Aktualitet

Dënohen me burg 2 shqiptarë dhe një polak për trafikim qeniesh njerëzore në Angli

Trafikantët të cilët kishin rënë dakord për të futur ilegalisht 20 emigrantë të jashtëligjshëm në Mbretërinë e Bashkuar kanë shkuar prapa hekurave, pasi u arrestuan në portin e Tyne-it.

Emigrantët ishin fshehur në ngarkesën brenda një trageti që kishte destinacion Mbretërinë e Bashkuar. Agjentët e policisë kufitare gjetën një sirian dhe 19 shtetas shqiptarë në një kamion brenda tragetit që kishte zbarkuar në portin e Tyne. Zyrtarët e pikës kufitare deklarojnë se kanë ndjerë një erë të çuditshme që vinte nga pjesa e pasme e mjetit me origjinë nga Hollanda, brenda së cilës ishte deklaruar se po transportoheshin pajisje elektrike. Pasi u hap ngarkesa brenda saj janë gjendur emigrantët brenda në ngarkesë.

Shoferi polak Marek Niedziechi 33-vjeçar i cili ishte punësuar nga një firmë polake në Vashavë për të bërë transportime i tha hetuesve se kishte udhëtuar nga Rimini e Italisë, në Luksemburg, Belgjikë dhe Holandë.

Ai mohoi të kishte lidhje me personat që gjendeshin në kamionin e tij dhe ka deklaruar për policinë se nuk kishte lidhje me trafikimin e qenieve njerëzore. Por, përkundër deklaratave të tij gjykata britanike ka zbuluar se polaku ka konspiruar së bashku me shqiptarët Ferdinand Gjolla 41 vjeç, i cili ka marrë dhe nënshtetësinë britanike dhe Armand Mekolli kunati i tij 30 vjeçar, për të futur emigrantë të jashtëligjshëm në territorin anglez.

Që të tre u dënuan me burgim dhe sipas përllogaritjeve të bëra nga gjykata britanike ata kanë përfituar rreth 140,000 sterlina duke marrë pjesë në këtë aktivitet kriminal.