Aktualitet Politikë Te gjitha

Debate për kryeprokurorin, PD largohet nga mbledhja: Po i vini minat vendit


Që prej orës 12:00 të ditë së sotme përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës janë përfshirë në debate të ashpra mbi mbarimin e mandatit të kryeprokurorit dhe caktimin e një prokurori të ri.

Mazhoranca kërkon zgjedhjen e një kryeprokurori nga Kuvendi brenda 30 ditësh, ndërsa opozita thotë se pa u krijuar Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Adriatik Llalla duhet të vijojë të jetë në krye të organit të akuzës. Deputetët e Partisë Demokratike më pas janë larguar nga Komisioni i Ligjeve.

Ndërkohë Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe ajo e Bashkimit Europian janë shprehur pro zgjedhjes së kryeprokurorit nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë.

Më poshtë edhe disa nga qëndrimet kryesore që u shpalosën sot:

Bledi Çuçi: Kuvendi gjendet në një situatë juridike që duhet brenda 30 ditëve të çaktojë një prokuror për të kryer funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm. Nuk është as emërim, por caktim për kryerjen  e prokurorit të Përgjithshëm derisa të krijohen organet kushtetuese që kanë të drejtë për të emëruar prokurorin e ri. Ne si komision në bazë të nenit 111, pika 7, të rregullores së Kuvendit jemi mbledhur për të miratuar një projekt vendim për miratimin e procedurës për emërimin e prokurorit të përkohshëm.

Enkelejd Alibeaj: Kushtetua në nenin 148/ C parashikon saktë; Deklarimin e përfundimit të mandatit të Kryeprokurorit e bën KLP. Edhe ligji për prokurorinë thotë të njëjtën gjë. Kemi mundësinë ta zgjidhim këtë problem në mënyrë fisnike dhe dinjitoze, në të kundërt është minim i klimës politike në vend. Tani zgjidhni ose do të jeni dinjitoz me veten ose do i hidhni minat këtij vendi. 

Nasip Naço: Grupi i LSI e ka ndjekur me vëmendje. Shumica është e interesuar për ta zgjedhur me shumicë të thjeshtë, pa konsensus me opozitën. Do të kërkoja që shumica të reflektojë. Zgjedhja me 37 deputetë në seancë. Keni frikë dhe panik, kërkoni të kapni prokurorin e përgjithshëm. 

Oerd Bylykbashi: Kjo është Kushtetutë që bazohet në ligj dhe jo në memo. Po ndërtoni një Kushtetutë me defekte dhe boshllëqe të rënda, sa duket si kamionçinë. Ju kërkoni që të mbyllni dosjet e nxehta që keni. Prokurori i ri i përkohshëm mund të lëvizë prokurorët apo shkarkojë, ka kompetenca të plota. Kërkoni që prokurori të mbrojë ata që ju i mbroni me imunitet./Tiranapost.al

Komento:

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *