• Shqip
  • English
  • E martë, 12 Nëntor 2019
  • Shqip
  • English
  • Blogu i Dianes Kryesore Të gjitha

    Diçka e rëndësishme që nuk e flasim kurrë në Shqipëri


    A mjafton vetëm të jemi të qetë për modelin tonë interesant e pozitiv të bashkëekzistencës fetare?

    Nga Diana Çuli*

    Shpesh herë më ndodhte, kur shkoja me shërbime gazetarie në qytetet e vogla – gjë që praktikisht e kam bërë gjithë jetës, sepse vazhdoi edhe me punën time nëpër Shqipëri me rjetet e grave, të më bënte përshtypje një fakt: në përgjithësi në qytezat e fshatrat tona flitej vetëm për problemet e atyshme. Vështirë se bisedat mund të hapeshin disi, të kishte kureshtje për ato që ndodhnin në qytete më të mëdha, për të mos folur për proleme ndërkombëtare. Këtë e vura re përsëri, edhe në dy fushatat elektorale, kur, në një periudhë të shkurtër u mora dhe me politikë. Çdokujt i dukej se halli i tij ishte më i madhi, se qyteti i tij kishte problemet më të rëndësishme, pra shfaqej ajo dukuria që ne shpesh e themi me autosarkazëm: na duket sikur jemi qendra e botës.

    Këto mendime më erdhën befas në kokë kur pashë një lajm që më la mbresë të madhe: në një komunë të vogël në Katalonjë, që quhet Rubi, po zhvillohej ceremonia për vogëlushin Ksavi Martinez, që u vra gjatë sulmit terrorist në Rambla të Barcelonës, tek po shëtiste me dajën e tij – që mbeti viktimë dhe ai. Në ceremoni, babai i të voglit dhe imami Dris Salym u përqafuan me njeri tjetrin. Dhe babai i Martinezit tha: – Nuk ka vend për frikë apo për mëri. Unë ndjej dhimbje edhe për prindërit e terroristëve, të gjithë jemi njerëz dhe vuajmë njësoj.

    Nuk është e lehtë për një baba të thotë të tilla fjalë në një çast të tillë. Kjo frazë u mor dhe u përcoll në mediat e botës anembanë. Nuk e gjeta nëpër gazetat a portalet tona, por mbase dhe gaboj e më ka shpëtuar. Por, meqë nuk e gjeta, ose le të themi se gjejmë fare pak diskutime mediatike e intelektuale mbi përsa po ndodh sot në botë, më shkoi mendja te ajo përshtypja që nuk më ndahet e provincializmit tonë, që kujtojmë se oborri ynë është qendra e botës dhe se vetë bota nuk ka lidhje me ne.

    Ndërkohë ne tashmë jemi një sistem. Nuk ka aq rëndësi nëse jemi anëtarë zyrtarë të BE-së apo jo. Si pjesë e Ballkanit dhe pjesërisht e qytetërimit europian, ne jemi objektivisht brenda vorbullës së kësaj ere të re e panjohur, ku po përballen me njeri tjetrin modele të ndryshme të menduari, ku garat e dikurshme ekonomike, politike, sociale e kulturore  janë lënë pas e janë zëvendësuar me një çbilancim të gjithçkaje që dukej si një status quo të paktën prej shekujsh. As rënia e Murit të Berlinit, nuk solli një perspektivë kaq të ndryshme në botën perëndimore dhe atë të vendeve të ish Lindjes, sa kjo luftë krejtësisht e ndryshme në mjete, ideologji dhe qasje.

    Ne, me të drejtë deri më sot kemi qenë një model interesant, intrigues dhe pozitiv i bashkëjetesësë fetare, i pranimit pa probleme të agnostikëve dhe jo-besimtarëve, ateistëve e materialistëve. Ndërkohë, vitet kalojnë, Shqipëria nuk është më vendi i mbyllur dhe epoka dixhitale gjithashtu ka ndikuar në një ndryshim të qenësishëm. Shoqëria e sotme, brezat e rinj të sotëm nuk ngjanë shumë me ata të mëparshmit. Ato që mendojnë vajzat dhe djemtë që punojnë në bankat e Tiranës apo në administratën e saj, që mësojnë në universitetet e saj nuk e dimë me saktësi nëse përngjajnë me ato të vajzave dhe djemve në fshatrat e Veriut apo të Jugut, me ato dhe ata që janë myslimanë të bindur e me ata dhe ato që fekuentojnë kishat. Nuk e dimë a ngjan mënyra e jetesës së tyre, as këndvështrimin e tyre – përveç sharjeve ose grindjeve të disa grupeve në FB – mbi gjithçka që po ndodh përreth nesh dhe afër nesh.

    Nuk shoh që të hapen debate– siç po ndodh në të gjithë botën – se si do të luftojmë kundër terrorizmit . Era e luftës që po fryn ngado i pengon shoqëritë të ëndërrojnë për një të ardhme më të mirë. ( Të mos pandehim se ne jemi të qetë në këtë çështje).Dhe ngado shoqëritë po diskutojnë paprerë se si do të arrijnë një bashkëjetesë të suksesshme të kulturave të ndryshme fetare, të qytetërimeve tona të ndryshme, për të shmangur dhunën dhe konfliktin, të cilat shpesh instrumentalizohen edhe nga kronikat mediatike apo nga synimet politike.

    Ne flasim fare pak ose aspak për kulturën e integrimit shoqëror – flasim vetëm për integrimin në Europë, e cila për veten e saj po diskuton pafundësisht këtë integrim kulturor e shoqëror –  duke u rrezikuar të gëlltisim dizinformime apo mendime shabllon e paragjykime. Mendoj se ka ardhur dhe një kohë kur duhet t’i njohim më mirë fetë e ndryshme që ndjek popullsia jonë, ta njohim më mirë Islamin dhe Krishterimin ( kam përsëri një përshtypje, që shpresoj të jem e gabuar, se ne i njohim të dy doktrinat kryesore fetare tonat në mënyrë të sipërfaqshme e jo të thellë, jo në bazat e tyre filozofike dhe kulturore dhe në rëndësinë që kanë patur e kanë në zhvillimin e shoqërisë njerëzore). Ta ndajmë terrorizmin nga Islami dhe të kuptojmë thelbin e fondalmentalizmit: fondamentalistët e të gjitha feve kanë për qëllim ta risjellin botën në “themelet” e saj. Kredoja e tyre përqëndrohet mbi konceptin se jeta shoqërore dhe feja nuk mund të ndahen kurrsesi. Sipas tyre, ajo që unë besoj është ajo që unë bëj.  Pra detyrojnë një modus vivendi ku nuk ka vend laicizmi, tek i cili bazohen dhe parimet e Europës ku ne duam të jemi pjesë.

    Bota sot po kërkon të gjejë dhe të shpjegojë edhe arsyet e tjera të shpërthimit të këtij fondamentalizmi, ku padyshim kanë përgjegjësi të madhe drejtuesit politikë botërorë dhe interesat e ndryshme e të kundërta gjeopolitike, por, gjithsesi, e gjithë kjo mund të përballet duke e kuptuar dhe duke kërkuar rrugët paqësore.

    E ngacmova pak këtë temë pikërisht sepse më duket sikur, për shkak të shumë arsyeve, ne jemi shpërfillës ndaj çështjes – sikur kjo « nuk ka lidhje me ne ». Diskutimi nuk fillon patjetër me njerëz të specializuar në këto çështje : mund edhe të përkthejmë artikuj, debate, libra, të ftojmë autorët të vijnë në debatet tona, të jemi më afër komuniteteve fetare edhe, pa u nxitur nga asnjë paragjykim, të kuptojmë prirjet e reja të këtyre dukurive të reja të shoqërisë shqiptare.

    Ishte thjesht, një dëshirë, një mendim, që secili nga ne ndoshta e mendon dhe kërkon ta ndajë me të tjerët.

    *E drejta për ribotim vetëm me lejen e editorit të Tiranapost.al

     

     

    Për t’u bërë pjesë e grupit "TiranaPost" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Tirana Post