• Shqip
  • English
  • E enjte, 17 Tetor 2019
  • Shqip
  • English
  • Lifestyle Si mund të të ndihmoj Të gjitha

    Ç`të bësh me lëkurën kur s`pi shumë ujë?


    “Ajo që më shqetëson është se organizmi im nuk më urdhëron të pi ujë. Mund të pi një gotë në ditë e nëse kujtohem, edhe dy. Por vetëm sepse e detyroj veten, por ama ndodh shumë rrallë që unë të kem etje. Madje ka ditë që nuk pi as edhe një pikë ujë. Shumë herë e kam vendosur me veten time që do pi me zor dhe për ca ditë kjo gjë funksionon, por pastaj më merr rutina dhe harroj. Po shoh që në zonën rreth syve dhe buzëve kanë filluar të më shfaqen rrudha dhe lëkurën nuk e kam asnjëherë në formë të mirë. A ndikon dukshëm mungesa e ujit në pamjen e lëkurës? Jam e ndërgjegjshme gjithashtu që ky është një problem estetik por nuk e përjashtoj që ky regjim mund të më shkaktojë edhe probleme që nuk duken së jashtmi”, pyet një ndjekëse.

    Uji përbën 50-70 % të organizmit të njeriut dhe si i tillë është faktor kyç në mirëfunksionimin e tij. Uji në organizëm është i nevojshëm për të mbajtur peshen trupore normale, eleminuar toksinat, është pjesë e lëndëve si pështyma (e domosdoshme për mbrojtje antibakteriale, tretje etj), mirëfunksionim të muskujve, zorrëve, veshkave e çdo qelize e organi të trupit. Mosmarrja e vazhdueshme e sasisë të nevojshme mund të sjellë shqetësime nga më të lehtat e deri tek dehidrimi e për pasojë ulje të funksioneve të trurit dhe trupit, lodhje trupore e ulje të imunitetit. Pasoja për lëkurën është humbje e lagështisë së saj, elasticitetit e pamjes së freskët të saj, tharje e prishje e barrierës kutane e rrezik për infeksione. Po kështu rrudhat bëhen më të shprehura, toksinat nuk eleminohen e nëse normalisht keni problem me aknet, në pamjaftueshmëri marrje uji, ato shtohen.

    Fatmirësisht, organizmi zotëron mekanizma për të mbajtur nivelet e duhura të elementeve të domosdoshme (jo për kohë të gjatë!) duke ulur sasinë e eleminimit të ujit me anë të djersitjes dhe urinimit, e po kështu një pjesë e tij merret nëpërmjet ushqimeve, pijeve të ndryshme, frutave e perimeve me përmbajtje uji. Përsa i përket pjesës estetike të shqetësimit tuaj, ajo mund të përmirësohet me një sërë trajtimesh që reduktojnë rrudhat, hidratojnë e rrisin elasticitetin e lëkurës nëpërmjet injeksioneve të botox, acid hialuronik e vitaminave të ndryshme direkt në pjesët e lëkurës problematike. Por krahas kësaj është shumë e rëndësishme që ju të rregulloni regjimin e marrjes së ujit e për këtë mund t’ju vijë në ndihmë konsultimi me mjekun endokrinolog.

    Dr. Silvana Mishtaku
    Mjeke Dermatologe-Venereologe
    Klinika VIVIA-Spitali Amerikan 3
    Instagram: silvanamishtaku
    Email: [email protected]

    Reklamo biznesin tënd në TIP Na kontakto në [email protected]