Aktualitet

Dhjetëra mijëra të rinj në Londër marshojnë kundër BREXIT

Me dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë sot në rrugët e kryeqytetit anglez duke kërkuar që të revokohen planet për BREXIT. Protesta po mbahet vetëm pak ditë përpara se kryeministria britanike Theresa May të lançojë Artikullin 50 i cili fillon procesin e shkëputjes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian.

Gjithashtu, protesta përkon me 60-vjetorin e firmosjes së “Traktatit të Romës” i cili formoi “Komunitetin Europian Ekonomik”, paraardhësin e BE-së që njohim sot.

Ngjyra blu dhe e verdhë e Bashkimit Europian dominonin sheshet e Londrës në një pjesëmarrje edhe më të madhe nga sa pritej. Shumë nënshtetas të BE të cilët jetojnë në Britani i janë bashkuar marshimit.

eu

Organizatorët e protestës në faqen e tyre zyrtare “Unite for Europe” kanë shkruar: “Ne jemi 48% që votuam kundër BREXIT së bashku më njerëzit e tjerë të cilëve nuk iu lejua të votonin. Të rinjtë dhe nënshtetas të huaj të cilët jetojnë, punojnë dhe paguajnë taksat në Mbretërinë e Bashkuar. Ne jemi të revoltuar nga qëndrimi i qeverisë në përballje me situatat që erdhën pas referendumit.”