Aktualitet

Çrregullimet mendore, mjekët japin alarmin: Janë rritur me 20% rastet

Çrregullimet mendore, mjekët japin alarmin: Janë rritur me 20%

Një në katër persona në botë vuan nga çrregullime të shëndetit mendor. Në Shqipëri nuk ka statistika të sakta, por mjekët mendojnë se numri është më i madh. Ariana Rreli, psikiatre pranë Qendrës Komunitare për Shëndetin Mendor nr. 3 në Tiranë tregon se nga viti i shkuar personat që shfaqin çrregullime të shëndetit mendor janë rritur me 20%. Frika nga paragjykimi mbetet problem, ndërsa rastet më të shumta që kërkojnë ndihmën e mjekut paraqesin shqetësime të ankthit.

“Komplikohet me gjendje të tilla si ataku i panikut, që është sulmi që bën ankthi i patrajtuar, çon në problem të humorit dhe depresioni i komplikuar, nganjëherë shenjë paralajmërues e e sëmundjeve shumë të mëdha, por jo komplikacion. Mund të jetë edhe pjesë e skizofrenisë apo sëmundjeve të tjera të shëndetit mendor”, thotë ajo.

Por kur një persona ka nevojë për ndihmën e mjekut?

“Që në vështirësi në frymëmarrje, një dhimbje koke që nuk është identifikuar si problem organik, një lodhje kronike që personi nuk e justifikon, një prag i ulët i ngacmueshmërisë, irrabilitet shumë i shprehur. Duket sikur ka diçka që nuk punon mirë,me zemrën, me stomakun, por me të gjitha ekzaminimet del mirë”, tregon mjekja.

Personeli shëndetësor i Qendrave Komunitare të Shëndetit Mendor duhet të ishte ai që të mundësonte depistimin e popullsisë dhe trajtimin e problemit në fazë të hershme, por mjekja psikiatre tregon se numri i kufizuar i stafit dhe rritja e kërkesave për ndihmë e bën të pamundur.

Në këto kushte janë vetë personat që shfaqin problemin apo familjarët e tyre, që duhet të mundin stigmën e t’i drejtohen klinikave në mënyrë që gjendja shëndetësore të mos agravojë e të presë çastin e një shpërthimi që mund të jetë dhe fatal.

Ky post u realizua nga E.B. Lajmi i referohet kronikës në ABC news. Copyright Tiranapost.al.