25 Rreshtat e Mirës

Diçka personale me shpifjen

Diçka personale me shpifjen

"Edhe ty që të vranë më shpifje, edhe ti thua 'Jo'?!.." Ishte vetëm një nga mesazhet në inbox, pas një komenti tim kritik në studion e ‘Euronews Albania’ për ligjin anti-shpifje.

Po, edhe unë them "Jo", sepse kur bëhet fjalë për një ligj që pritet të definojë të ardhmen e lirisë së shprehjes, nuk është personalja, as emocionalja, por profesionalja dhe racionalja, që predominojnë.

Ligji për median ose siç e dëgjojmë prej një viti paketa anti-shpifje mund të jetë sot një ligj i pastër dhe që nuk i pikon asnjë gërmë. Por kështu u tha edhe pardje, edhe para një jave, edhe para natës së mbrëmshme, kur janë bërë korrigjime në një masë të madhe, me ndërhyrjen e institucioneve ndërkombëtare, por edhe prej presionit në Tiranë.

Një ligji që është përditësuar natën para votimit do ishte mirë t’i jepej kohë, qoftë edhe taktikisht.

Një ligj që vjen me shembuj personalë e emocionalë mbetet i paragjykuar dhe sikundër çdo lloj ligji mbi median dhe lirinë e shprehjes në të gjitha format, do të haste në kundërshti nga zevzekët e medias, le pastaj shpifësit e ata që unë preferoj të mos i quaj gazetarë por ngatërrestarë.

Edi Rama, edhe sikur ta çonte në Vatikan, ne prapë në shumicë do thoshim "Jo"! Dhe jo vetëm ne të këtyre anëve. Ky është një debat që zor të fitohet edhe në vende të zhvilluara, për shkak të sensibilitetit që krijon gjithnjë ‘fjala e lirë’.

Nuk mendoj asesi se një ligj mund të krijohet për të mbytur fjalën e lirë në një kohë me kaq shumë alternativa për informacion, por mekanizmi që propozon qeveria për të luftuar shpifjen duke shkulur barin e keq mund të shkulë edhe barin e mirë, ose siç themi ne, të digjet i njomi me të thatin.

Që media online dhe ajo e frekuencave sot është një bishë pa kokë, kjo s'ka asnjë dyshim. Sikundër s'ka asnjë shans që gazetarët të ulen e ta vetërregullojnë atë.

Ne gazetarët kemi qenë viktima të shpifjeve tona, të luftës ndaj njëri-tjetrit, të mungesës së solidaritetit. Nuk kemi luftuar dhe nuk do luftojmë me gjasë për rregullimin e medias. Nëse ne jo, kush?

Një ligj? Po, në mos e rregullon, mpreh receptorët dhe nxit ndërgjegjësimin që fjalën s'e lëshon si lopa bajgën. E bën këtë ky ligji i propozuar nga qeveria Rama? Po, e bën. Pse po i themi "Jo"? Ose... prit pak... Jo kështu. Kryeministri, edhe nëse ka të drejtë, s'duhet t'ia lejojë vetes pozitat e babait shpirtëror të kombit. Ai është një politikan, që nesër mund të mos jetë në zyrën e tij. Sot ai del garant, po nesër? Ai duhet të pyesë, presë e ta bëjë atë duke përfshirë të gjithë aktorët edhe në qofshin ata ne gazetarët që kemi shpifë e jemi shpifë. Që shpifja është një vepër penale e ndyrë, e dhimbshme, e padurueshme, e pandëshkuar deri më sot, është e qartë si drita e diellit. Shpifja është e poshtër, lëndon këdo nga ne, edhe kryeministrin, por nuk mundet një qeveri ta marrë përsipër e vetme.

Personalja nuk është doemos e mira e përbashkët, edhe pse dihet që ka kudo pak prej saj. A ju kujton diçka skena tek filmi i Lincoln, që ajo gruaja me ngjyrë në shtëpi (shfaqet në fund fare) ishte një arsye e fortë, e padukshme, për votat që u blenë në fund për një ligj historik siç ishte heqja e skllavërisë?

Po të varej bota nga mendimi im personal, do t'i pudrosja me kripë në plagë ata që kanë shpifur, sajuar, linçuar dhe që më mjafton 2019-a të kujtoj sesi u ballafaqova me të sy për sy. Madje, mua shpifja më mundi!

Por më mundi mua, jo Tiranapost.al!

Dhe po më duket sot se Orwell, përveçse i mençur, paska qenë edhe profetik kur shkruante se Big Brother nuk u mund nga ndonjë protestë, as vëllazëri, por nga fjala!

*Rubrika 25 rreshtat e Mirës nuk lejohet të ribotohet pa lejen e editorit. Na kontaktoni në email: [email protected]./ Tiranapost.al.