Aktualitet Te gjitha

Dekani i Juridikut e konfirmon: Nesër vijon normalisht mësimi në Fakultet


Esencë editori/ Studentët dhe pedagogët e Fakultetit të Drejtësisë do të zhvillojnë nesër mësim në ambientet e këtij fakulteti.

Dekani i Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha, thotë se “grupi i studentëve të ngujuar, që prej orës 19:30 i ka liruar ambientet e fakultetit”.

“Nesër në fakultetin tonë do të fillojë rregullisht mësimi, për këtë janë njoftuar studentët dhe pedagogët”, nënvizoi dekani Hoxha për ATSh.

Sipas tij, kishte ardhur koha që të zbatohej vullneti i shumicës së studentëve që donin të bënin mësim dhe ky grup i vogël studentësh të lironte ambientet e fakultetit.

Mësohet se administrata e Fakultetit të Drejtësisë ka sistemuar në auditorë bankat e nxjerra në korridore nga studentët që prej nisjes së ngujimit.

Lirimi i ambienteve të fakultetit erdhi pas disa kërkesave që studentët i drejtuan dekanit Artan Hoxha. Ata kanë kërkuar shtyrjen e sezonit akademik në përputhje me orët e humbura, si dhe zëvendësimin e këtyre orëve. Gjithashtu kanë kërkuar shtyrje të afatit për dorëzimin e dokumenteve për bursë dhe përgjysmimin e tarifave dhe mospenalizimin e studentëve protestues. /Tiranapost.al/