• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 17 Korrik 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Modë Nën lupën e Stela Sallakut

    Ç’të futësh në valixhen e pushimeve të shkurtra të dimrit


    Më ka ndodhur shpesh të shkoj me pushime diku dhe të mos kem veshje të nevojshme në valixhe. Kjo, sepse nuk kam parë motin ose mund të më kenë dalë takime të paparashikuara. Më ndodhi vjet në Holandë, kur shkova për një vizitë treditore pune. Ishte ende shtator, por i ftohti i Amsterdamit krahasohej me janarin në Tiranë. Ndërkohë, xhaketa më e plotë dhe e trashë që kisha marrë me vete ishte një lana e zezë. Mirë që e vesha poshtë me golf dhe funde të trikotuara, në këtë mënyrë praktikova dhe trendin e shtresave.


    Më lejoni t`ju them se të paketosh qoftë për udhëtime biznesi apo pushimesh nuk është aq e thjeshtë sa duket. Dhe për këtë temë në revistat e modës flitej dhe diskutohej thuajse çdo muaj. Si të jemi efektivë dhe të organizuar kur na duhet të udhëtojmë për disa ditë larg shtëpisë, larg dollapit dhe larg gjërave tona? Më kanë pëlqyer sugjerimet e konsulentes së modës, Sofia Sanchez De Betak, për Net-a-Porter (linkun e keni tek emri i Sofias).

    (Foto nga Pinterest)

    Por patjetër që për secilën prej nesh lista e paketimit është e ndryshme. Varion nga vendi ku do shkojmë, arsyeja e udhëtimit dhe koha që qëndrojmë aty. Fillimisht zgjidhni një valixhe cilësore, të fortë dhe në ngjyrën që ju pëlqen. Më ka ndodhur të më jetë thyer ndonjë parfum ose krem i shtrenjtë brenda saj. Ndaj më besoni kur ju them “valixhe të mirë”. Përdorni çdo hapësirë të mundshme brenda saj, edhe tek cepat madje.

    (Foto nga Pinterest)

    Unë kur bëja gati valixhen, e filloja paketimin nga fustanet. Jo! Fillojeni nga gjërat më bazike, xhinse, pantallona të zeza (ose elementë nga gardëroba kapsulë). Sepse xhinset mund t`i vishni edhe me triko të leshta, t-shirt, këmisha, pra thuajse me çdo gjë. Merrni një çantë të madhe “tote”, të cilën e mbani në dorë gjatë udhëtimit ose dhe paradite. Dhe një ose dy të vogla për darkë. Këto të mbrëmjes zgjidhini me xixa, që të plotësojnë edhe veshjet më të thjeshta, me detaje mbrëmjesh.

    (Foto nga Pinterest)

    Trikot me ngjyra lërini në shtëpi, paketoni vetëm një bezhë dhe një të zezë. Një fustan ju duhet, se sido që të jetë, do dilni në mbrëmje për një darkë apo aperitivo. Një velvet të zi minimalist do thoja, por dhe vishnja është ide e mirë. Merrni një shall të madh të trashë, që ta keni nëse bëhet ftohtë. Këmisha e bardhë ju duhet patjetër, madje nëse keni vend merrni dhe një të zezë. Mos harroni një palë pizhama por jo shumë të trasha, se do ju zënë vend shumë. Atletet e bardha merrini pa asnjë hezitim, madje edhe një palë këpucë loafers të zeza për t’i veshur me kostum (nëse keni takime).

    (Foto nga Pinterest)

    Unë nuk preferoj të marr taka, por nëse keni takime të rëndësishme apo darka në restorant, merrni vetëm një palë nude. Kutinë e make-up-it merreni, por mos harroni setin me kremërat dhe serumin. Unë marr gjithnjë dhe shampot e mia, sepse s’më pëlqen të përdor ato të hotelit. Mund të ketë akoma detaje, por këto janë më kryesoret. Në varësi të udhëtimit, do t’ju duhet të shtoni ende. Merrni me vete gjërat që ju bëjnë të ndjeheni komode gjatë udhëtimit./Tiranapost.al

    (Foto nga Pinterest)