Aktualitet Kryesore Te gjitha

Debati për veshjen islame, Diana Çuli: Fetë monoteiste diskriminojnë gratë


Debati për veshjen islame tek gratë që karakterizoi gjithë javën tek tiranapost.al është trajtuar gjërësisht sonte edhe në një nga emisionet politike, “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili. Ka qenë shkrimtarja Diana Çuli e cila në blogun e saj në Tiranapost.al bëri një shkrim me disa replika të titulluar “Për gratë e mbuluara që kanë vapë si ne” ku argumenton se mbajtja e shamisë në plazh është një shenjë e opresionit të burrit ndaj gruas që nuk përputhet me parimet perëndimore dhe është praktikë e shoqërive ku ligj islamik është edhe ligj shtetëror.

Por ky debat i zhvilluar gjërësisht në Tiranapost.al solli replikën në distancë të bloggeres Iva Tiço e cila argumenton se parimi i lumturisë është më i rëndësishëm. Nëse një femër gjen lumturinë me mbajtjen e shamisë, atëherë nuk ka asnjë shkak pse të bëhet debat publik për këtë çështje.

Megjithatë  shkrimtarja Diana Çuli e ka përforcuar qëndrimin e saj edhe në emisionin “Studio e Hapur” ku është shprehur se çdo lloj indoktrinomi qoftë fetar apo politik është i dëmshëm për çdo shtet dhe veçanërisht për Shqipërinë.

Sipas Çulit, Shqipëria ka përjetuar pasoja të mëdha nga fanatizmi dhe indoktrinomi ka ndikuar për keq në historinë shqiptare. Gjithashtu, shkrimtarja tha se nga studimet e saj të deritanishme ve re se të gjitha fetë dhe veçanërisht ato monoteiste diskriminojnë mbi gratë. Ajo vlerëson se laiciteti është aseti i shoqërive perëndimore, pasi nëse perëndimi do të ishte ekskluzivisht i sunduar nga mendimi i krishterë, gratë nuk do të kishin të drejtë vote të drejta për kontrollin e lindjeve dhe të divorcit.

diaaaaa

Për të ilustruar këtë mendim Çuli dha rastin e Italisë, ku ligjërisht nuk lejohej divorci deri në vitet 80’ për shkak të ndikimit të papës në mos ndryshimit të legjislacionit, si edhe luftën që i ka shpallur Kisha Katolike kontraceptivëve.

Diana Çuli gjykon se sekularizmi është vlerë e shoqërive të zhvilluara dhe në Shqipëri, si në çdo shoqëri demokratike duhet promovuar. K.H/ tiranapost.al