Aktualitet

Dakord me ty Mira: viti i kthesës ky, për këtë panair... por ndoshta edhe për një arsye tjetër

Dakord me ty Mira: viti i kthesës ky, për këtë panair... por

Nga Bieta Sulo/ Panairi i VIP-ave u etikua ende pa nisur mirë, ngjarja me e rëndësishme e vitit për librin në Shqipëri. Arbana Osmani prej muajsh kishte dhenë lajmin për librin e saj të dytë dhe në vijim e mbajti “zjarrin e vëmendjes” ndezur deri mëngjesin kur agjensia e organizimit të eventeve mbërriti në apartamentin e saj për mbrëmjen e madhe: ajo do të prezantonte librin tek 30 miqtë e saj më të ngushtë. Vetëm 30... pra të gjithë të tjerët do të duhej të rendnin në Panair për të qenë miqtë e saj, sikundër ndihen në Instagram. E kështu me radhë: Iva Tiço, për shumë shkrime të saj, simpatikë, të botuar ndër vite na kishte dhënë ngacmimet e duhura që të prisnim tashmë të ishin së bashku të përmbledhur në një libër; Angela Martini, gjithashtu me historinë prej hirusheje të jetës së saj... etj.. ... PR i shkëlqyer. Realizuar nga vetë këto protagoniste, me shpenzimet e tyre, me mjeshërinë e tyre, duke vënë në përdorim gjithë eksperiencën e fituar nga zanati i perditshëm dhe duke mbajtur mbërthyer të gjithë ndjekësit, e shumtë, pas 1 date: 13 Nëntor, dita e hapjes së dyerve të Pallatit të Kongreseve për librin dhë gjithë ndjekësit e tij... s’kaluan shumë orë dhe fluksi, pjesëmarrja e këtyre ndjekësve për të pëlqyerit e tyre u vërtetua me foto e video nga vetë këta të fundit.

Tani këtu, kam një pyetje. A do t’ia kishin dalë dot organizatorët dhe botuesit bashkë, t’i sillnin mijëra ndjekësit e Arbanës, Ivës, Anxhelës, dhe për më tepër, këtë target grup, këto grupmosha në Panair? Besoj biem dakort që: Jo. Ndoshta në këtë realitet të pushtimit të vëmendjes nga rrjetet sociale s’kanë edhe faj pse nuk do t’i mblidhnin dot. Ndoshta kjo turmë “injorantësh” as nuk iu intereson ose ndoshta gabimi i tyre është që nuk kanë ditur ta tërheqin dhe orientojnë këtë masë të interesuarsish edhe në stendat ku ka VIP-a të letërsisë dhe jo të ekranit. Që ky brez i ri ka këto shije dhe mungesë vëmendje ndaj librit të gjithë e vënë në dukje, por per mua Arbana, Iva dhe gjithë emrat e tjerë VIP-a, bënë më shumë se sa “biznesin” e tyre. Ata i shkulën nga divanët e shtëpisë apo karriget e lokaleve, ia shkëputën vëmendjen nga celulari përmes celularëve, i vunë në kontakt me librin, me ambientet e Pallatit të Kongresve që vinte aromë letre dhe u treguan ndjekësve të tyre që ekzistojnë edhe librat dhe madje janë edhe trendy. Këtë “shërbim” të VIP-ave, që edhe mund të mos e kenë pasur fare në qëllimet e tyre, pra publikun e instagramit në pjesëmarrës të një panairi me libra, duhej të mos e kishin humbur organizatorët dhe botuesit gjithashtu. T’ia tregosh librin, t’ia lezetosh atë dhe të arrish t’ua mbash interesin “këtyre” që sot quhen ndjekësa (dhe që pa ta nuk bën dot)... por duhet bërë në gjuhën që ata të kuptojnë.../Tiranapost.al

http://www.tiranapost.al/viti-i-ktheses-se-madhe-ne-panairin-e-librit-me-ne-fund/