Aktualitet

Dejan, djalë i mirë - lamtumirë!

Esenca e editorit/ Enver Robelli sjell një obituar të një gazetari që ai e quan më të mirin gazetar serb. I pari që guxoi në vitet ‘90 të thotë se Kosova është e atyre që jetojnë aty në shumicë, e shqiptarëve. I vetmi që punoi iu dha model të tjerëve si bëhet gazetaria. I luftuar nga regjmini Millosheviç, por siç jo pa helm gazetari Robelli kujton se, edhe Kosova nuk diti kurrë t'i jetë mirënjohëse a ta nderojë.
Dejan, djalë i mirë - lamtumirë!

Nga Enver Robelli

Ishte një kohë kur Kosova nuk kishte kanal televiziv në gjuhën shqipe. Ishte një kohë kur Radio-Televizioni i Shqipërisë (RTSH) ia falte Kosovës disa minuta. Në njërin nga këto emisione, kur në Kosovë kishte shpërthyer lufta, foli Dejan Anastasijeviçi. I ra shkurt muhabetit dhe tha: njerëz, herët apo vonë, Kosova u takon atyre që janë shumicë aty – shqiptarëve.

Pas një sëmundje të gjatë, të cilën shpresonim se do ta mposhtë, Dejan Anastasijeviçi sonte u dorëzua, iku në amshim. Ai ishte gazetari më i guximshëm, më i informuar, më i ndershëm që pati Serbia në tri dekadat e fundit. Ai ishte ndër gazetarët më të mirë që ka pasur ndonjëherë Ballkani. Ai ishte gazetar i mençur dhe profesionist i rangut të lartë.

Dejan Anastasijeviçi (i lindur më 1962 në Beograd) së fundi punonte për shërbimin serb të BBC-së, pas një karriere të gjatë si gazetar i revistës së pavarur Vreme nga Beogradi, si kontribuues me shkrime te gazeta Koha Ditore dhe Zëri në Prishtinë, The Guardian në Londër, Die Zeit në Hamburg dhe Ëashington Post. Ai e filloi karrierën te Radio B92, një radiostacion alternativ, i pavarur e i guximshëm i Serbisë në fillim të viteve ’90. Më 1991 Dejan Anastasijeviçi raportoi për mizoritë serbe në Vukovar të Kroacisë dhe në Bosnjën Lindore. Kur nga viti 1998 filloi të merret në mënyrë intensive Kosovën, ai u bë një zë që inspiroi shumë gazetarë, edhe në Prishtinë. Ishte aq këmbëngulës në kërkimin dhe prezantimin e së vërtetës, saqë regjimi i Sllobodan Millosheviqit ngriti aktakuzë kundër tij për shkak të përhapjes së dezinformatave dhe ndihmës ndaj terroristëve. Terroristët, sipas regjimit serb, ishin kryengritësit shqiptarë në Kosovë.

Dejan Anastasijeviçi ishte përherë në anën e viktimave. Ai shkroi për shqiptarët që i diskriminonte Serbia – në shkollë, në ekonomi, në jetën sociale, kudo. Kur para disa ditësh BBC emitoi një kronikë mbi 20-vjetorin e sulmeve të NATO-s ndaj Serbisë, Anastasijeviçi tha se pushteti i Millosheviqit në Kosovë ishte «regjim aparteidi». Pastaj ai kujtoi një fëmijë me sy të hapur, në fëmijë 9-vjeçar nga Prekazi, një fëmijë me një plumb në kokë.

Në prill të vitit 1999, kur në Beograd vriteshin gazetarë, Anastasijeviçi iku me familjen e tij në Vjenë. Punoi deri më 2002 për revistën e famshme TIME, pastaj u kthye në Beograd. Në tetor 2002 ishte i pari gazetar serb që dëshmoi kundër Millosheviqit në Hagë. Në prill të vitit 2007 persona të panjohur hodhën një granatë dore në banesën e tij. Shpëtoi dhe shkoi në Bruksel për të punuar si korrespondent i revistës Vreme.

Dejan Anastasijeviçi i mori të gjitha mirënjohjet që mund t’i ëndërrojë një gazetar nga Ballkani (Nieman Felloëship për gazetari të Universitetit të Harvardit, dy mirënjohje nacionale në Serbi për gazetari, çmimin e Oxfamit holandez për angazhimin e tij për të drejtat e njeriut. Vetëm nga Kosova s’mori asgjë. Sepse askush nuk u kujtua që së paku simbolikisht ta nderojë, t’i thotë faleminderit – jo për ndihmën, vetëm për faktin se e kreu punën e gazetarit me nder. Dejan, djalë i mirë – lamtumirë! Zbogom prijatelju!/ Marrë nga dialogplus.ch/ Tiranapost.al