Art dhe Kulturë

Debati për teatrin, Artan Imami kundër Bujar Asqeriut?

Jo i gjithë komuniteti i artistëve është në një mendje për debatin që po zhvillohet me Ministrinë e Kulturës sa i përket fatit të Teatrit Kombëtar. Ndërsa një pjesë anatemojnë çdo propozim të ardhur nga ministria, duke bërë edhe deklarata të forta emocionale, një pjesë tjetër është për të zhvilluar një dialog qytetar mes palëve. Një prej tyre është edhe aktori Artan Imami, i cili duket se nuk është shumë dakord me skenat që ka bërë ditët e fundit në publik aktori tjetër i njohur, Bujar Asqeriu. Duke folur sot në edicionin qendror të lajmeve në Ora News, Imami ka theksuar se deklarata të tilla nuk ndihmojnë qytetarët të kuptojnë se çfarë po ndodh. Nga ana tjetër ai beson te ajo që ka thënë ministrja e Kulturës se Teatri Kombëtar nuk do të lëvizë.

Artan Imami: Kur dëgjon mediat disa janë të interesuar për të nxitur konfliktin mes pjesëmarrësve në një tryezë të rrumbullakët se sa të dëgjojnë. Disa pjesëmarrës nuk kanë edukatën më elementare të dëgjojnë kur pyesin, ku dëgjohen monologje emfatik shumë emocional, ku dëgjohen fjalë djersë, gjak, vampira, banjo të bllokuara, çati teatri që po bien, ndryshime në ligj e kthim të diktaturës, njerëzit e kanë të vështirë të kuptojnë ca po ndodh.

Ilva Tare: E në fund të fundit aktorë janë edhe e duan pak dramën...

Artan Imami: Jo, jo aktorët kanë një detyrë shumë të rëndësishme që të jenë të qartë në ato gjerat që thonë dhe atje ku nuk janë të qartë të kenë vullnetin të dëgjojnë.

Nëse skena e Teatrit Kombëtar do të përdoret edhe nga Teatri i Operës dhe Baletit kjo është mese normale. Por nëse ne do zhvendoseshim dhe aty do vinin ata atëherë unë do isha i pari kundër. Por se na shtojnë dy skena të tjera kjo është gjë e mirë.

Pra thënë kjo, thënë që godina e re do ngrihet në atë truall dhe nuk do çedohet asnjë cm nga ai truall për qëllime të tjera për këto po, po, po e këtyre, në momentin që ta japin fjalën kryeministri dhe ministrja e Kulturës kë duhet të besoj unë komshiun tim?”