Ta thotë doktoreshë Silva

Ç't'i bëj lëkurës time që i bën kapriço vjeshtës?

Ç't'i bëj lëkurës time që i bën

Vjeshta është periudha e vitit gjatë së cilës lëkura pëson më shumë ndryshime. Si pasojë e uljes së temperaturave dhe rënies së nivelit të lagështisë së ajrit (si dhe përdorimit të kondicionerëve) lëkura dehidrohet e mund të paraqesë shqetësime të ndryshme si ndjesia e tharjes, skuqje, irritim  apo shpërthim të simptomave të patologjive kronike si akne, dermatit seborreik ose atopic, eczema, psoriazë, etj.

Në rastin e lëkurave të yndyrshme e me tendencë akneike gjendja bëhet më problematike sepse qelizavet e vdekura të sipërfaqes së  lëkurës (pasojë e procesit normal të rigjenerimit të saj dhe e shtuar nga dehidrimi) përziehen me yndyrën nëpër pore duke formuar tapa që i bllokojnë dhe favorizojnë mbivendosjen e baktereve në to. Rezultati është një lëkurë e mbushur me pika (komedone) të bardha e të zeza si dhe pucrra (akne). Për këtë arsye, te këta persona rekomandohet përdorimi i larësve të fytyrës me efekt sebum-rregullues, krem hidratues në formë xheli ose matifikues- jo komedogjenik (lejon frymëshkëmbiminnë nivel  qelizor pasi nuk i bllokon poret e lëkurës). Po kështu në këta persona rekomandohet të kryejnë peeling profesional i cili eleminon qelizat e vdekura, papastërtitë e grumbulluara në sipërfaqe, rregullon yndyrosjen dhe ndihmon në përtharjen më të shpejtë të akneve.

Njerëzit me tendencë tharje lëkure përjetojnë akoma më shumë tharje, skuqje e irritm të saj, dhe rrudhat (edhe ato fine) vihen më tepër në dukje,ndaj kanë nevojë për të përdorur produkte hidratuese e ushqyese intensive në rutinën e përditshme. Krahas këtyre rekomandohen trajtime profesionale si injeksione me plazma dhe vitamina me efekt rigjenerues e hidratues që e bejnë dukshëm më të shkëlqyeshme e me më shumë jetë lëkurën.

Një tjetër ndryshim i lëkurës që vihet re pas ekspozimit në diell janë njollat kafe (hiperpigmentime, melazmat) pasojë e grumbullimit të pigmentit melaninë në shtresat kutanë. Reduktimi i tyre është i vështirë, sidomos nëqoftëse nuk trajtohen menjëherë pas formimit. Në këto raste rekomandohet përdorimi i serumeve dhe kremrave antinjollë me përmbajtje vitamine C, acid kojik, azelaik, retinol etj.

Njollat mund të trajtohen në mënyrë profesionale me trajtime periodike me peeling, biorevitalizim antinjollë, mezoterapi, dermapen, lazer të fraxionuar etj të shtrira në kohë sipas një skeme të përcaktuar nga dermatologu juaj.

Pavarësisht llojit të lëkurës, në përditshmëri, rekomandohet pastrim dhe eleminim i qelizave të vdekura të saj, aplikim kremi hidratues si dhe përdorimi i rregullt i kremit mbrojtës ndaj diellit çdo ditë.  Filtrat e rekomanduar janë spf 15-30, përvec rasteve me sëmundje të caktuara kutane ose nën trajtime specifike që kërkojnë mbrojtje më të lartë ndaj rrezatimit UV.

Gjithashtu duhet të theksoj se kujdesi nuk duhet përqëndruar vetëm te lëkura e fytyrës por te i gjithë trupi duke aplikuar produkte që eliminojnë qelizat e vdekura të sipërfaqes (skrub, eksfoliant) si dhe krem hidratues e zbutës.

Dr. Silvana Mishtaku

Mjeke dermatologe-venereologe,

Klinika Vivia, Spitali Amerikan

Email:  HYPERLINK "mailto:[email protected]" [email protected]

Instagram: Silvana Mishtaku