• Shqip
  • English
  • E diel, 8 Dhjetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Botë Kryesore Të gjitha

    Diçka po zihet në Shtëpinë e Bardhë dhe fajin e ka Ukraina


    Mësoni se si një telefonatë me homologun ukrainas nxiti hetimin zyrtar për shkarkimin e Donald Trump.

    Përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara kanë nisur procedurat për shkarkimin e Donald Trump, pas zbardhjes së një telefonate shumë problematike mes tij dhe presidentit të Ukrainës Volodomir Zelenski të bërë më 25 korrik.

    Gjatë kësaj telefonate të zbardhur e të publikuar me pahir nga Shtëpia e Bardhë, Trump i kërkon Zelenskit të nisë një hetim mbi ndërhyrjet e Joe Biden në politikën e brendshme të Ukrainës për të mbrojtur të birin, biznesmenin Hunter Biden. Joe Biden shpreson të jetë kandidatura e ardhshme e Demokratëve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

    Çfarë gabimi të rëndë ka bërë Trump?

    Thënë shkoqur, presidenti Donald Trump i ka kërkuar një vendt të huaj të ndërmarrë një hetim ndaj kundërshtarit të tij të mundshëm në zgjedhjet presidenciale.

    Ai besohet të ketë kërcënuar Ukrainën se do të pezullojë aprovimin në Kongres të një pakete financiare ndihme për Kievin, nëse ky i fundit nuk i sjell Trump-it fakte dhe të dhëna për ndërhyrjen e Biden në ndihmë të të birit. Shtëpia e Bardhë nuk sheh asnjë shkelje në këtë mes. Përkundrazi problemin e sheh tek veprat e Biden.

    Një letër anonime zbuloi skandalin

    Trump dhe avokati i tij Rudi Xhuliani pretendojnë se në kohën kur Biden ishte zëvendës president kërcënoi të ndërpriste ndihmën financiare dhe ushtarake ndaj Ukrainës nëse kjo e fundit nuk pushonte nga detyra prokurorin e përgjithshëm i cili kishte nisur një hetim ndaj kompanisë së gazit Burisma që udhëhiqej nga i biri.

    Gjithçka nisi  në Gusht të këtij viti. Një zyrtar i inteligjencës amerikane bëri një ankesë në rangjet më të larta të CIA’s dhe ngrinte shqetëismin se “Presidenti i Shteteve të Bashkuara po keqpërdorte pushtetin e tij për të lejuar ndërhyrjen e një shteti të huaj në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.”

    Në letrën prej 9 faqesh të formuluar mjaft mirë dhe qartë pretendohej se presidenti Trump dhe avokati i tij prej muajsh po ushtronin presion ndaj Ukrainës për të hetuar Biden dhe të birin Hunter.

    Një pjesë e presionit, thuhej në letër, është bërë publikisht dhe një pjesë tjetër pas dyerve të mbyllura.

    Shtëpia e Bardhë u detyrua të publikonte bisedën e zbardhur, pavarësisht përpjekjeve për të fshirë disa tema të nxehta të saj që konfirmonin pretendimet e letrës anonime.

    Çfarë u tha gjatë telefonatës?

    Në telefonatën me presidentin Ukrainas, Trump citohet të ketë thënë: ‘Këtu po flitet shumë për djalin e Biden. Thuhet se Biden arriti të pengojë hetimin ndaj të birit. Ka shumë interes për të mësuar çfarë ka ndodhur në të vërtetë, ndaj bëj sa të mundesh me prokurorin e përgjithshëm. Biden po mburret këndej që arriti të ndalonte hetimin duke ndërhyrë tek prokurori, ndaj nëse arrin të zbulosh diçka do të ishte mirë. E gjithë kjo më duket e tmerrshme!”

    Gjatë telefonatës, Trump  ka lënë të kuptohej se për këtë çështje, presidenti Ukrainës do të kishte komunikime të mëtejshme me Rudi Xhulianin dhe prokurorin e përgjithshëm të SHBA-ve.

    Çfarë ndodhi pas publikimit të letrës?

    Pas telefonatës dhe pas publikimit të letrës, zyrtarë të Shteteve të Bashkuara u vunë në lëvizje për të klasifikuar si sekret çdo të dhënë për këtë telefonatë, veçanërisht zbardhjen fjalë për fjalë të saj.

    Avokatët e Shtëpisë së Bardhë urdhëruan punonjësit të eliminonin çdo transkript elektronik të telefonatës që ai të mos qarkullonte shumë në rangjet qeveritare.Në vend të transcriptit fjalë për fjalë, u publikua një përmbledhje e përgjithshme e telefonatës.

    Më pas, skandali shpërtheu dhe Shtëpia e Bardhë publikoi variantin fjalë për fjalë të takimit ku Trump e quante kërkesën e tij për hetimin e Biden si një nder.

    Sa të vërteta janë akuzat ndaj Biden?

    Deri më tani, ekspertët më në zë të politikës në Shtetet e Bashkuara thonë që pretendimet nuk janë të vërteta.

    Ajo që dihet është se Biden ka kërcënuar Kievin se nëse nuk do të shkarkonte prokurorin e përgjithshëm Viktor Shokin që po pengonte luftën kundër korrupsionit, atëherë Shtetet e Bashkuara nuk do ta ndihmonin Ukrainën. Të njëjtin kërcënim e ka bërë edhe shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christinë Lagarde.  Shumë aleatë perëndimorë të Ukrainës besonin Shokin nuk ishte efikas dhe përbënte pengesë për reformat në vend dhe ndërmarrjen e shumë hetimeve kundër korrupsionit në qeveri.

    Në Mars të vitit 2016, si pasojë e presionit të madh ndërkombëtar, Ukraina vendosi të shkarkojë prokurorin. Disa media amerikane thonë se prokurori në fjalë nuk kishte nisur asnjë hetim ndaj kompanisë Burisma Holdings e cila e paguante Hunter Bidenin me 50,000 USD në muaj. CNN nga ana tjetër thotë se ka pasur një hetim të tillë por që është mbyllur shumë kohë përpara se çështja e korrupsionit në prokurorinë e përgjithshme të Kievit të merrte dhenë./Tiranapost.al/

     

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post