Aktualitet

Dembelë e sipërfaqësorë: Adoleshentët gjithmonë kanë qenë kështu dhe kjo e ka një shpjegim

Në çdo kohë adoleshentët përshkruhen si dembelë, të paedukatë, sipërfaqësorë dhe të pakuptueshëm. Sokrati thoshte: “Të rinjtë e sotëm adhurojnë luksin. Sillen keq, përçmojnë autoritetin, nuk tregojnë respekt për më të moshuarit dhe në vend se të ushtrohen merren me fjalë.” Por kjo tashmë e ka një shpjegim, që na bën të kuptojmë se si të sillemi me ta.

Janë të pakuptueshëm, dembelë, të paedukatë, sipërfaqësorë, nuk studiojnë: për adoleshentët gjithmonë flitet keq. Edhe pse në një moment të vështirë për shkak të epokës së rrjeteve sociale, në të vërtetë nuk është vetëm adoleshenti i ditëve të sotme që i jep shkas shigjetimeve të të rriturve.

Sokrati thoshte: “Të rinjtë e sotëm adhurojnë luksin. Sillen keq, përçmojnë autoritetin, nuk tregojnë respekt për më të moshuarit dhe në vend se të ushtrohen merren me fjalë.” Ndërkohë edhe Aristoteli shkruante: “Të rinjtë janë të paqëndrueshëm dhe ngopen shpejt me dëshirat e tyre, të vrullshëm që shkojnë pas impulseve.” E kështu me radhë, deri te Shekspiri: “E mira do të ishte që mosha e burrave mes dhjetë dhe njëzetë vjeç të mos ekzistonte fare sepse nuk bëjnë gjë tjetër vetëm mendojnë se si të lënë shtatzanë vajzat, të abuzojnë me të vjetrit, të vjedhin e të përleshen.”

Një shkencëtare angleze e quajtur Sarah-Jayne Blakemore nga University College of London se kjo gjë nuk është një rastësi. Në librin e saj të parë argumenton se adoleshenca nuk është një lajthitje, por një kalim i detyrueshëm për trurin e të gjitha kafshëve dhe njerëzve. Ajo thotë se adoleshenca është kaq tërheqëse jo sepse është irracionale apo e mistershme, por sepse na tregon se si ndryshimet fiziologjike reflektohen në sjelljen tonë duke na ndihmuar të kuptojmë se si do të jemi kur të rritemi. Qartësisht truri i adoleshentëve është krejt i ndryshëm nga ai i të rriturve sepse gjendet në transformim të vazhdueshëm. Prandaj edhe titulli i librit të saj është “Të shpikësh vetveten” me nëntitullin “Çfarë ndodh në trurin e adoleshentëve?” E pra, me të vërtetë, çfarë ndodh? Ndodhin shumë gjëra, ku e para është e ashtuquajtura pruning, shkurtimi sinaptik, ku për shkak të eksperiencave ambientale disa zona të trurit forcohen më shumë, ndërsa të tjera zhduken ose transformohen krejtësisht.

Deri pak kohë më parë neuroshkencëtarët dhe psikologët mendonin se me fundin e fëmijërisë, truri pushonte së zhvilluari. Por falë tekonologjive të reja, është kuptuar se shkurtimi sinaptik luan një rol kyç në përcaktimin e formës përfundimtare të trurit. E thënë ndryshe, ata prindër që u duket sikur fëmijët e tyre janë të hutuar apo se truri i tyre është fikur, duhet të kuptojnë se nuk është kështu dhe se truri mbetet në punë. Një punë e rëndësishme, e quajtur maturimi cerebral. Mendimi se janë pikërisht vitet e para të jetës dhe ambienti rrethues që përcaktojnë trajektoret tona të personalitetit, nuk duhet të na pengojë ta konsiderojmë adoleshencën si një çast ridimensionimi të personalitetit, herë si vazhdimësi e fëmijërisë e herë e ndarë prej saj.

Blakemore thotë se shumë nga sjelljet tipike të adoleshentëve, që nga dëshira për të rrezikuar e deri te mungesa e empatisë për të tjerët, mund të lexohen edhe si pasoja të një arkitekture cerebrale në ndryshim e sipër. Studimet tregojnë se ndryshimet ndodhin në shtresën ballore të trurit dhe ky fakt nuk duhet të na habisë aspak nëse kujtojmë se kjo zonë është përgjegjëse për vendimet, planifikimet, vetëpërmbajtjen, vlerësimin e rreziqeve apo kuptimit të të tjerëve. “Deri njëzetë vite më parë, ana e pakëndshme e sjelljes së adoleshentëve i ngjishej shkallimit të hormoneve dhe ndryshimeve që të rinjtë përjetojnë në shkollë dhe në jetën shoqërore. Sot dimë me saktësi se truri pëson një ndryshim thelbësor dhe me shumë mundësi kjo është edhe arsyeja që i bën adoleshentët të sillen pikërisht si adoleshentë”, shkruan Blakemore. Pra, asgjë më shumë e asgjë më pak se sa faji i “trurit”./Tiranapost.al