SPORT

De Biazi-Shqipëria, ka nisur "fundi"

Xhani de Biazi praktikisht nuk ishte më trajner i Shqipërisë që pas fundit të europianit të Francës.

Kontrata e tij ish rinovuar automatikisht madje me një bonus në rritje të eliminatoreve të shkuara, por ai po kërkonte diçka më te mirë. Shqipërinë e kishte në xhep, askush nuk guxonte të mendonte që mund të vijohej pa të.

Trajneri ka një rrogë 42 mijë euro në muaj ndërkohë që nëse do ta prishte ai vetë akordin në verën e 2016 duhet të paguante 100 mijë.

Për pak sa nuk u bë trajneri i Italisë dhe patjetër që në një rast të tillë do ti kish paguar këto para me shumë qef.

Priti disa momente që nuk erdhën kurrë, pati kontakte me klube e kombëtare por mesa duket asnjëra nuk ia mbushi mendjen. Qëndroj te Shqipëria tha me vete fundja këtu marr 42 mijë euro në muaj, jam një hero dhe askush nuk guxon të më shkarkojë.

Tani mesa duket fundi i marëdhënies 5 vjeçare është shumë pranë. Çdo gjë si në jetë është një cikël dhe pasi pa kulmin tani po sheh rënien.

Nëse trajnerit do ti vijë një ofertë e mirë në vere sidomos nga ndonjë klub italian ai do largohet sa hap e mbyll sytë duke pranuar pagesat e 2-3 muajve të fundit që janë pikërisht ato 100 mijë eurot e klauzolës.

Nëse qëndron askush nuk do e shkarkojë. Nëse trajneri ikën sot FShF duhet të paguajë afro 250 mijë euro dëmshpërblim shifër shumë e madhe për një federatë modeste.

Gjithsesi gjasat janë që në verë trajneri do largohet. Ai nuk dëshiron te rrezikojë që 2017-2018 ta gjejë në Shqipëri sepse në këtë rast pas tetorit do ta kish shumë te vështirë që te gjente ekip.

Dashuria po mbaron, Shqipëria dhe De Biazi ishte e bukur për aq sa zgjati. Pyetja është: A do shndërrohet gjithë ai pasion të paktën në respekt?!