SPORT

De Biazi zgjedh formacionin me të cilin do të luajë ndaj Italisë

Shqipëri mbrojtëse në Palermo. Kjo është ajo që pritet të hedhë në fushë trajneri i kombëtares Xhani De Biazi për ndeshjen ndaj Italisë.

Gjatë grumbullimit në "Hotel Tropikal" në Durrës, në stërvitjen e së mërkurës paradite, trajneri i kuqezinjve ka shuar të gjitha dilemat për mënyrën se si do të luajë ndaj Italisë.

Bie në sy fakti se për herë të parë De Biazi do të hedhë në fushë 5 mbrojtës ku hapësirat e lëna pas mungesave të Gjimshitit dhe Mavrajt do ti zëvëndësojë me Kukelin, i cili ka dhënë prova të mjaftueshme në të shkuarën se luan mirë në këtë pozicion, ndërsa së bashku me të do të jenë edhe Ajeti e Veseli.

Balotazhin e portës e ka fituar Strakosha, kuotat e të cilit u rritën ndjeshëm në dy muajt e fundit pas paraqitjeve mjaft të mira me Lazion.

Në sulm do të jetë Sadiku, ndërsa deri diku befason fakti se trajneri nuk ka zgjedhur ti japë minuta si titullar Xhakës, Abrashit dhe Lilës, lojtarë të cilët kanë parametra fizikë shumë të lartë dhe mund të ishin të nevojshëm në një ndeshje si kjo ku Shqipërisë i duhet të derdhë shumë djersë.

IMG_9055