SPORT

De Biazi rrëfen edhe një herë sherrin me Xhakën

Në një intervistë të dhënë për Opinion tek gazetari Blendi Fevziu, trajneri i kombëtares ka rrëfyer edhe një herë problemin e ndodhur me Taulant Xhakën:

“Nuk është se nuk zgjodhi Zvicrën, ishte Zvicra që nuk e deshi dhe pastaj erdhi te Shqipëria. Më bëhet qejfi që është i lidhur më bluzën, e tregoi edhe rastin e fundit, duke lënë shokët vetëm. Shkoi te klubi. Pse? Se nuk luajti kundër Italisë dhe se mendonte se kishte padrejtësi kundër tij dhe se më e mira ishte të luante me skuadrën e tij”, tha De Biazi.

“E vetmja herë që nuk luajti më parë ishte Lihtenshtejn që të çlodhej për Spanjën dhe ishte strategjike. Me Italinë kisha nevojë për dy lojtarë me karakteristika të ndryshme dhe janë bërë vlerësime nga stërvitjet gjatë javës.

Kemi bërë 6 seanca stërvitore dhe të gjitha monitorohen, aty tregohet kush vrapon në një mënyrë apo tjetër, të dhënat e tij ishin negative. Ai po luan te Bazeli dhe është i lumtur atje, dhe klubi i lumtur me të. Por sa më përket mua është një lojtar si gjithë të tjerët.

Me të nuk kam pasur asnjë debat, por ishte një SMS që më dërgonte në orën 1.10 te natës ku më kërkonte të flisnim. Me çoi SMS pas Italisë në atë orë, e pashe të nesërmen në mëngjes se në atë orë e mbaj të fikur telefonin, jam person normal. Në mëngjes kur u zgjova pash edhe një të dytë e të tretë ku më shkruante se do largohej.

E takova të nesërmen në hollin e hotelit. I thashë shko, shko i qetë. A do kthehet? Nuk varet nga unë, por nga sjellja se ka gabuar. Janë edhe episode të tjerë larg kamerave, për të cilat nuk dua të flas, nuk jam 27-vjeç si Taulanti që thotë gjëra. Duhet të kuptoni që ka disa dinamika në kokën e lojtarëve, çdo gjë shkon mirë kur luan dhe jo nëse nuk luajnë”.