Showbiz

Ç’po lexojnë ata nën çadër?

Ç’po lexojnë ata nën çadër?

Dje një raport i Instat na tregoi se ne shqiptarët nuk i kemi dhe aq mirë punët me leximin. Por jo të gjithë. Këtë verë nën çadër janë lexuar shumë libra. Disa madje edhe na i kanë treguar se me ç’tituj i kanë shtyrë orët e zhegut, që nga kryeministri deri tek aktorët dhe vajzat e ekranit. Ne përgjuam disa prej tyre. Mund t’i merrni edhe si këshilla leximi. Ka ende verë. Por edhe dimrin para e kemi

 

Kryeministri hodhi një foto në Instagram të librit që po lexonte. Libër anglisht, ku mund të lexoje disa fjali, por titulli nuk dukej gjëkundi. Nëse është ky libër që e gjetëm në Google, atëherë kryeministri po mëson më shumë si të reklamojë. Autori David Mackenzie Ogilvy, ishte një biznesmen i njohur anglez, ai njihet si ‘Babai i reklamës’. Ka qenë themelues i Oilvy & Mather, lindur në Angli në vitin 1911.

Por na ka propozuar edhe vëllime shqiptare, në përshtatje të plotë me bregdetin tonë dhe konkretisht me Himarën. “Shtigjeve të vendlindjes”, me poetë dhe shkrimtarë të Himarës. Fiks për pushime.

Romir Zalla ka lexuar dy libra. Ose të paktën kaq na ka treguar, se mund të ketë lexuar edhe më shumë. “Perandori” dhe “Vezët e thëllëzave”.

Po aq edhe Hygerta Sako, që ka kaluar shumë kohë nën çadër me sytë në libër. “Keini dhe Abeli” dhe “Krenari dhe paragjykim”.

Aulona Musta e ka shtyrë verën me sagën e famshme të Elena Ferrantes, katër vëllime të cilat botuesja e shtëpisë botuese “Pegi”, Loreta Berhami, na i prezantoi edhe këtu në Tiranapost. Aulona i ka mbaruar tre dhe po lexon të katërtin.

Mikesha e ngushtë e Aulonës, Fatma, ka vendosur të merret me gjëra poziitve këtë verë po lexon “Pushtimi i lumturisë”, nga Bertrand Russell.

Përgjuam pak edhe në çantën e plazhit të prezantuese italiane Alessia Marcuzzi. Ajo kishte dy libra në çantë “Il giorno uno di noi due” dhe një tjetër në anglisht “Hot Milk” nga Deborah Levy.

Bukuroshja Agnesa Vuthaj është kthyer nga klasikët. Po lexon Remarkun dhe Strehëzën e Ëndrrave.

Nuk e dimë nëse e njihni blogun Ada’s All. Me siguri që po. Blogerja misterioze Uarda Shahini nuk ka ndër mend të heqë dorë nga ushqimi. Edhe librin me çokollatë po e lexon “I piaceri intimi del cioccolato”, që mbase e ka frymëzuar për receta të reja.

Monika Lubonja po lexon Bukowskin. “Bukë me sallam” është i përzgjedhuri i saj për ditët e pushimeve.

Kaq pamë ne, por patjetër ka edhe më shumë. Sepse vera i do të gjitha: edhe detin, edhe rërën, edhe diellin, edhe librin…

Ky postim u realizua nga Klaudeta Skenderasi