështroj.
Ç’po ëndërrojnë ata?
A shohin ëndrra si të tjerët?
Ndoshta natën ëndërrojnë sikur janë inteligjentë.
Ndoshta natën ata shpaguhen, shohin ëndrra njerëzish me dhunti të pazakontë.
Ndoshta natën ata janë studentë shkollash të larta nga më të vështirat, shkencëtarë që bëjnë kërkime dhe zbulojnë gjëra të mëdha.
Ndoshta natën ata zbulojnë ligje, parime, postulate, teorema.
Ndoshta natën ata bëjnë përllogaritje të ndërlikuara që asnjëherë nuk mbarojnë.
Ndoshta natën ata flasin greqisht dhe latinisht.
Por me të zbardhur dita, në mënyrë që askush të mos dyshojë dhe të mos i bezdisë, ata marrin sërish një pamje fëmijësh handikapatë. Që të tjerët t’i lënë të qetë, ata shtiren sikur nuk dinë të flasin. Kur dikush u drejtohet atyre, ata bëjnë sikur nuk kuptojnë që të mos jenë të detyruar të përgjigjen.
Ata nuk kanë dëshirë të shkojnë në shkollë, të bëjnë detyrat, të përgatisin mësimet.
Duhen kuptuar, ata janë të detyruar të jenë seriozë tërë natën, pra edhe gjatë ditës, kanë nevojë të çlodhen. Atëherë bëjnë marrëzira.

* Jean Louis Fournier është shkrimtar, skenarist dhe regjisor francez. Pjesa e shkëputur është nga libri “Ku do shkojmë o ba?” ku ai me humor të zi përshkruan ndjesitë që përjeton nga dy fëmijët e tij handikapatë, Mateo dhe Tomi. Libri është përkthyer në shqip nga Edmond Tupja, ndërsa në Francë ka fituar çmimin prestigjioz “Prix Femina”.

Komento:

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *