Bëje me Arkitekt

Dhuratat? Mos i paketoni askund, por në shtëpinë tuaj

Ingridi, arkitektja jonë sugjeron ide brilante për paketimin e dhuratave. Fjongot të zeza, smerald, pisha të gjalla, degë që i këput të komshiu. Mos shkoni të paketoni askund. Lexoni këtë artikull dhe këto festa do i habisni të gjithë.

Ingrid Martini, Arkitekte/ Vajza me flokë të kuq,të shpupurisur, is back.

Sot për të folur edhe për pjesën tjetër të dekorit të shtëpisë, përveç pemës së Vitit të Ri, e cila nëse mungon e bën pemën e gjorë, të ndihet e vetmuar.

Duke nisur që nga dhuratat që do të vendosni poshtë pemës, (të cilën tashmë e keni vendosur brenda koshit të kashtës ose vazos së qeramikës, ;).

Së pari, mirë është që të jenë të kombinuara me dekorin e pemës. Ose të kenë afërsisht të njëjtat tema dekori, ose ngjyra. Nëse jo, përpiquni që të paktën të zgjidhni letra paketimi që janë të kollajta për t’u kombinuar. Të tilla janë letrat bezhë, shqeto, si pakot e makaronave të dikurshme. Janë një sfond perfekt për cilëndo fjongo ju keni zgjedhur të përdorni.

Kryesorja është që dhurata juaj të ketë kuti, veçse. Është aq e shëmtuar një dhuratë e paformë!

Dhe kutia duhet të jetë e bollshme,qoftë edhe më e madhe se vetë dhurata. Nuk ka rëndësi ngjyra, printi, ajo do të mbulohet.

Ah, nuk përmenda thelbësoren e dhuratave: paketimi i tyre është njëlloj i rëndësishëm, sa edhe vetë dhurata brenda. Sado shtrenjtë të ketë kushtuar ajo. Fakti që i  kushtoni vëmendje paketimit, do ta bëjë atë të ketë dyfish vlerë. Është një zbavitje e vërtetë, më besoni, të kujdesesh për ta paketuar, dhe absolutisht nuk do të thotë të harxhoni një buxhet të tërë. Përkundrazi! Vetëm se ju lutem, mos ia besoni shitëses së dyqanit, e cila megjithë impenjimin, nuk e ka mundësinë dhe zellin për të bërë një paketim “wow”.

Këtë mund ta bësh vetëm ti, me shumë dashuri!

Prandaj, ato letrat me llustër të tmerrshme, pavarësisht ngjyrës, janë një JO! Gjithashtu, shumë “cheap” janë ato fjongot standarte si fije plastike, që mund të lejohen vetëm nga halli. Ka fjongo shumë të bukura prej sateni, te tregu çam, për disa monedha. Dhe ka nga të gjitha përmasat, ngjyrat, shijet. Por, do ta shkelqejë kutinë që po paketoni. Sepse, është një fjongo prej vërteti.

Fjongo të tjera shumë të bukura ka edhe te Rossmann-i, me motive të vogla,me shumë stil. Ka me pika, me vija, me katrora. Ka fjongo prej liri të thurur trashë që janë aq të bukura. Sepse “ngjisin” me pjesën tjetër (nuk ka mbaruar paketimi te fjongoja, jo).Do të duhet të shtoni një degëz të vogël të gjelbër, bredhi ose eukalipti,dafine, rozmarine ose një bime që e keni qejf. E që mundësisht të jetë aromatike. Por, rigorozisht natyrale (janë të ndaluara gjethet artificiale). Dhe më pas një dekor i vogël si ato të bredhit, një kërpudhë e vockël, një boçe pishe, një top nga ata të pemës. Ka një pafundësi objektesh të vogla që mund të bëhen pjesë e kompozimit sipas preferencave të secilit.

Bukur është edhe kur i krijoni vetë, ose më mirë darkave, së bashku me fëmijët, dekoret e vogla. Si p.sh, pendët si në foto.

Kartolinat e bëra vetë, janë një sfidë e vogël, por kanë fuqi t’i japin një buzëqeshje atij që do e lexojë, të cilën kartolina e blerë në dyqan nuk e disponon.

Ajo për të cilën dua t’ju inkurajoj, sepse e provoj vetë çdo sezon festash, është kënaqësia që merr kur sheh se me sa admirim e sheh pakon ai që e merr. Aq sa refuzon ta hapë!!

E fotografon mirë e mirë, e pastaj me shuuuuumë delikatese, përpiqet ta shpërbejë.

Uroj të merrni sa më shumë dhurata këtë fundjavë!

Por me shpirt, uroj të bëni sa më shumë të tilla!

Rubrika: Një arkitekt për mua/ Tiranapost.al