Aktualitet

Debat në prezantimin e parë: Shkolla Kontekstualiste e Tiranës si Shkolla e Kembrixhit

Parapremiera e Shkollës Kontekstualiste të Tiranës ka shkaktuar debat. Dalja në emisionin “Zonë e Lirë” përballë Sali Berishës, ku pesë mendimtarë dhe pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës kanë sqaruar se ç’është kontekstualizimi ka shkaktuar reagime në media, ku ka patur edhe nga ata që e kanë kundërshtuar këtë lëvizje. Ditën e mërkurë, pesë anëtarët e kësaj lëvizjeje do të prezantojnë frymëzimin e tyre që vjen nga filozofia analitike dhe më konkretisht nga “Shkolla e Kembrixhit”, e famshme për kontributin në mendimin politik e po aq e kritikuar

Krijimi i një lëvizjeje filozofike si “Shkolla Kontekstualiste e Tiranës” do të ngjallte menjëherë kureshtje dhe debat, qysh në prezantimin e saj të parë.

Pesë anëtarët e kësaj rrymë, mendimtarë dhe pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës ishin të ftuar mbrëmjen e së premtes në emisionin “Zonë e Lirë” të Arian Çanit përballë ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilit i kanë drejtuar edhe disa pyetje.

Më tej, pesë pedagogët njëherazi dhe vëzhgues të jetës publike, Fitim Zekthi, Klementin Mile, Arjan Çuri, Besart Kadia dhe Ervis Iljazaj kanë folur se ç’është kontekstualizmi, si një rrymë e filozofisë analitike.

Megjithëse kanë marrë përgëzimet e Berishës, pesë pedagogët nuk janë kursyer në rrjetet sociale duke u fshikulluar me artikuj, pas prezantimit të kësaj ideje, të re për kontekstin shqiptar.

Enkel Demi dhe Elvin Luku kanë reaguar menjëherë me artikuj rreth këtij prezantimi, i pari me një artikull, ndërsa i dyti me një status në rrjetin social Facebook.

“Gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit askush nuk vuri ujin në zjarr jo për elitat, por për ardhmërinë. Ka përherë përpjekje për ta zënë parinë nga grupe politike, mediatike, spitullaq mesoresh. Janë sak këto përpjekje që e bëjnë këtë vend qesharak dhe guximtarët karagjozë.

Vetëm në një tokë si Shqipëria të del biri i botës dhe të thotë që është filozof pa mbushur 30 vjeç, politikan duke qenë berber, mendimtar duke vjedh’ xhepat në qeveri…”, ka shkruar Demi, duke shtuar se në këtë tablo mungonin vetëm filozofët e prezantuar në programin televiziv. “Filozofi është një dukuri interesante mediatike që mund të shitet për një tip cool. Së shpejti, filozofi duhet të ngujohet në ndonjë shtëpi të reality show ose të marrë pjesë në programe se kush kërcen a këndon më bukur”, ka shkruar Demi, ndërsa Elvin Luku e ka quajtur çudi shqiptare dhe guxim të tepruar të pesë pedagogëve shpalljen e shkollës kontekstualiste të Tiranës. “Për të shpallur ‘Shkollën Kontekstualiste të Tiranës’ duhet minimalisht të kenë dy a tri studime, libra, monografi që kanë sjellë një risi, evolucion, për të mos thënë revolucion në fushat politike, ekonomike, mediatike, audiencat, shkencat sociale, kompjuterike etj… Me aq sa di unë, të paktën për fushën time të shkencave te komunikimit, këta s’kanë një kontribut të qenësishëm, po pres me endje të mësoj se mos ndoshta kanë kontribute të vyera në shkencat e tjera… Guxim të madh intelektual keni o miq!”, ka ironizuar Luku, duke thënë se kjo Shkollë tashmë do të konkurrojë me rrymat më të njohura filozofike perëndimore duke përmendur edhe disa prej tyre.

Frymëzimi nga Shkolla e Kembrixhit

Por kjo lëvizje filozofike në Universitetin Europian të Tiranës ku prej vitesh mendohet krijimi i një mendimi rreth filozofisë analitike e merr shembullin pikërisht nga shkolla anglosaksone e mendimit, e pikërisht “Shkolla e Kembrixhit”.

Në historinë intelektuale dhe atë të mendimit politik, Shkolla e Kembrixhit është një lëvizje historiografie, e lidhur tradicionalisht me Universitetin e Kembrixhit, ku anëtarët e kësaj shkolle kishin pozicione akademike në universiteti si Quentin Skinner, J. G. A. Pocock, Peter Laslett dhe John Dunn apo së fundi David Runciman dhe Raymond Geuss.

Shkolla e Kembrixhit mund të karakterizohet gjerësisht si një mënyrë historiciste apo kontekstualiste e interpretimit, duke theksuar kryesisht kushtet historike dhe kontekstin intelektual të diskursin e një epoke të dhënë historike dhe duke kundërshtuar anakronizmin e perceptuar të metodave konvencionale të interpretimit, që besohet se shpesh shtrembëron domethënien e teksteve dhe ideve duke i lexuar ato në terma të të kuptuarit të dallueshëm të jetës sociale dhe politike.

Shkolla Moderne e Kembrixhit është në traditën e dijes së hershme në Kembrixh, dhënë me shembuj nga ekonomisti John Maynard Keynes (1883-1946), që ishte i mendimit historik dhe ekonomik dhe subjekt i shumë studimeve të historianëve të mendimit ekonomik, duke vendosur zhvillimin e ideve të tij në kontekstin e tyre historik. Keynes ka theksuar rëndësinë e të kuptuarit të mendimtarëve në kontekstin e kohës së tyre dhe idetë që ata kanë mbrujtur në rininë e tyre.

Teksti që mbahet si deklarata e parimeve të Shkollës është artikull i 1969–ës së Quentin Skinnerit “Domethënia dhe të Kuptuarit në Historinë e Ideve”. Këtu, Skinner sulmon atë që përshkruan si dy “ortodoksitë”;  “perenializmi”- këndvështrimi në të cilin filozofët kanë debatuar gjithnjë të njëjtat pyetje themelore dhe nocioni se konteksti është i parëndësishëm për kuptimin historik të teksteve, që mund të lexohet si një material vetëqëndrues. Sipas fjalëve të

Mark Bevirit Skinner dhe kolegët “mbrojtën historinë e teorisë politike kundër reduksionistëve që rrëzuan ide si thjesht epifenomene dhe teoristët kanonikë që iu qasën teksteve si vepra të pakoha filozofike”.

Ekzistenca e Shkollës së Kembrixhit u identifikua për herë të parë nga  J. G. A. Pocock në fillim të viteve ’70 , por i referohej një qasjeje të historisë se ideve që kishte nisur të fitonte famë në vitet ‘60. Praktikantët që kishte në mendjen Pocock ishin anëtarë të shkollës si Quentin Skinner dhe John Dunn. Me kohë u bë e qartë se këto tri figura kishin shqetësime të ndryshme në fushat e historisë intelektuale dhe teorisë politike. Pocock prirej të fokusonte kërkimin e tij në historinë e historiografisë, Skinner në historinë e filozofisë dhe Dunn në kuptimin e teorisë politike si një degë e hetimit historik. Por në vitet ‘60 ndanë terren më të përbashkët. Në fund të dekadës kishin kontribuar të gjithë në debatet metodologjikë në historinë e ideve. Në të njëjtën kohë, secili kish dhënë kontribute në studimin e historisë dhe vetë mendimit politik.

Ngjashëm, pesë anëtarët e Shkollës Kontekstualiste të Tiranës kanë formime të ndryshme, po aq edhe shqetësime të ndryshme filozofike. Klementin Mile, epistomolog me fokus në filozofinë politike, Ervis Iljazaj jep kontributin e tij në fushën e mendimit politik, Besart Kadia ekonomist me qasje në tema të organizimit shoqëror dhe ekonomisë, Arjan Çuri me një specialitet mbi filozofinë metafizike, ndërsa Fitim Zekthi filozof politik me qasje konservatore.

Të pestë i bashkon pikërisht filozofia analitike. Bëhet fjalë pra për rrethin e filozofisë analitike në UET, grupim i mendimit anglosakson, i krijuar për të trajtuar çështje të ndryshme të shoqërisë shqiptare.

Janë racionalë, analitikë, pragmatistë, instrumentalistë. Shkurt janë kontekstualistë.

Ata, ashtu si edhe mendimtarët që krijuan Shkollën e Kembrixhit, i mëshojnë faktit, përtej teorisë e cila është e rëndësishme, që ngjarjet duhet të vendosen në kontekst për t’u analizuar ose duhen nxjerrë nga konteksti në nivelin e parimit. Kontributin e tyre në fushën e mendimit e japin rregullisht me artikuj në median e shkruar.

Edhe Shkolla e Kembrixhit është kritikuar nga shumë fronte. Nga një anë, historianët që punojnë në kontekste me materiale si historia sociale kanë kritikuar fokusin e shkollës mbi idetë, ndërsa Christopher Goto-Jones ka argumentuar se shkolla ka neglizhuar kontributet joperëndimore në historinë intelektuale.

Ky mendim filozofik do të prezantohet ditën e mërkurë në një ceremoni në “Chatou Rexhekri” ku të pestë pedagogët, njëherazi mendimtarët dhe vëzhgues të jetës politike do të prezantojnë më gjerësisht projektin e tyre dhe frymëzimin.

Shkolla e Kembrixhit ka pasur ndikim të konsiderueshëm mbi zhvillimin e historisë së mendimit politik. Mbase ka ardhur koha që edhe Shqipëria të ndikohet nga filozofët e saj, sa i përket mendimit politik.

UET dhe lëvizja e filozofisë anglosaksone

Universitetet janë terrenet më pjellore për krijimin e debateve dhe rrymave të reja të mendimit social, politik e filozofik. Në Universitetin Europian të Tiranës ka vite që mendohet për krijimin e një lëvizjeje të mendimit filozofik, me fokus kryesisht në filozofinë analitike. Kjo bëri që të krijohej edhe Klubi i Filozofisë “Russell”, ku rregullisht mblidhen për të debatuar pedagogë, doktorantë dhe studentë të cikleve të tjerë dhe çdo vit organizohet konferenca “Anuarët e Filozofisë” në Llogora. Gjithashtu UET ka botuar veprës së filozofit Roger Scruton dhe idenë e hapjes së Degës së Filozofisë.

“Shkolla Kontekstualiste e Tiranës” është një qasje, e cila nuk ka të bëjë me ndarje politike dhe si metodë i nënshtrohet filozofisë analitike dhe debatit “Shkolla Kontinentale vs. Anglosaksone”. Këta pesë pedagogë i vëzhgojnë çështjet politike, debatojnë dhe përpiqen të përdorin kontekstualizmin për të vëzhguar jetën publike.

Who’s Who

Klementin Mile, Doktor shkencash në UET, filozofi politike, kryesisht epistomolog,

Ervis Iljazaj, PhD në Shkenca Politike në Universitetin La Sapienza,

Besart Kadia, Doktor Shkencash në UET, ekonomist, makroekonomist,

Arjan Curi, në përfundim të doktoraturës në filozofi në Universitetin e Tiranës, filozofi metafizike,

Fitim Zekthi, doktorant në Shkenca Politike UET, asistent lektor.

Marrë nga "Mapo" /Tiranapost.al