• Shqip
  • English
  • E enjte, 19 Shtator 2019
  • Shqip
  • English
  • Lexo Enver Robellin në TIP Të gjitha

    Dëbimi i John Boltonit: një rrezik më pak për Kosovën


    John Bolton dëshironte të bombardonte Iranin, Korenë e Veriut, Venezuelën. Për këtë shkak u dëbua nga posti i këshilltarit për siguri nacionale të Donald Trumpit. Bolton, një kundërshtar i rreptë i pavarësisë së Kosovës, ishte mbështetësi më i zëshëm i prishjes së kufijeve të Kosovës. Ai ishte shpresa e Hashim Thaçit, Aleksandër Vuçiqit, Ivica Daçiqit dhe Edi Ramës për dizajnimin territorial të Ballkanit – sipas planeve të Beogradit. Për të treguar sa më shumë servilizëm ndaj Boltonit, Rama madje e dëboi nga posti edhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili me kohë kishte parlajmëruar se Kosova nuk duhet të nxjerrë në pazar territor për të kënaqur apetitet serbe dhe Tirana nuk duhet të jetë pjesë e aventurave politike në rajon. Dëbimi spektakular i Boltonit i jep të drejtë Bushatit.

    -Kush nuk vringëllon revolen, në sytë e John Boltonit është vetëm një «pëllumb». Me këso shpezësh nuk bëhet politikë, është i bindur ai. Në kujtimet e tij nga viti 2007 Bolton shkruan: «Nuk kam arritur asgjë çfarë kam dashur të bëjë në Iran». Me gjithë zemër ai i kishte përkrahur dy luftëra të presidentit George W. Bush – kundër Afganistanit dhe Irakut. Tani kërkonte një luftë të tretë – kundër Iranit, kundër «regjimit të mullahëve», siç i quante udhëheqësit në Teheran. George W. Bush nuk e dëgjoi Boltonin, sepse presidenti i kishte djegur gishtat me ndërhyrjen në Irak. Më 2007 Bolton ishte detyruar të largohet nga posti i ambasadorit të SHBA-ve në OKB. Ishte koha kur Washingtoni po koordinohej me vendet kryesore europiane për t’i dhënë leje Kosovës të shpallë pavarësinë. Bolton ishte kundërshtar i mëvetësisë së Kosovës.

    Në një editorial të botuar në fund të janarit 2008, dy javë para se Kosova të shpallte pavarësinë, Bolton, bashkë me ish-ministrin e Jashtëm, Lawrence Eagleburger, dhe ish-ndihmëssekretarin e Mbrojtjes, Peter Rodman, kërkoi që administrata e presidentit George W. Bush të pengojë pavarësinë e Kosovës. Pavarësia e Kosovës, sipas Boltonit, do të destabilizojë rajonin. Në vitin 2008 Bolton dhe Eagleburger konsideroheshin si pjesëtarë të fraksionit të vogël proserb në establishmentin politik të Washingtonit. Eagleburger (vdiq më 2011) kishte punuar si diplomat në ambasadën e SHBA-ve në Beograd mes viteve 1961 dhe 1965. Pas tërmetit në Shkup më 1963 ai u angazhua në dërgimin e ndihmave dhe nga mediat u quajt «Lawrence of Macedonia» – një aludim në filmin e famshëm «Lawrence of Arabia». Mes viteve 1977 dhe 1980 Eagleburger mbajti postin e ambasadorit të SHBA-ve në Beograd.

    John Bolton 

    Pas largimit nga posti i ambasadorit të SHBA-ve në OKB, Bolton dhe mustaqet e tij qenë shpesh mysafirë të mediave ultrakonservatore amerikane dhe të televizionit propagandistik të Kremlinit RT. Në prill të vitit 2018 Donald Trump, presidenti kampion i dëbimit dhe ndërrimit të stafit, e angazhoi John Boltonin si këshilltar për siguri nacionale. Bolton ishte aty ku dëshironte: në pultin e vendimeve. Ai kishte qasje direkte te presidenti, pa Boltonin nuk do të merrej asnjë vendim me rëndësi (gjeo)politike. Ëndrra e tij ishte rrëzimi i pushtetit në Teheran. Me ashpërsimin e krizës në Gjirin Persik, me bllokimin e anijeve në Ngushticën e Hormuzit nga ana e forcave të Iranit, Bolton sërish i intensifikoi përpjekjet për të bindur presidentin për të sulmuar Iranin.

    Trump dhe Bolton e duan një Amerikë të fuqishme dhe nuk interesohen aq për mendimin e aleatëve, por ata dy i ndan qasja: Bolton vepron sipas parimit «njëherë shkrep me revole, pastaj bisedo», ndërsa Trump nuk është intervencionist ushtarak, ai i ka fituar zgjedhjet me premtimin se do t’i kthejë ushtarët amerikanë nga vatrat e krizave dhe nuk do ta kyç Amerikën në luftëra të reja. Trump vepron si tyxhar që me çdo kusht dëshiron të blejë diçka. Diplomacinë ai e sheh si shou të një njeriu – dhe ai njeri duhet të jetë vetëm Trumpi. Në këtë garë Bolton u shndërrua në pengësë. Ai mund të kritikohet për qasjen e ashpër ndaj Koresë së Veriut, për shembull, por edhe dashuria e Trumpit ndaj diktatorit Kim Jong-un është më shumë se bizare. Ka ardhur dita kur presidenti amerikan i çon letër dashurie një diktatori aziatik dhe e ofendon kryeministrin e Kandasë, një vend me të cilin Amerika i ndan të gjitha vlerat perëndimore. Sado i papërshtatshëm të ketë qenë Bolton, tani afër Trumpit nuk është pothuaj askush që ka mundësi ta ndalë pak të mos përulet para diktatorëve të botës.

    Politika e jashtme e Trumpit nuk është konsistente. Ai i ka përzënë ekspertët e profilizuar si ministrin e Mbrojtjes Jim Mattis apo këshilltarin për siguri nacionale H. R. McMaster. Trump i konsideronte ata si tepër të butë. Kështu i erdhi radha Boltonit, për të cilin Trump kishte vetëm fjalë të mira. Trump vendosi të tërhiqet nga Marrëveshje Bërthamore me Iranin, të tërheq të gjitha trupat nga Siria dhe të shpallë të pavlefshëm marrëveshjen me Rusinë mbi raketat me rreze të mesme veprimi (Intermediate Range Nuclear Forces). A është bërë bota më e sigurt me këtë politikë? Jo.

    Bolton ishte këshilltar për kaos. Por nganjëherë edhe ai kishte të drejtë. Për shembull kur e kundërshtoi presidentin, i cili gjatë fundjavës përgatiti një spektakël: do t’i priste në Camp David udhëheqësit e talibanëve afganë për të arritur një marrëveshje (një «deal»). Legjitimimi i tillë i talibanëve, nga territori i të cilëve janë përgatitur sulmet e 11 shtatorit 2001, do të ishte një goditje ndaj kredibilitetit amerikan. Por Trump nuk bëhet merak për këso gjërash. Ai e do pazarin. Rrjedhimisht, presidenti po përgatitet për një samit të tretë me diktatorin e Penjanit dhe po kërkon të takohet pa kushte me presidentin e Iranit Hasan Rohani. Ky takim mund të zhvillohet gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë muaj.

    John Bolton dëshironte të bombardonte Iranin, Venezuelën, Korenë e Veriut. Për këtë u largua nga posti. Kosova nuk duket se ka qenë arsyeja e largimit. Me ikjen e këshilltarit për kaos planet për prishjen e kufijve të Kosovës kanë pësuar një goditje, por ende nuk janë varrosur. Bolton ishte shpresa e madhe e Hashim Thaçit, Aleksandër Vuçiqit, Ivica Daçiqit dhe Edi Ramës dhe kamarillës së tyre nga «publicistika e nëntokës» për dizajnimin e Ballkanit – sipas planeve fillimisht të Beogradit. Për të treguar sa më shumë servilizëm ndaj Boltonit, Rama madje e dëboi nga posti edhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili me kohë kishte parlajmëruar se Kosova nuk duhet të nxjerr në pazar territorin e saj për të kënaqur apetitet serbe dhe Tirana nuk duhet të jetë pjesë e aventurave politike në rajon. Dëbimi spektakular i Boltonit i jep të drejtë Bushatit.

    Bolton ka pasur një «raport special» me Shqipërinë prej se ky vend ka pranuar disa anëtarë të Mojahedin-e-Khalq-Organization, një organizatë opozitare militante e Iranit. Bolton beson se këta muxhahedinë mund të jenë pushtetarët e ardhshëm në Teheran. Bolton ishte i lumtur kur Shqipëria i përzuri disa diplomatë iranianë. Dhe kur John Bolton ishte i lumtur, këtë Edi Rama patjetër duhej ta bënte publike në Twitter. Krejt kjo në shërbim të propagandës se «ka një plan amerikan për Kosovën», të cilin shqiptarët nuk bën ta refuzojnë.

    Bolton nuk kishte plan konkret për Kosovën, por një synim: prishjen e kufijeve të Kosovës. Në korrik të vitit të kaluar ai e takoi ministrin e Jashtëm serb Ivica Daçiq dhe tha se Washingtoni është i gatshëm të forcojë bashkëpunimin me Serbinë. Në fund të gushtit 2018 Bolton deklaroi në Kiev se SHBA-të nuk do të kyçen direkt në muhabetet për kufijtë e rinj të Kosovës, por nëse palët merren vesh, atëherë Amerika nuk kundërshton. «Nuk kundërshtojmë korrigjimin e kufijeve», tha Bolton. Ishte vokabulari i njëjtë që e përdorte Thaçi në kalërimin e tij apokaliptik gjuhësor. Në fund të nëntorit të vitit të kaluar Bolton sërish u kyç në debatin rreth Kosovës. Ai bëri thirrje që Kosova e Serbia «të shfrytëzojnë rastin» të zgjidhin ngatërresat mes tyre dhe të afrohen me Bashkimin Europian. Atëbotë Bolton e takoi në Washington Hashim Thaçin. Nga mesi i dhjetorit në Prishtinë dhe Beograd erdhi letra e Donald Trumpit (në të vërtetë letra e Boltonit e nënshkruar nga Trumpi), ku Thaçit dhe Vuçiqit si presidentë të dy vendeve u bëhej thirrje të shfrytëzojnë momentin për marrëveshje historike. Trump i joshte Thaçin dhe Vuçiqin me një ceremoni nënshkrimi në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë.

    Nga mesi i koprrikut të këtij viti ministri i Jashtëm serb Daçiq e takoi sërish Boltonin, me të cilin, sipas mediave të Beogradit, foli për përparimin e marrëdhënieve bilaterale në të gjitha nivelet. Në fillim të gushtit, një vit pasi Thaçi nisi festivalin e tij të konferencave për shtyp, të sharjeve me Sali Berishën dhe të takimeve «për kafe» me Edi Ramën, pra një vit pasi opinionit shqiptar iu tha se korrigjimi nënkuptuaka që Kosova të marrë Luginën e Preshevës pa dhënë asnjë centimeter të territorit të Kosovës, u paralajmërua një vizitë e Boltonit në Beograd dhe Prishtinë. Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, vizita e Boltonit, sipas «Zërit të Amerikës», u shty. Pastaj disa media në Prishtinë njoftuan se Boltoni do të vijë kur të hiqen tarifat ndëshkuese ndaj prodhimeve serbe dhe kur të krijohet qeveria e re. Për 16 muaj në detyrë Bolton ishte mjaft aktiv në çuarjen përpara të planeve për prishjen e shtetit të Kosovës në këtë formë. Me dëbimin e tij forcohet roli i Departamentit të Shtetit dhe i të emëruarit të posaçëm Matthew Palmer. Nëse këshilltari i ardhshëm për siguri nacionale nuk ia kujton Trumpit Kosovën, ai s’do të kujtohet më për këtë temë. Vëmendja e Trumpit për një problem të politikës ndërkombëtare zakonisht nuk zgjat më shumë se pesë minuta.

    Pas largimit të Federica Mogherinit nga posti i kryediplomates së BE-së, pas kalimit të Johannes Hahnit në një post tjetër në Komisionin e BE-së, largimi i Boltonit paraqet ikjen e radhës të sponsorëve e mbështetësve të ndarjes së Kosovës. Do të jetë interesante të shihet nëse kryetari i Kosovës Hashim Thaçi do të vazhdojë të angazhohet për «korrigjimin e kufijve» në të ardhmen. Dhe po aq interesante do të jetë të shihet nëse nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri do të përsërisë premtimin e tij të bërë para një viti se do t’i bashkojë me Kosovën Preshevën, Medvegjën, Bujanocin, hekurudhën dhe autostradën. Jo të gjitha, por shumë gjëra do të varen edhe nga qeveria e ardhshme e Kosovës. A do të jetë qeveri që i nënshtrohet presionit apo jo? A do të jetë qeveri që refuzon prishjen e kufijve, por lëshon pe sa i përket asociacionit të komunave serbe? Debatet për ndarjen e Kosovës i kanë rritur apetitet e Serbisë. Gjatë vizitës pak ditë më në Prishtinë dhe Beograd të senatorëve Chris Murphy dhe Ron Johnson mesazhi ishte i pakëndshëm për Kosovën. Johnson, i cili anon qartë nga Beogradi, tha se Amerika dëshiron të bëjë gjithçka për të përkrahur dialogun dhe procesin në të cilin të dy popujt, serbët dhe shqiptarët, duhet të japin dhe të marrin diçka. Qeveria e re e Kosovës do të ballafaqohet me pasojat katastrofale të politikave të Hashim Thaçit dhe Ramush Haradinajt. I pari ka negociuar për ndryshimin e kufijve, i dyti thoshte se nuk ka kohë të merret me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në kujtimet e Boltonit një kapitull mbi kohën e tij si ambasador i SHBA-ve në OKB bart këtë titull: «Frikë dhe përbuzje». Aty ai me kënaqësi demonstrative shkruan se si i janë frikësuar diplomatët dhe si e kanë përbuzur kundërshtarët e tij. Bashkëpunëtorët që e kundërshtonin për shkak se shpërndante informata që nuk përputheshin me të gjeturat e shërbimeve sekrete Bolton i përjashtonte nga mbledhjet. Një senator republikan ka thënë për Boltonin: «Ai është një rast shembullor se si dikush nuk duhet të jetë në shërbimin diplomatik»./ Dialog Plus/ Tiranapost.al.

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected] ose 068 408 1690