• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 16 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Në rresht të parë Të gjitha TIP top

    Dasmë 2 në 1. Edhe nuse edhe shtatzënë


    Në katër vitet e fundit ka një rënie të ndjeshme të dasmave në atë minisezonin e nuseve shtatëzëna. Jo jo… mos u shqetësoni! Kjo nuk ka te bëjë me uljen e lindshmërisë në Shqipëri :). Vajzat, që dikur vendosnin të bënin dasmë sapo merrnin vesh që ishin në pritje të një bebi, tani kanë ndryshur kurs. Një pjesë e tyre preferojnë që të sjellin në jetë bebin dhe (me të drejtë) në ditëlindjen e parë të fëmijës të bëjnë një festë të madhe ditëlindjeje – dasmë, të dyja së bashku. Ky është një trend i ri për në Shqipëri dhe, të them të drejtën, shumë më i pëlqyeshëm edhe për ne të sektorit.

    T’i shërbesh një nuseje në pritje të ëmbël është bukur, kur pritja është vetëm e ëmbël, pa sikletet e vogla të një shtatzënie, që vetëm kush i ka provuar i kupton. Gjëja e parë që çdo vajze i shkon në mend është vetëm mungesa e linjave të bukura, të cilave u thua “bye bye” për ca kohë, për të mos folur për rastet me tension të ulët e ndjesinë e të përzierave. Sigurisht që kjo nuk është gjëndja më favorizuese për të përjetuar dasmën tënde.
    Megjithatë, ka dhe raste kur pritja është vërtet e ëmbël dhe nusja e ardhshme e përjeton shumë bukur shtatzëninë dhe përgatitjet e dasmës. Për këtë do t’ju flas në shkrimin e sotëm.

     

    Foto nga arkivi i Geraldina Sposa

    Rasti ideal, sipas mendimit tim, do të ishte kur një pjesë e vajzave preferojnë ta evidentojnë barkun e tyre të rrumbullakosur, duke zgjedhur një veshje nusërie të ngushtë. Kur nusja në pritje të ëmbël ka një trup të gjatë dhe elegancës së saj i shtohet vetëm barku i rrumbullakosur, pamja është mbresëlënëse dhe emocionuese. Personalisht kam mbetur e mahnitur nga pamja e shoëgirl-it Ilary Blasy në martesën e saj me futbollistin italian Francesco Totti. Ishte viti 2005 dhe deri atëherë nuk më kishte rastisur të shihja një nuse shtatzënë me dëshirën për ta ekspozuar barkun.

    Futbollisti Francesco Totti dhe showgirli Ilary Blassi, gjate ceremonise se marteses

    Kujtoj që në fillimet e Geraldinës vajzat që vendosnin të martoheshin shtatzënë ishin shumë. Për shkak të mentalitetit, ishte e paperceptueshme që vajza të bënte fëmijë pa u martuar dhe ndikuar nga ky lloj mentaliteti ne të sektorit kishim detyrën e vështirë ta bënim nusen të mos i dukej barku. Një gjë aq të bukur sa pritja e një fëmije vajzat duhet ta fshihnin. Dhe në rastet kur për shkak të moshës së shtatzënisë ky kthehej në mision të pamundur, shitja nuk realizohej. Jo në pak raste kishte vajza që thoshin “Nuk më pëlqen, se nuk më duket beli” (d.m.th. aty kur dikur ka qenë beli :)).
    Si në çdo gjë, ne shqiptarët dhe këtu i thyem barrierat.

     

    Foto nga arkivi i Geraldina Sposa

    Sot nuset që zgjedhin të martohen shtatzënë janë krenare për barkun e tyre dhe nuk përpiqen ta fshehin, përkundrazi, kur janë vajza shtatlarta e me linja të mira, zgjedhin fustane, që siç thashë më lart, e evidentojnë dukshëm barkun e tyre, madje ka nga ato nuse që preferojnë dhe të pamjen sexy, edhe pse shtatzënë. Modelet e përshtatshme për nuset në pritje të ëmbël, kur linjat nuk janë më të rregullta, janë padyshim fustanet, të cilat e kanë prerjen poshtë gjoksit dhe nuk kanë shumë volum.

     

    Foto nga arkivi i Geraldina Sposa

    Ky model fustani, përveçse është mjaft romantik në dukje, të jep mundësinë që të mos kesh surpriza në ditët e fundit. Kujtoni që vajzat pas muajit të tretë të shtazënisë fillojnë rriten me orë, dhe për shkak të punës, ne të sektorit jemi bërë pakëz gjinekologë :).
    Dikur, ngjyra e duhur për një fustan nusërie duhet të ishte larg të bardhës bore, që simbolizon virgjërinë, sidomos nëse bëhej fjalë për martesën në kishë: e përshtatshme ngjyra bezhë ose rozë antike. Megjithatë, në ditët që jetojmë kjo zgjedhje varet nga mentaliteti në të cilin jetoni. Nuk duhet hequr dorë nga ëndrra, vetëm se po pret një bebe. Sot kisha është më mendje hapur në lidhje me fenomenin e të martuarit shtatzënë. Nese prifti nuk e mbyll një sy, thjesht ndërroni prift :).

     

    Foto nga arkivi i Geraldina Sposa

    Të preferueshme ngjyrat e pastelit, sidomos nëse dasma do qëllojë në pranverë. Tonalitetet e mentes, rozës, pjeshkës ose bojëqellit të lehtë, të kombinuara me panën, e përkufizojnë më së miri pritjen e ëmbël. Materiali duhet të jetë i butë, mëndafsh, shifon ose tyl i butë.

    Nëse vendosni të martoheni shtatzënë, periudha më e përshatshme është nga muaji i 3-të deri në muajin e 6-të të shtatzënisë. Periudhë kjo, kur kanë kaluar shqetësimet e fillimit dhe pa u rënduar më tepër, rëndesë kjo që merret pas muajit të gjashtë. Bëjeni dasmën brenda muajit të katërt të shtatzënisë, nëse nuk doni të hiqni dorë nga muaji i mjaltit, i cili do të zëvendësohet me një ëeekand të gjatë, duke pasur parasysh kushtet.
    Evitoni të bëni dasma tradicionale me 2 darka. Një festë e përbashkët do t’ju mundësonte që dhe ta shijoni dasmën tuaj. Më e rekomandueshme një party, ku vetëm nuses nuk i lejohet të pijë :).

    Një ide e bukur do të ishte që të gjendej një mënyrë interesante për t’iu komunikuar gjininë e fëmijës të afërmve në një moment të dasmës. Ose të zgjidhni ta ndani lajmin e mrekullueshëm të shtatzënisë tamam gjatë dasmës. Moment i dhurimit të konfetave do të ishte ideal. Mund të zgjidhni të dhuroni një souvenir, ku mund të përfshini ngjyrën rozë ose bojëqielli, për të zbuluar gjininë e fëmijës ose një souvenir biberon kur doni të komunikoni shtatzëninë :).

    Propozim nga Argjendari Pirro

    Nga statistikat që vërej në këto 3 vitet e fundit tek Geraldina, e them me bindje se vajzat që zgjedhin të martohen shtatzëna janë gjithmonë e më pak (për këtë do t’ju flas në shkrimin e ardhshëm), trendi po ndryshon. Megjitha’të, përpara apo pas ardhjes së bebit, e rëndësishme është të martohesh për dashuri dhe jo për shkak të rrethanave  🙂

    Lexohemi së shpejti!
    Marçela Lati

     

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]