• Shqip
  • English
  • E martë, 18 Qershor 2019
  • Shqip
  • English
  • Në rresht të parë Të gjitha TIP top

    Data u vendos… nga t’ia nis?!


    Sapo një nuse e ardhshme vendos datën e dasmës, fillon të hyjë në gjendjen e parapërgatitjeve për ditën e madhe. Pikëpyetjet janë të shumta se, helbete nuk është martuar ndonjëherë :). Maksimumi ka dëgjuar nga eksperiencat e shoqeve të sapomartuara ose në rastin më të mirë ka martuar motrën më përpara. Në shkrimin e sotëm do t’ju ndihmoj, duke ju orientuar se nga t’ia nisni me përgatitjet dhe organizimin.

    Ky shkrim është për çiftet në përgjithësi dhe nusen në veçanti.
    Pikë së pari, duhet të dini se organizimi i një dasme ka për armik improvizimin, ndaj nëse keni menduar që në dasmën tuaj do të improvizoni, thjesht harrojeni. Ka pa fund detaje për të cilat duhet të kujdeseni dhe në gjërat që do të gjeni të listuara më poshtë do të kuptoni që renditja është bërë në bazë të rëndësisë dhe se kujt i do dhënë përparësi. Në këtë mënyrë do t’ju lehtësoj punën. Nuk po ju konfuzoj, duke ju përcaktuar kohën se kur duhet të filloni me organizimin pasi kjo pikë është zgjedhje personale. Ka nga ata që i filljonë përgatitjet në më shumë se një vit përpara dasmës, e ka që preferojnë ta fillojë organizimin 2 muaj përpara datës. Nisur nga kjo, unë po i rendis duke i quajtur ‘’hapa’’.

    HAPI I PARË

    Përcaktoni llojin e ceremonisë që doni të keni, civile apo fetare.
    Stinën në të cilën do të zhvillohet dasma.
    Temën, ngjyrat, llojin e dekorit që do të kesh (zakonisht me këtë merret nusja).
    Buxhetin në dispozicion (e pamundur të organizosh një dasmë pa përcaktuar me përafërsi se sa ke mundësi të shpenzosh).
    Agjencinë për të organizuar dasmën tënde: PO ose JO (nëse PO, është momenti i duhur për të kontaktuar një të tillë, pasi ndihma e një agjencie do të lehtësonte punën ndjeshëm).

    HAPI I DYTE
    Vendosni datën dhe orën ekzakte kur do të mbahet ceremonia, kontaktoni priftin ose punonjësin e bashkisë për burokracitë. Mund të duket e habitshme vendosja e orarit kohë më parë, por sezoni i lartë reflektohet ndjeshëm dhe në ceremonitë fetare.


    Hartoni listën e të ftuarve, jo përfundimtare. Një numër i përafërt i saj është vendimtar në përzgjedhjen e lokacionit dhe në vendimin nëse do të keni një festë të përbashkët apo një dasmë tradicionale, ku secili bën festën e vet. Nëse festa është e përbashkët, do të kurseni ndjeshëm, pasi bëhet fjalë jo më për 2 dasma por për 1.
    Zgjidhni vendin ku do të zhvillohet festa, filloni të bëni disa vizita dhe kërkoni nga miqtë rekomandimet e duhura për një vend, ku të mos mjaftoheni vetëm me ambientin e bukur, por dhe që ushqimi t’ia vlejë. Në të tilla raste, personalisht i besoj marketingut gojë më gojë. Ai nuk zhgënjen kurrë.
    Rezervo make up artistin, shërbimin e fotografik dhe të kameras, bandën live apo DJ, që do të ketë rolin kryesor në darkën e dasmës.

    Dërgoni “SAVE THE DATE”, sidomos nëse data që keni zgjedhur për t’u martuar është në sezonin e pushimeve. Kjo do ndihmojë miq e të afërm në organizimin e pushimeve të tyre, në mënyrë që të mos mungojnë në dasmën tuaj.


    Fustani i nusërisë. Fillo me kërkimet. KUJDES! Nëse muajt në dispozicion janë më pak se 5, duhet të vihesh në lëvizje, jo se do të mbetesh pa fustan, por zgjedhjet mund të limitohen, sidomos nëse bëhet fjalë për ta marrë me qira fustanin e nusërisë.

    Zgjidh shoqërueset dhe komunikoji atyre ‘’detyrën’’ që i pret.
    Ky është momentit që buxhetit duhet t’i jepni zëra konkretë, duke përcakruar shpenzimin për çdo element të nevojshëm në dasmë. Këtu ka gjasa që stresi t’ju shtohet :).

     

    HAPI I TRETE
    Tani që fustani u zgjodh, vazhdo me aksesorët e nevojshëm si këpucët, veshjet intime, bizhuteritë.

    Vendosni llojin e luleve që do të përdoren, zgjidhni unazat, bonbonierën, bëni listën e dhuaratave (nëse nuk parapëlqeni zarfin:-), në këtë rast ngarkoni dikë të afërt që t’u komunikojë të ftuarve parapëlqimin tuaj).
    Beni website-n e çiftit (një modë e re kjo për çiftet me banim në SHBA, të cilët dasmën e bëjnë në Shqipëri pranë të afërmve. Ide e bukur, por jo e domosdoshme )

    Zgjidhni mbajtësen e unazave dhe librin e urimeve (dërgojini për t’i personalizuar, nëse i doni të tillë).
    Prenotoni muajin e mjaltit

     

    HAPI I KATËRT
    Kujdes! Hapi i katërt korespondon me rreth 2 muaj përpara dasmës.
    Ndani ftesat
    Përzgjidhni menunë.
    Zgjidhni këngën me të cilën do të ecni në altar apo vallëzimin e parë. Një këshillë këtu: jo gjithmonë leksionet e vallëzimit bëjnë punë. Nëse jeni çift që nuk keni qenë ndonjëherë mahnitës në vallëzim, mos e ktheni në qëllim të dukeni si ata tek “Dancing with the Stars” dhe thjesht do përfundoni duke bërë lëvizje të ngrira e duke numëruar hapat me buzë. Ndaj më mirë dedikojuni një vallëzimi spontan, por të ndjerë, me një këngë që të dy e doni. Eshtë kaq e dukshme kimia në çift në ato momente dhe thjesht ajo do transmetuar tek të tjerët.
    Përcaktoni tortën, momentin kur ajo do të ndahet.
    Kontrolloni nëse pasaportat i keni në rregull për muajin e mjaltit.

    1 MUAJ PËRPARA
    Keni filluar të ndjeni stresin? Keni ndjesinë se ka gjëra që nuk i keni bërë? Koha nuk ju mjafton për asgjë? Eshtë moment i duhur për të ritakuar ëedding planer-in, i cili do t’ju ndihmojë me përmbledhjen e situatës. Nëse doni të mos shqetësoheni dhe çdo gjë të shkojë sipas asaj që keni ëndërruar, ju duhet një koordinatore për ditën së dasmës. Nëse nuk ke buxhet për një të tillë, të bëhet gati shoqja e ngushtë :).
    Një këshillë më tepër për nusen: Mos provo asnjë trajtim estetik dhe ngjyrë flokësh që nuk e ke eksperimentuar më parë.

    2 JAVË PËRPARA
    Mos harroni të tërhiqni unazat.
    Mendoni çfarë do merrni në valixhe përgjatë muajit të mjaltit.
    Dedikojini vetes një ditë relaksi.

    1 JAVË MË PARË
    Merrni konfirmimet nga të gjithë ata që nuk ju kanë konfirmuar ende pjesëmarrjen në dasmë.
    Bëhuni gati për një debat të fortë me të afërmit, për vendosjen e të ftuarve nëpër tavolina. Informohuni mirë cila teze nuk flet me cilën hallë :).
    Bëni festën e beqarisë (por jo 1 ditë përpara dasmës).

    3 DITË PËRPARA
    Kontaktoni me të gjithë furnitorët që do t’ju ofrojnë shërbimet për ditën e dasmës. Nëse keni luksin e një wedding planeri, thjesht relaksohuni dhe shijojeni.
    Përgatisni zarfet me pagesat që do të kryeni për shërbimet, dorëzojani këto zarfe një personi të besuar që do të kryejë pagesat, kur ju të jeni duke udhëtuar për muaj mjalti :).
    Dorëzojini unazat dëshmitarve të aktit të celebrimit.
    Tërhiqni biletat e muajit të mjaltit.
    Bëni gati valixhen.

    1 DITË PËRPARA


    Çfarë e keni bërë e keni bërë, mos mendoni më për asgjë. Tani duhet vetëm të përgatiteni për ditën e madhe.
    Përgatit një çantë elegante, ku të kesh celularin, shaminë, buzëkuqin dhe çelësat e shtëpisë. Të gjitha këto lërja mikeshës tënde të ngushtë, e cila do jetë gjithmonë pas teje atë ditë.
    Bëj një pasdite relaksi vetëm ose me shoqet në një SPA; është ajo që të duhet.

     

    DITËN E DASMËS

    Atë ditë nuk duhet të mendoni për asgjë, veç shijojeni. Çdo gjë do t’ju duket si një çast!
    Vetëm gjatë muajit të mjaltit do ta gjesh veten duke diskutuar me burrin tënd (fillo të mendosh që tani e tutje do ta quash kështu :), për momentet dhe emocionet e dasmës, duke risjellë në mend çdo moment që mbart këto emocione të paharrueshme, momente që do të skaliten përjetë në mendjen tuaj.

    Jetë të lumtur, plot me kolopuça :).

    Lexohemi së shpejti.

    Marçela Lati / Tiranapost.al