Politikë

Denar Biba: Djegia e mandateve? Ligjërisht s’egziston!

Esencë editori/ Eksperti i së Drejtës Kushtetuese, Denar Biba, njëkohësisht nënkryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, thotë se termi “djegie e mandateve” nuk ekziston ligjërisht.
Denar Biba: Djegia e mandateve? Ligjërisht s’egziston!

Ai shpjegon se në kuptimin e duhur do të ishte “heqje dorë nga mandati”.

“Në zhargonin politik ndoshta sapo ka hyrë si term ‘djegie mandatesh’. Në fakt është përdorur edhe më herët, por njerëzit do të familjarizohen tani me të. Në terminologjinë juridike, koncepti ‘djegie mandatesh’ nuk ekziston, thjesht është heqje dorë nga mandati. Neni 71, pika 2 e Kushtetutës bën fjalë për heqje dorë nga mandati, ndërsa në thelb është e njëjta gjë. Vet deputeti mund të heqë dorë nga mandati”, shpjegoi nënkryetari i KQZ-së, Denar Biba, në "Vizion plus".

Në sensin kushtetues, ky është një cilësim i thatë, teknik, por çfarë do të thotë në kontekstin politik, në terma realë?

“Besoj se më keni ftuar që unë të shpjegoj procedurat që do të ndodhin për qytetarët. Ligji, Kodi Zgjedhor, neni 64, në mënyrë të qartë thotë që nuk njihen deklaratat publike politike. Heqja dorë nga mandati, ose ‘djegia e mandatit’, nuk mund të bëhet përmes deklaratave politike, por bëhet individualisht. Çdo deputet shkon në Kuvend, duke qenë se mandati është individual dhe jo i partisë, pavarësisht se deputeti mund ta ketë marrë duke qenë pjesë e një liste. Ai duhet të shkojë përpara Komisionit për Rregulloren e Mandateve dhe Imunitetin dhe të deklarohet publikisht heqja dorë nga mandati. Kuvendi më pas ka kohë 30 ditë për të shpallur vakancën, duke njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili po ashtu brenda 30 ditëve ia kalon mandatin me vendim kandidatit më të parë në listën që ka depozituar partia ku ka milituar deputeti që ka hequr dorë nga mandati”, shpjegoi më tej Denar Biba, ekspert i së drejtës kushtetuese.

Kjo ngjarje është e paprecedentë, nuk ka ndodhur më parë…

“Është e rëndë, sepse çdo gjë që ndodh për herë të parë s’ka precedent, por kjo është e rëndë”. /Tiranapost.al/