• Shqip
  • English
  • E shtunë, 20 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • Blogu i një vajze single, ose aty rrotull Të gjitha

    Dashuria e vërtetë shkon përtej pizhamave


    Një nga kujtimet më të forta të fëmijërisë, është ai i nuses së xhaxhait që kur vinte në shtëpinë tonë vinte gjithmonë erë të mirë, kishte në qafë gjithmonë rruaza të mëdha me ngjyrat e tokës dhe i lyente sytë fort me laps të zi: ja kështu e përfytyroja dhe unë veten të rritur. Atëherë nuk e dija fjalën “e kuruar”, por po të ekzistonte kjo fjalë, kur të më pyesnin se ç‘do bëhesha kur të rritesha, jam e sigurt që në vend të “mësuese”, pa një e pa dy do përgjigjesha “e kuruar”.
    Vite më vonë ishte po kjo nuse xhaxhai që ma mësoi këtë koncept, kur në një mëngjes të diele, teksa bënte kafen turke na këshillonte mua dhe të bijës, të dyja me pizhama fanellate dhe sytë ende të palarë, se si duhej që çdo mëngjes të mos dilnim nga banjoja pa bërë së paku një laps të zi tek sytë dhe një buzëkuq të lehtë. “Nuk e kuptoj se si mund të pispillosesh për gjithë botën ndërkohë që në shtëpi rri për faqe të zezë”, na thoshte. Me atë “shtëpi”, kuptohet që e kishte fjalën për atë “burrin” e nesërm, që sipas saj meritonte të na shihte të bukura më shumë sesa meshkujt e tjerë rrugëve (në fakt më shumë sesa për meshkujt unë mendoj që ne femrat pispillosemi për të bërë garë me njëra – tjetrën, por ky është një tjetër argument).
    Nga ato këshilla unë nuk është se nxura shumë. Kurse vajza e xhaxhait përfitoi vetëm atë të lapësit të zi, që duke e zëvendësuar me një penel kundra ujit, arrinte që ta kishte vizën mbi sy në çdo orë të ditës e të natës bashkë… Sa për të tjerat pastaj, për vite me radhë u nxorën zinë pizhamave të fanellatës, tutave të pambukut me gjunjët e varura, T-shirteve me ndonjë vrimë nëpër të, sa për ajrosje dhe flokëve të kapur pas kokës me kapëse ose një bisht kali në fund (nga ky zakon unë hoqa dorë me shumë dhimbje kur pata ankesa të tipit “dukesh si jot’ëmë”). Por nuk është se nga ky zakon kemi vuajtur vetëm unë dhe kushërira ime. Sepse të gjitha ato që njoh unë, shoqe a shoqe të shoqeve, kushërira a shoqe kushërirash, asnjëra prej tyre nuk rri në shtëpi e veshur si ato vajzat e reklamave, që duken të superkuruara edhe kur hanë gjithë sensualitet një lugë kos… Askush që njoh unë nuk I afrohet këtij imazhi.
    Le të marr shembull një kolegen time: e martuar prej pak vitesh, me një fëmijë një vjeç e gjysmë: jo vetëm që rri gjithë kohës me tuta, por dimrin e shkuar ishte njeriu më I lumtur në botë kur gjeti një palë me shtrat të lartë të cilat mund t’i ngrejë deri afër gjoksit, për të qenë e sigurt që nuk i ngrihet bluza dhe t’i futet i ftohti: “më ra shpirti rehat gjithë dimrin”, thotë e kënaqur. Sikur s’ka kuptim ta pyesësh ç‘mendon i shoqi për këto tutat apo jo?! Në fund të fundit dashuria e vërtetë shkon përtej tutave. “Ka shumë të drejtë”, – më thotë një tjetër, që ka të njëjtat kushte, një bebe të vockël: “Kur ke fëmijë që qajnë natën, i fundit I shqetësimeve është se si dukesh… unë madje këtë vit kam fjet gjithë dimrin me çorape. Nuk do merremi me të tilla budalliqe tani: po të dojë, le të flejë dhe ai me çorape, unë s’ankohem”.
    Është pastaj dhe shoqja tjetër. E pamartuar dhe pa fëmijë. Ka disa kohë që është ndarë. Nga ato ndarjet, kur ai befas thotë që diçka nuk shkon dhe se nuk ia vlen më, pastaj mbyll çdo kanal komunikimi. Ajo dorëzohet, qan, kalon periudhën e zisë dhe rinis jetën nga e para. Domethënë njeh një djalë, me të cilin vendos të dalë. Në një pikë ka frikë se mos përsërit gabimet e të shkuarës.

    Mirëpo nuk e di se cili është gabimi i lidhjes së fundit, ai tjetri nuk ia ka bërë të ditur… Ndaj vendos të mësojë të vërtetën dhe e fton për kafe. E bindur se tani që gjakrat janë ftohur, ai do t’ja thotë. Dhe kështu ndodh. Ai ia thotë. I thotë se gjatë muajve të fundit të lidhjes ishte ajo që ishte ftohur, që ishte bërë indiferente karshi tij, që s’donte t’ia dinte më për të, se nuk i interesonte fare mendimi i tij, se nuk i plaste fare për të… Dhe se ai e kishte ndjerë këtë, e kishte vuajtur në heshtje dhe kishte marrë vendimin që të shkëputej prej saj, përpara se ajo ta linte për ndonjë tjetër, për të cilin ndoshta po i binte ndërkaq në kokë. Sado që mikesha ime vret mendjen, s’i kujtohet të ketë pasur ndonjë sjellje të tillë në atë kohë, përkundrazi, ajo kishte vuajtur sa s’ka kur ishin ndarë. “Po si e kuptove ti, nga t’u mbush mendja që unë s’doja t’ja dija për ty”, – e pyet në fund. Dhe ai ia kthen: “sepse gjatë gjithë muajit të fundit, gjatë fundjavave kur ne qëndronim në shtëpi ti rrije vetëm me pizhama ose me tuta. Nuk e laje fytyrën deri në drekë dhe nuk lyheshe kurrë. Edhe flokët i mbaje vetëm me kapëse. Kurse kur dilje dhe shkoje në punë bëheshe e bukur. Bëheshe e bukur për të gjithë, përveçse për mua. Ndaj e kuptova që s’të interesoja më”.
    Askujt nga ne s’i kishte shkuar mendja këtu. Pizhamat tregokan mosinteresim! Edhe mungesa e tualetit. Edhe flokët e mbledhura… I mendoj këto të shtunën në mëngjes, kur sapo më del gjumi, duke bërë plane për të telefonuar vajzën e xhaxhait për t’i kërkuar markën e atij penelit antiujë dhe duke menduar se çdo vesh nëpër shtëpi në prani të Zemrës sime sot në mëngjes… Ngrihem dhe rrugës për tek banjo ndeshem me të: “zemër sa e bukur dukesh kështu…”
    Nusja e xhaxhait ia paska futur krejt kot. Këtu s’hykan fare pizhamat dhe lapësi i zi.

    *E drejta për ribotim vetëm me lejen e editorit të Tiranapost.al

    2 Komente

    1. Nje urim,pune te mbare me blogun dhe nje falenderim per mundesin qe na jepni per te lexuar dhe te tilla gjera te verteta.
      Ps:sapo jam zgjuar nga dy femije te vegjel…..dhe penel nuk kam blere nuk e mbaj mend se sa kohe ka?.

    2. Cfare kuptimi ka ky shkrim?! Cili eshte konkluzioni? Carrie Bradshaw e Fierit, megjithe respektin qe kam per Fierin, ben ca artikuj qe dhe ne klase te 5-te do kishin me shume nivel, pa hyrje, zhvillim, konluzion, pa gjuhe te pasur, pa ofruar ndonje opinion, zgjidhje, sugjerim dhe e bukura eshte qe ka njerez qe i lexojne keto pacavure dhe i shperndajne. Turp per kete nivel!