• Shqip
  • English
  • E hënë, 27 Maj 2019
  • Shqip
  • English
  • Kontribues Lifestyle Ta thotë doktoreshë Silva Të gjitha TIP top

    Ç’të bëj për lëkurën time që skuqet, thahet, irritohet…?


    Përshëndetje Dr. Silvana. Unë kam një lëkurë të ndjeshme që skuqet, irritohet. Vende vende thahet e vende vende me pore të theksuara. Pra, më duhet të përdor disa lloje kremrash për ta normalizuar sadopak. Që të shpëtoj nga gjithë kjo rutinë e gjatë e sidomos që të mos më ikë gjysma e rrogës kremra, a mund të më sugjeroni një të vetëm që t’i përgjigjet lëkurës sime? Faleminderit

     

    Përgjigje nga Dr. Silvana Mishtaku

    Problematika e lëkurës tuaj është shumë e shpeshtë në fakt, e gjithnjë e më shumë shtohen rastet e lëkurave të ndjeshme për shkaqe nga më të ndryshmet, ku më duhet të përmend çrregullimet hormonale, ndotjen ambientale, mospastrimin e mirë të make up-it  si dhe stresin. Është shumë e rëndësishme të kryejmë një vizitë nga afër dhe të shihet gjendja reale e lëkurës tuaj, të diskutohen llojet e kremrave që keni përdorur, pasi në shumë raste, pavarësisht se mund të zgjidhni një markë të mirë kremi, nuk zgjidhni formulën e përshtatshme për lëkurën tuaj.

    Në ndihmë të përcaktimit të gjendjes së jashtme dhe të brendshme të lëkurës tuaj na vijnë në ndihmë edhe aparatura si VISIA, e cila bën një analizim kompleks të lëkurës, duke na dhënë informacion në lidhje me përqindjen e rrudhave, të hiperpigmentimeve (njollat) jo vetëm ato të dukshme me sy të lirë por dhe ato të akumuluara në thellësi të saj, zonat me elasticitet më të ulët dhe zonat më të ndjeshme të lëkurës e kapilarët e saj, gjendjen e poreve  si dhe përqindjen e papastërtive si rezultat i mbetjeve bakteriale në lëkurë ose mospastrimit të mirë të produkteve kozmetike.

    Pas përpunimit të këtyre të dhënave mund të përcaktojmë më saktësisht llojin e formulës të kremit të përshtatshëm për ju si dhe trajtimet përkatëse. Një trajtim i përshtatshëm për këtë lloj problematike që kryhet me seanca në distancë 4-6 javë nga njëra tjetra, që ju kursen kohë dhe në terma afatgjatë edhe rrogën tuaj, është dermapen me plazma dhe/ose vitamina.

    Siç e kam përmendur edhe në shkrime të mëparshme, kjo aparaturë mban patentën e teknologjisë microneedeling, dhe është e përshtatshme jo vetëm për trajtimin e rrudhave të para, por edhe për reduktimin e poreve, shenjave të ndryshme në lëkurë si psh shenjat e akneve, përmirëson elasticitetin e lëkurës dhe redukton diametrin e poreve. Kjo aparaturë, nëse përdoret ashtu siç duhet, është e përshtatshme edhe për trajtimin e gjendjeve mjekësore si rosacea (lëkurë që skuqet lehtë, sensitive e që nuk toleron pjesën më të madhe të produkteve kozmetike), dermatit seborrheik (lëkurë me pore të zmadhuara, skuqje e deskuamim, yndyrosje dhe pucrra), lëkura akneike e me shenja në stad të qetë, melazma e hiperpigmentime të ndryshme të lëkurës etj. Pavarësisht se i lehtë në aplikim rekomandoj që trajtimin ta kryeni pranë një mjeku dermatolog, i cili zgjedh në mënyrë objektive n.q.s. jeni i përshtatshëm për trajtimin në varësi të gjendjes aktuale të lëkurës, kombinimet e lëndëve që aplikohen gjatë dermapen si dhe kombinimin me trajtime të tjera.

    Fatmirësisht së fundmi ekzistojnë shumë trajtime që bëjnë të mundur të keni një lëkurë më të shëndetshme, e të mos detyrohemi të fshiheni në çdo moment pas make up dhe filtrave të aplikacioneve digitale.