• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 18 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Aktualitet Sociale Të gjitha

    Destinacionet kryesore ku fluturojnë shqiptarët


    Gara për ajrin është ashpërsuar në vitin 2018. Italia vijon të dominojë më shumë se gjysmën e tregut. Rritje të ndjeshme shënuan charter-at, të nxitur nga kthimi i Shqipërisë në destinacion të preferuar turistik dhe Londra e Budapesti, nga hyrja e linjave low cost…
    Aeroporti i Rinasit po bëhet gjithnjë e më i zënë, teksa më shumë shqiptarë po udhëtojnë dhe të huajt që po vijnë për të kaluar pushimet në vend shtohen. Në 2018-n, trafiku në Aeroportin e Rinasit shënoi nivel rekord prej 2.95 milionë pasagjerësh, sipas të dhënave nga Tirana International Airport (TIA). Në raport me vitin e mëparshëm, numri i pasagjerëve është rritur me rreth 12%.

    Beteja për ajrin e Shqipërisë

    Tregu i fluturimeve është bërë më i ashpër në vitin 2018. Rreth 7% më shumë shqiptarë udhëtuan nga dhe drejt Rinasit në 2018-n, në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas shifrave të INSTAT. Por, lulëzim të vërtetë shënuan të huajt, trafiku i të cilëve në hyrje e dalje u rrit me 27%, pas zgjerimit me 29% të vitit të mëparshëm, duke e bërë periudhën 2017-2018 më të mirën në historinë e pas tranzicionit për ardhjen e turistëve. Fluksi i pasagjerëve me charter u rrit me 64% në 2018-n, ku ndikimin kryesor e dhanë linjat nga Polonia, Norvegjia, Izraeli, Ukraina, Çekia, Suedia, teksa agjencitë turistike në bashkëpunim me ato shqiptare sollën turistë në hotelet shqiptare, kryesisht në bregdetin e Durrësit, duke futur për herë të parë në mënyrë masive konceptin e “all inclusive” ose “half board”.  Gjithsesi, Italia, ku jetojnë një pjesë e madhe e emigrantëve shqiptarë, vijon të dominojë më shumë se gjysmën e tregut të fluturimeve, sipas numrit të pasagjerëve.

    Destinacionet, kryeson Roma

    Destinacioni kryesor ku udhëtohet nga dhe drejt Rinasit vijon të jetë Roma, me 329 mijë pasagjerë në 2018-n, me rritje prej 1.8% me bazë vjetore. Roma shërben jo vetëm si destinacion direkt, por edhe si tranzit për të udhëtuar në Europë dhe jashtë saj.
    Destinacioni i dytë është Milano, me 283 mijë pasagjerë, me rritje 6% në raport me një vit më parë. I treti është Bergamo, me 143 mijë pasagjerë (rritje 15%). Destinacionet italiane që kanë parë rritjen më të madhe të trafikut të pasagjerëve janë Verona dhe Bolonja, me nga rreth 20% secila, ndërsa më pak i preferuar për t’u arritur me avion ka qenë Bari, që ka parë rënie vjetore prej 35%. Në total, pasagjerët nga dhe drejt Italisë ishin gati 1.56 milionë në vitin 2018 (rritje 6%). Stambolli është në vend të tretë, me 264 mijë pasagjerë (12.5% rritje). Stambolli është bërë konkurrues vitet e fundit si një destinacion tranzit, kryesisht vendeve aziatike, por dhe destinacioneve të tjera të Europës dhe atyre të largëta./Marrë me pjesë nga Monitor/Tiranapost/A.C

     

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690