SPORT

Conte: Lautaro-Lukaku? Interi ka gjetur sulmuesit për 7 sezonet e ardhshme

Conte: Lautaro-Lukaku? Interi ka gjetur sulmuesit për 7 sezonet e ardhshme

Forca e kundërshtarit dhe terreni i rënduar nga reshjet e shiut, e kishin vështirësuar së tepërmi përballjen e Interit me Torinon, por zikaltrit ia dolën të menaxhojnë lojën në mënyrë perfekte dhe të marrin një fitore të pastër 0-3.

Në përfundim të takimit, trajneri i zikaltërve, Antonio Conte vlerësoi gatishmërinë e lojtarëve të tij për të ndryshuar qasje dhe përshtatur me terrenin, ndërsa theksoi se ishte me shumë rëndësi që të mos merrnin gol.

“E dinim vështirësinë e terrenit, por edhe të kundërshtarit që ka lojtarë shumë të fortë fizikisht, ndaj i porosita lojtarët e mi, që të mos ndërtojnë shumë nga mbrapa, pasi mund të rrezikonim shumë. Jam shumë i kënaqur mbi të gjitha me faktin që sot nuk pësuam gol, pasi në ndeshjet e fundit ishim treguar shumë zemërgjerë në këtë aspekt”, deklaroi Conte.

Tekniku zikaltër foli me superlativa edhe për dyshen sulmuese Lautaro-Lukaku, që vazhdojnë të shënojnë rregullisht, ndërsa vlerësoi edhe Borja Valeron e Federico Dimarcon, që morën minutat e para në ndeshje zyrtare për këtë sezon.

“Lautaro dhe Lukaku, përveçse po bëjnë mirë tani, kanë një marzh shumë të lartë përmirësimi, pasi njëri është 22 dhe tjetri 26 vjeç, ndaj mund të jenë dyshja sulmuese e Interit edhe për 6-7 vitet e ardhshme. Më vjen mirë për këtë, pasi kështu mund të hidhen baza solide për të ardhmen. Sot dua të vlerësoj edhe Borja Valerin, që ka punuar dhe heshtur gjithmonë, por u tregua i gatshëm të zbresë në fushë dhe të bëjë më të mirën, ndonëse terreni nuk i përshtatej cilësive të tij. Edhe Dimarco është stërvitur mirë vazhdimisht dhe ka pritur shansin e tij. Është një lojtar që e ka Interin në zemër”, tha trajneri i Interit. /XH.K