• Shqip
  • English
  • E mërkurë, 21 Gusht 2019
  • Shqip
  • English
  • Kontribues Lifestyle Ta thotë doktoreshë Silva Të gjitha

    Ç’të bëj për duart e këmbët që më rrinë përherë të lagura?


    Pyetja drejtuar doktoreshës: Përshëndetje. Problemin që do t’ju tregoj kam vite që e vuaj. Duart dhe këmbët e mia, dimër e verë, janë përherë të lagura, të djersitura. Nuk djersij në asnjë pjesë tjetër të trupit. Pasi kalojnë disa orë, për shkak të djersës, duart dhe këmbët më ftohen shumë dhe marrin një ënjtje të lehtë, kurse lëkura e duarve më nxihet dhe bëhet disi e ngjitshme. E kam problem të takoj dikë e t’i jap dorën. Kam provuar një produkt antiperspirant të fortë por asnjë përmirësim. Ç’më këshilloni?

    Nga Dr. Silvana Mishtaku/ Problemi që ju paraqisni e që në gjuhën mjekësore quhet hiperhidrozë palmoplantare, është një gjendje e organizmit e karakterizuar nga numër më i madh i gjëndrave të djersës në këto zona. Pavarësisht se kjo gjendje nuk është kërcënuese (hiperhidroza primare), ajo shton ankthin, ul cilësinë e jetës e sjell kufizime të aktiviteteve të përditshme e punësimin në ambiente me shumë njerëz.

    Hiperhidroza ndahet në parësore-pa shkaqe të mirëfillta të vërtetuara e me predispozicion gjenetik; dhe hiperhidrozë dytësore-si pasojë e çrregullimeve endokrinologjike si hipertiroidizmi, diabeti, menopauza, etj. Pavarësisht formës, nëse ajo nuk trajtohet mund të përbëjë terren për infeksione më shpesh mykotike si rezultat i lagështisë të shtuar.

    Zakonisht forma e lokalizuar e hiperhidrozës me djersitje në zona të caktuara e jo në të gjithë trupin është primare e si e tillë pa mjekim medikamentoz specifik. Format e lehta mund të mbahen nëpërmjet përdorimit të produkteve antiperspirantë në formë spraj, peceta të lagura , pudër etj. Një nga trajtimet që mund të kryeni pranë mjekut dermatolog, për djersitjen e shtuar të këmbëve e duarve është jonoforeza. Kjo metodë bllokon gjëndrat e djersës nëpërmjet aplikimit të rrymës elektrike të ulët por të vazhduar në shputat e këmbëve apo pëllëmbëve të duarve të zhytura në solucion elektrolitik. Trajtimi duhet të përsëritet rregullisht në distancë disa javore.

    Trajtimi më afatgjatë (rreth 6 muaj) për trajtimin e djersitjes së shtuar kryhet nëpërmjet injeksioneve të botoxit (botoxi nuk ka vetëm funksion estetik në zbehjen e rrudhave, por edhe një larmishmëri të madhe indikacionesh mjekësore). Pasi përcaktohet nëpërmjet disa testeve të thjeshta zona me djersitje të shtuar, injektohet në mënyrë uniforme botox, i cili bllokon transmetimin e impulseve nervore në gjëndrat e djersës e për pasojë redukton djersitjen. Aplikimi i herëpashershëm i këtij trajtimi atrofizon gjëndrat e djersitjes duke bërë që seancat pasardhëse të zgjasin më shumë në kohë. Ky trajtim i thjeshtë e pa efekte anësore është bërë i zakonshëm tashmë për reduktimin e djersitjes së shtuar të sqetullave, pëllëmbëve të duarve e shputave të këmbëve në Amerikë e Europë dhe po shtohet çdo ditë e më shumë edhe në Shqipëri.

    Dr Silvana Mishtaku

    Mjeke dermato-Venereologe

    Klinika VIVIA, Spitali Amerikan 3,

    Email: [email protected]

    Instagram: silvanamishtaku