Kosova

Deputeti i Merkel: BE të emërojë një përfaqësues të posaçëm për bisedimet Kosovë–Serbi

Deputeti i Merkel: BE të emërojë një përfaqësues

Deputeti i parlamentit gjerman, Peter Beyer që është nga radhët e partisë së kancelares Angela Merkel, tha të martën se vazhdimi i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është shumë i rëndësishëm për integrimet evropiane, ndërsa ritheksoi qëndrimin gjerman kundër ideve për ndryshim kufijsh në Ballkan.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë, një ditë pasi që qëndroi në Beograd ku u takua me udhëheqësit politik të Serbisë. Në Kosovë, Beyer u takua me kryeministrin në largim Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Deputeti gjerman tha se vazhdmi i bisedimeve Kosovë-Serbi është thelbësor për integrimet evropiane, ndërsa u shpreh se BE të emërojë një përfaqësues të posaçëm për këtë proces.

“Zoti Palmer e njeh rajonin dhe tani është me të vërtetë një lajm i ri që ai u emërua si përfaqësues i posaçëm për Ballkanin, mirëpo nuk e di se çfarë të mire do të sjell ky emërim. Por pavarësisht prej kësaj, jam i mendimit që Bashkimi Evropian duhet ta emërojë një përfaqësues të posaçëm për bisedimet Kosovë – Serbi, i cili me një ekip të veçantë do të kontribuonte në aspektin konstruktiv dhe të sinqertë për të vazhduar procesin e bisedimeve“, tha ai duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara janë lojtarë të rëndësishëm për Ballkanin dhe aleat i ngushtë i Gjermanisë, ndërsa shprehu besimin për një ndihmesë pozitive të Shteteve të Bashkuara në Ballkan dhe Kosovë.

Ai ritheksoi qëndrimin gjerman se Kosova duhet të jetë ashtu siç është, “pa ndryshime territoriale dhe pa ndryshime të kufijve”.

Vazhdimi i bisedimeve mund të pritet pas zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, që mbahen më 6 tetor. Diplomatët shpresojnë që një qeveri e re të formohet shpejt pas këtyre zgjedhjeve dhe të rihapin bisedimet para se Serbia të hyjë në periudhën e zgjedhjeve që mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm. /Referuar VOA/ Tiranapost.al/